Home . Kryesore . Maqedonasit në panik: “Kosovarët rrëmbejnë fëmijë në Shkup”

Maqedonasit në panik: “Kosovarët rrëmbejnë fëmijë në Shkup”

Opinioni maqedonas u tmerrua gjatë fundjavës së kaluar nga informata, e cila doli se është e rrejshme, se persona të paidentifukuar, por “nga Kosova”(!), kanë kidnapuar dhe torturuar një fëmijë në një qendër tregtare në mes të Shkupit.

Dhjetëra media maqedonase, portale dhe ueb-sajte të gazetave ditore dhe televizioneve nacionale, mbrëmë dhe sot transmetuan lajmin e tmerrshëm – duke iu referuar një statusi të një personi privat – se “është kidnapuar një fëmijë në Ramstor në Shkup nga persona nga Kosova”.

Kuptohet, shkruajnë sot disa media të pavarura në Maqedoni, “lajmi ishte i rrejshëm, por portalet e arritën qëllimin – fituan ekstra klikime”. Por, pyesin ata, “ç’fitoi opinioni publik”?, duke aluduar në efektin që dezinformatat e këtilla kanë në acarimin e marrëdhënieve edhe ashtu të brishta ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në këtë shtet.

Menaxhmenti i Qendrës tregtare “Ramstor”, një destinacion nga të preferuarit e kosovarëve që vijnë, në numër të madh, kryesisht uikendeve, për shoping në Shkup, reagoi ndaj dezinformatës që u përhap në Maqedoni, duke u bërë vërejtje medias për mungesë të profesionalizmit.

Ramstor u jep edhe një mësim gazetarëve maqedonas për profesionalizmin:

“Nga hetimet rezulton se i vetmi burim për publikimin e këtij lajmi është ndonjëfarë statusi nga një profil personal, gjë që flet për jobesueshmërinë e tij. Apelojmë te mediat që të bëjnë verifikimin e relevencës dhe saktësisë së informatave dhe para publikimit të tyre të konsultojnë organizatën emri i së cilës përdoret. Me publikimin e këtij demanti, kërkojmë nga mediat që e botuan këtë lajm të rrejshëm, që publikisht të kërkojnë falje nga Ramstor-Maqedonia, nga konsumatorët dhe nga publiku, për shkak të botimit të lajmeve të rrejshme dhe të pakonfirmuara”, reagoi Ramstori.

Informata vërtet ishte tmerruese, horor!: Është kidnapuar një fëmijë në Ramstor në Shkup nga persona nga Kosova, të cilët e kanë futur me dhunë në një makinë në garazhin në bodrumin e Ramstorit, ia kanë qethur flokët deri në lëkurë, por fatmirësisht sigurimi i qendrës tregtare ka reaguar me kohë dhe e ka shpëtuar!

Kështu ka shkruar njëfarë Natasha Kirkovska në llogarinë e saj në fejsbuk, dhe kjo u ka mjaftuar dhjetëra mediumeve – ndër të cilat gazeta e përditshme “Veçer”, televizioni me koncesion nacional “Sitel”, portali qeveritar “Kurir” dhe disa media të tjera shoviniste dhe (pro)qeveritare – që të ngrenë alarmin për “rrezikun nga kosovarët” që po “vërshojnë” Shkupin. Disa madje e kanë plotësuar informatën me “njohuritë” e tyre, kuptohet, pa identifikuar burime, se e njëjta gjë, pra me protagonistë të njëjtë – kidnapues kosovarë të fëmijëve maqedonas – ka ndodhur edhe në një qendër tjetër të popullarizuar tregtare në Shkup – City Mall. Është e tepërt të thuhet se edhe kjo QT është e njohur si vend të cilin preferojnë ta vizitojnë kosovarët kur vijnë të shpenzojnë paratë në Shkup.

Një portal maqedonas ka tentuar ta kontaktojë “Natashën” në fjalë, për të marrë informata më të hollësishme, por, natyrisht, s’ka arritur ta gjejë dhe s’ka marrë përgjigje. Nga policia të njëjtit i kanë thënë se s’kanë asnjë njoftim për asnjë rast të tillë apo të ngjashëm.

Mënyra e këtillë e “informimit”, me shpifje dhe dezinformata që synojnë paraqitjen e shqiptarëve – si të vendit ashtu edhe, në radhë të parë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë – si kriminelë, sidomos përmes rrjeteve sociale, por edhe në shumë media të shtypura dhe elektronike dhe në shumë portale në gjuhën maqedonase, është një dukuri e shpeshtë në këtë vend. Ajo shpesh kujton sjelljen e medias serbe në kohën e ish-Jugosllavisë, nga e cila kohë ka mbetur si anekdotë raportimi i shpeshtë për “krime” të ndryshme, zakonisht të shpifura, të kryera nga, siç shkruanin shpesh serbët atëbotë, “persona të panjohur të kombësisë shqiptare”.

Loading...
More in Kryesore, Rajoni
Rama sërish në Beograd, kësaj here Serbia e pret me njësi “antidron”

Close