LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Mazhoranca rrëzon presidentin: Pezullimi i garës për Kushtetuesen i pavlefshëm! Po shkelet hapur Kushtetuta

Mazhoranca rrëzon presidentin: Pezullimi i garës për Kushtetuesen i pavlefshëm! Po shkelet hapur Kushtetuta

Mazhoranca ka rrëzuar tentativat e presidentit Ilir Meta për të bllokuar garën për në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti u shpreh dje se ka pezulluar përzgjedhjen e emrit të dytë, por për mazhorancën kjo lëvizje është e pavlerë. Shumica qeverisëse shprehet se presidenti Ilir Meta është sërish në shkelje të Kushtetutës. Deputetët theksojnë se vakancën e dytë të shpallur nga Presidenca do e plotësojë emri i parë që është renditur në listën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që është Arta Vorpsi.

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka u shpreh se Kuvendi është në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe vendet vakante do i plotësojë brenda afatit kohor. Në një reagim për gazetën “SOT”, Bushka deklaroi se pretendimet e presidentit Meta nuk qëndrojnë pasi Gjykata e Lartë nuk është funksionale. Duke iu referuar vendimit të presidentit i cili kërkoi vendosi për pezullim të procedurave, Bushka u shpreh se ky veprim është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. “Presidenti ka vendosur të pezullojë një afat kushtetues me procedurë administrative sipas Kodit të Procedurës Administrative, veprim që si lejohet në këtë rast dhe nuk ka asnjë vlerë pasi afatet ecin. Kjo është një gjë që bie ndesh me Kushtetutën. Presidenti nuk e ka të drejtën të pezullojë një afat kushtetues i cili ecën dhe në fund i pari i renditur automatikisht fiton.

Kuvendi ka zbatuar korrekt Kushtetutën dhe ligjin, sepse ka dy vende për të plotësuar dhe parashikimet ligjore për zbatimin e radhës nuk janë më relevante, pasi e para kanë kaluar afatet që parashikon Kushtetuta, e dyta Kuvendi duhej të zgjidhte pasi Gjykata e Lartë të emëronte anëtarin që ka të drejtë të caktojë në Gjykatën Kushtetuese, gjë që s’ka ndodh se s’ka kush e bën, meqë Gjykata e Lartë s’ka anëtarë”, u shpreh deputetja socialiste Klotilda Bushka.

Reagon Ulsi Manja

Por në të njëjtën linjë me Klotilda Bushkën ka qenë edhe kreu i Komisionit parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja. Gjatë një reagimi për media, Manja rrëzoi pretendimet e presidentit Ilir Meta, duke u shpreh se institucionet duhet të zbatojnë ligjet që janë në fuqi. Sipas Manjës, në Kushtetutë është përcaktuar qartë që Kuvendi dhe Presidenca duhet të zgjedhin brenda 30 ditëve anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se ky afat është konsideruar si një mekanizëm zhbllokimi. “E ka thënë Kushtetuta dhe ligji që nëse Presidenti nuk arrin të dekretojë njërin nga tre kandidatët e listës, kandidati i renditur i pari bëhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin.

Qoftë Presidenti, qoftë Kuvendi i Shqipërisë, në rastin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim tjetër ligjor përveç se të zbatojë Kushtetutën. Afatin 30 ditor, Kushtetuta e ka konsideruar si mekanizëm zhbllokimi. Të dy institucionet kanë detyrimin që brenda 30 ditëve të shprehen”, u shpreh Ulsi Manja. Më tej, kreu i Ligjeve, theksoi se kandidatët që do të zgjidhen nga Kuvendi, duhet të plotësojnë votat e nevojshme, ose në të kundërt sipas tij, procedurat do të shpallen nga e para. “Nëse zonja Vorpsi, e cila është e renditur e para edhe në listën që KED i ka dërguar Kuvendit, do të ketë plotësuar vakancën që duhet të zgjidhet nga Presidenti, atëherë në Kuvend, një prej kandidateve të tjera duhet të marrë 84 vota. Nëse nuk bëhen, më vlerësimin tim, procedura shpallet nga e para”, u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. /Elisjeda Kiko

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Veseli ne gjykaten speciale / Cakaj : Drejtësia selektive nuk është drejtësi

Close