LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Mazhoranca plan për të izoluar Ilir Metën derisa të vuloset shkarkimi, ligj special për të kufizuar kompetencat e presidentit, ja prapaskenat

Mazhoranca plan për të izoluar Ilir Metën derisa të vuloset shkarkimi, ligj special për të kufizuar kompetencat e presidentit, ja prapaskenat

Mazhoranca pritet të izolojë presidentin Ilir Meta, derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për shkarkimin final të tij. Meta ka nisur një luftë të ashpër me qeverinë, duke kthyer mbrapsht çdo lloj ligji dhe duke shkaktuar pasoja në disa raste, për shkak të vonesave me hyrjen e tyre në fuqi. Por gazeta ka mësuar se në radhët e PS po diskutohet mundësia për të miratuar një ligj organik për presidentin, i cili do tregojë me detaje kompetencat e presidentit. Sinjali i parë u dha në seancën plenare të ditës së enjte.

Deputeti Alket Hyseni tha se duhet të miratohet një ligj, në mënyrë që presidenti të orientohet se si duhet të veprojë për dekretet. Gazeta u interesua në PS mbi këtë deklaratë të tij dhe mësoi se bëhet fjalë për një ide që ka nisur të diskutohet. Një burim tha se janë duke u shqyrtuar dy alternativa. Në kuadër të reformës në drejtësi u hartua dhe një ligj organik për presidentin, pasi sot që flasim, nuk ka një ligj. Por mazhoranca e tërhoqi në mënyrë të mistershme këtë ligj, i cili kufizon në një farë mënyre kompetencat e presidentit. Ideja e parë është që ky ligj të rikthehet për diskutim dhe të pasohet me kryerjen e një sërë ndryshimeve, sa i takon kthimit të ligjeve apo lëshimit të dekreteve nga presidenti. Një tjetër opsion që po diskutohet është të hartohet një ligj komplet i ri, i cili do shërbejë si udhërrëfyes për gjithë presidentët në vijim. Burime shumë të sigurta i thanë gazetës se kjo ide po diskutohet në kupolën e PS dhe shumë shpejt do dilet me një vendim, në mënyrë që të mos lejohet presidenti që duke ngritur Kushtetutën të bëjë çfarë të dëshirojë. Meta ktheu për rishqyrtim dhe buxhetin e vitit aktual dhe kjo soli shumë pasoja, pasi u bllokuan pagat dhe financat në shumë institucione. Po ashtu, ka ndodhur dhe me shumë ligje të tjera, duke shkaktuar pasoja për shkak të vonesave.

Izolimi i Metës

Nëse PS vendos të miratojë ligjin për presidentin, atëherë Meta pritet që të izolohet derisa të vuloset shkarkimi i tij. Por si do bëhet kjo? Mazhoranca po pret vendimin e Komisionit të Venecias, i cili del më 12 tetor. Por derisa ai të vijë në Tiranë do të duhen dhe disa ditë dhe për këtë arsye afati i komisionit u shty deri në dhjetor. Por mazhoranca është e vendosur për ti shkuar deri në fund shkarkimit. Venecia pritet që të mos japë një përgjigje finale nëse Meta ka shkelur apo jo ligjin, pra duke lënë vend për interpretime dhe kjo do shfrytëzohet nga mazhoranca. Por pasi çështja të shkojë në Kushtetuese, nuk dihet a do zgjasë. Kushtetuesja ende nuk është ngritur, ndërsa janë me qindra raste që presin të shqyrtohen. Pra do të thotë se me miratimin e ligjit, Meta do jetë i izoluar derisa të vuloset shkarkimi.

Ligji

Gazeta po sjell detaje nga ligji që u hartua në kuadër të reformës në drejtësi dhe që u tërhoq. Sipas ligjit, të vetmet të drejta që do të ketë Ilir Meta është dekretimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Sipas ndryshimeve, Këshilli i Lartë Gjyqësor përzgjedh 3 kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas Presidenti përzgjedh 3 të renditurit më sipër. E njëjta gjë vijohet dhe me anëtarët e Gjykatës së Lartë. Nëse Presidenti nuk pranon kandidaturat, KLGJ ka të drejtë ta rrëzojë vendimin e tij. Pra kreu i shtetit nuk ka shumë për të bërë në këtë aspekt. Nuk ka më të drejtë për emërime gjyqtarësh e prokurorësh në shkallët e tjera, pasi kjo e drejtë i kalon KLGJ e KLP.

Loading...
Mos e Humbisni
Dora e shtrirë e Ramës për ish-opozitën e keqkuptuar… nga klani “Opozita e Rrugës”

Close