LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Meta s’beson te Basha, e akuzon si spiun të SHBA dhe BE

Meta s’beson te Basha, e akuzon si spiun të SHBA dhe BE

Teksa s’lë rast pa vlerësuar burrërinë e Sali Berishës e s’kursen elozhet për të si njeri i fjalës së dhënë, Meta nuk ndan të njejtin qëndrim për kreun zyrtar të PD, Lulzim Basha.

Liderin demokrat nuk e honeps fare, dhe nuk thonë kot, se “kur ke hall ku nuk të shkon mendja dhe të gjithë të duken hasëm”.

Kështu i ka ndodhur edhe Ilir Metës, në hallin e madh që e ka zënë këto kohët e fundit, kur SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata Kushtetuese janë në prag të ngritjes dhe fillimit me shpejtësi të punës me “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, dhe që në krye të listës ka vetë Presidentin për ta hetuar për të gjitha maskarallëqet që ka bërë.

Tashmë si armiq të tij politikë nuk sheh vetëm SHBA-në, BE-në dhe Edi Ramën, por sheh dhe brenda opozitës, në krye të të cilës qëndron Lulzim Basha.

Meta nuk beson tek kreu zyrtar i PD dhe i druhet “flirtimit” të Bashës me partnerët tanë ndërkombëtarë SHBA e BE por dhe me kreun e mazhorancës Edi Rama, gjë që e ka provuar shpeshherë, duke e lënë më “gisht në gojë” LSI.

Një shqetësim të tillë e ka shprehur dhe për median, teksa ka përcjellë një mesazh të koduar për Bashën, i cili në themel kishte akuzën për spiunim dhe spiunin më të famshëm të Luftës së Ftohtë, krahasim ky që është një akuzë e drejtëpërdrejtë për Lulin si spiun i SHBA, BE e Ramës.

“Unë nuk vuaj dot nga këto gjëra, por një gjë e di mirë unë nga historia, besoj që e dini edhe ju, që Kim Philby nuk ishte sovjetik dhe as bashkëshortja e tij nuk ishte sovjetike.

Kështu që unë jam i bindur që edhe aleatët tanë do t’i gjejnë Kim Philby-t e rinj, të cilët kërkojnë të komprometojnë imazhin e Shqipërisë si një vend demokratik dhe si një vend i qëndrueshëm në këtë rajon”, ka “siluruar” Meta kreun e PD, Basha.

Madje kalon në sulm të hapur ndaj lidershipit të opozitës aktuale, duke nënvizuar se “duhet të reflektojnë, sepse precedenti i dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës është i papranueshëm për mua si President dhe ka qenë e mbetet gjithmonë i papranueshëm edhe mosregjistrimi i tyre në zgjedhje”.

Mungesa e besimit të Metës për Bashën është shfaqur dhe ditën e djeshme, në momentin kur kreu i PD ishte futur në ambientet e Teatrit bashkë me aktorët duke protestuar dhe bllokuar zbrazjen e tij, teksa presidenti dorëzoi në Kushtetuese kërkesën për zhbërjen e ligjit për shembjen e Teatrit dhe ndërtimit të riut.

Ndërhyrja e Metës vjen një vit pas protestave pa rezultat të Bashës për mbrojtjen e Teatrit, i cili deklaroi se vetëm kur të kalojnë në trupin e tij do të shembet ky institucion i rëndësishëm i kulturës shqiptare, por nëse ndodh do të vendosë tritol te ndërtesa e re.

Megjithë këto paralajmërime Basha nuk e dërgoi ligjin në Kushtetuese, këtë e bëri dje vetë Meta./Pamfleti

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close