LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . McAllister: Macron është përgjegjës për bllokimin e negociatave, duhet ta sqaroj pse?!

McAllister: Macron është përgjegjës për bllokimin e negociatave, duhet ta sqaroj pse?!

“Europa nuk mund ta forcojë pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare nëse një shtet anëtar të jetë në gjendje të bllokojë çdo vendim të politikës së jashtme”, deklaroi David McAllister në një intervistë për EURACTIV.

David McAllister, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian theksoi se, “një pakicë e vendeve të Komunitetit është përgjegjëse për vendimin për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Unë jam shumë kritik ndaj efektit përfundimtar të bisedimeve në samitin e Këshillit Europian dhe mendoj se ky është një gabim historik. Ky nuk është vetëm një sinjal elokuent për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, por edhe për minimin e besueshmërisë së Bashkimit Europian. Sa kushtojnë premtimet tona nëse veprojmë në këtë mënyrë?”, nënvizoi eurodeputeti gjerman.

“Maqedonia e Veriut tashmë ka bërë një rrugë të gjatë, madje i është dashur të ndryshojë emrin e vendit të saj. Për të qenë i sinqertë, nuk e kuptoj vendimin e Këshillit. Grupi politik, të cilit unë i përkas në PE, ka siguruar që të gjithë krerët e qeverive të Partisë Popullore Europiane (PPE) në Këshill të qëndrojnë në anën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ne jemi shumë të zhgënjyer që disa qeveri ishin në gjendje të ndikojnë në vendimin përfundimtar të Këshillit për këtë çështje”, shtoi McAllister.

I pyetur nëse do të ishte më mirë që për vendimet për punët e jashtme të ndiqej procedura e shumicës së kualifikuar, Mc Allister theksoi se, “për të krijuar një politikë të fortë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, ne duhet të bëhemi më fleksibël dhe të vendosur. Ekzistojnë disa mundësi në të cilat ne mund të fillojmë të përdorim shumicën e kualifikuar, për shembull, kur vendosim sanksione. Ne nuk kemi asnjë shans për të forcuar pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare nëse një shtet anëtar është në gjendje të bllokojë çdo vendim të politikës së jashtme”.

I pyetur nëse mendon se Bashkimi Europian duhet të zgjidhë së pari problemet e brendshme, dhe pastaj të vazhdojë me negociatat e anëtarësimit me vendet e tjera, pasi ky ishte një nga argumentet kryesore të Francës kundër hapjes së negociatave, McAllister u përgjigj se, “para së gjithash, ne po flasim vetëm për fillimin e negociatave. Përfundimi i tyre do të zgjaste shumë vite, kështu që vetëm fillimi i bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk do të thotë se këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian nesër”.

“Së dyti, presidenti francez në argumentin e tij theksoi se ai ishte kundër bisedimeve të pranimit sepse ai besonte se BE së pari duhet të rishikojë procesin e zgjerimit. Jam dakord që ka gjëra që mund të bëjmë më mirë në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, unë shpresoj që 27 liderët e BE-së do të jenë në gjendje të bien dakord për këtë çështje gjatë presidencës së ardhshme, kur samiti i Ballkanit Perëndimor është planifikuar për majin e vitit 2020. Ndoshta atëherë do të ketë një përparim në bisedime dhe do të negociohet një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shpresoj kështu”, shtoi McAllister.

I pyetur në lidhje me mundësinë për trajtimin në mënyrë të veçuar të të dy vendeve, McAllister tha se, “edhe nëse këto shtete do të ndaheshin, Presidenti Macron do të kishte akoma rezerva për Maqedoninë e Veriut. Prandaj nuk jam i sigurt nëse procedura e ndarjes do të ndihmojë. Sipas mendimit tim, zgjidhja më e mirë do të ishte një rrugë e ngjashme me rezolutën e miratuar nga Bundestagu gjerman”.

“Vlen të përmendet se politika e zgjerimit ngjall shumë dyshime në Gjermani, dhe Bundestagu gjerman ka vendosur të ndjekë këtë rrugë. Kjo është një arsye tjetër pse unë jam aq i zhgënjyer që Gjermania, e cila ka treguar udhëheqje në këtë fushë, nuk ka arritur të bindë partnerët tanë francezë”, shtoi McAllister.

I pyetur nëse ky vendim vjen si rezultat i rivaliteti midis Gjermanisë dhe Francës, McAllister tha se, “Jo, kjo ka të bëjë me qëndrimin e presidentit francez ndaj politikës së zgjerimit, të cilën nuk e ndaj. Z. Macron, Z. Rutte dhe të tjerët janë përgjegjës për këtë vendim dhe duhet të shpjegojnë pse e morën atë”./ATA

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore, Politike
Erjon Braçe nxjerr blof me një video Andi Bushatin: Kush genjen tani, zotria, zoterinjte, une, ti-ju?!

Close