LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Blog . Meta po i përdor të gjithë, nga Berisha e Nishani, te Muçi dhe Xhaferllari

Meta po i përdor të gjithë, nga Berisha e Nishani, te Muçi dhe Xhaferllari

Nga Ardit Rada

Prej disa ditësh, Ilir Meta ka ftuar në zyrën e tij ish-presidentët në përpjekje për të gjetur një zgjidhje prej tyre. Por deklaratat e Berishës dje, dhe Nishanit sot, tregojnë krejt të kundërtën. Ky i fundit u shfaq para kamerave ‘i tronditur’ nga faktet që i paska paraqitur Meta rreth Gjykatës Kushtetuese. Kësisoj, presidenti po i përdor paraardhësit e tij në detyrë si zëdhënës shtypi dhe jo si “këshill të urtësh” prej të cilit mund të këshillohej për zgjidhjen e krizës.

Në morinë e takimeve të fundit duhet kuptuar se Berisha dhe Nishani nuk kanë hyrë me mendtë e tyre në Presidencë dhe të kenë dalë më pas me ato e Metës. Ata thjeshtë kanë menduar njësoj që në fillim rreth ngërçit me Kushtetuesen, por edhe akuzave që duhen artikuluar publikisht në kor.

Pa u marrë me detajet teknike, rrëzimi i sotëm i Besnik Muçit nga KPA është treguesi sesi presidenti në rastin më të mirë nuk e ka marrë parasysh një vendim të tillë. Dhe në rastin më të keq, e ka pritur dhe ka përzgjedhur pikërisht Muçin për ta futur kolapsin në disa shina të reja. Fatin e ish-prokurorit të rrëzuar sot në Veting mendohet ta ketë edhe Marsida Xhaferllari.

Duke zgjedhur dy emra të dobët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta së pari tregon kriteret mbi të cilat i përzgjedh njerëzit. Në këtë rast për organin më të lartë të drejtësisë. Dhe së dyti, nxjerr zbuluar planin e tij për ta penguar deri në fund krijimin e këtij organi duke përdorur faktin se të zgjedhurit e tij nuk kanë marrë vulën e fundit nga Vetingu.

Besnik Muçi apo Marsida Xhaferllari janë dy nga emrat e shumë gjyqtarëve që mund të zgjedhë Presidenti për anëtarë në vijim. Këtu nuk ka vend për panik dhe as për ta lëshuar gojën pa kursim ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Kush mendon se ishte kurth i KED apo konspiracion më i thellë se kaq, nuk duhet të harrojë se Presidenti kishte mbi tryezë edhe Arta Vorpsin. Por Presidenti e ka humbur ‘qetësinë dhe dashurinë’ për gjithçka. Aq sa tromaksi edhe një ish-ushtarak si Bujar Nishani.

Loading...
More in Blog
Mbi shfaqjen e fantazmës së Sali Berishës në Presidencë

Close