LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Meta “shet” Bashën dhe i faturon “g.jakderdhjen”, mbron Monikën e Berishën dhe “josh” Ramën

Meta “shet” Bashën dhe i faturon “g.jakderdhjen”, mbron Monikën e Berishën dhe “josh” Ramën

Presidenti Ilir Meta ka qënë tepër i qartë në mesazhet e tij, teksa u përgjigjej pyetjeve të deputetëve në Komisionin e Hetimit Parlamentar për shkarkimin e tij. Dëshmia e Metës, Vasili himnizon kryetarin “de facto” të LSI: Presidenti tregoi seriozitet përballë mizerabilitetit politik

Me një gjuhë të kujdesshme, mes respektimit të Kushtetutës dhe duke “luajtur” me përgjegjësisë që ka një kryetar shteti për të shpëtuar vendin e tij nga gremisja, Meta ka dhënë sinjalin e qartë se tashmë ka bërë “shitjen” përfundimtare të liderit demokrat Lulzim Basha.

Njëherësh teksa i ka ngarkuar atij të gjithë përgjegjësinë e strategjisë radikale të opozitës si dhe gjakderdhjen që mund të shkaktonte ditën e zgjedhjeve më 30 qershor, Meta ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, veten dhe ish kryeministrin Sali Berisha.

Pavarësisht se “arkitektët” e marrjes së pushtetit me dhunë, qoftë dhe duke shkaktuar gjakderdhje janë pikërisht Ilir Meta dhe Sali Berisha, dhe këtë vetë Berisha e ka deklaruar më se njëherë dhe publikisht, i mbështetur nga Presidenti aktual.

Por Meta ka goditur me “pambuk” dhe kryeministrin Edi Rama, teksa thotë se kokëfortësia e tij për të mos i lëshuar terren opozitës, duke pasur përballë dhe Bashën që kërkonte dialog pa të kryeministër, mund të sillte konflikt civil. Pra gjakderdhje nga “këta dy të çmendur” sipas Metës.

Kreu i shtetit është munduar të ngarkojë PD dhe liderin e saj Lulzim Basha me tërë përgjegjësinë e një konflikti të mundshëm të përgjakshëm, duke e distancuar dukshëm partinë e tij LSI dhe bashkëshorten Monika nga kjo dhunë.

Njëherësh Meta, përmes mesazheve të tij ka “joshur” dhe Ramën duke paralajmëruar arritjen e një pazari mes tyre. Kjo u pa dhe nga gjuha tepër etike në komision, mungesa e nervave dhe e përplasjes, një rast i paprecedent në komisionet parlamentare të hetimit deri më sot.

Kreu i shtetit e cilësoi të gabuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve, ndërsa po aq të gabuar e cilëson edhe rolin e maxhorancës që i zëvendësoi, sipas tij, me shpejtësi vendet vakante në Kuvend, pa bërë asnjë përpjekje për dialog.

“Bëra përpjekje për dialog, por kokëfortësia e kryeministrit për të mos diskutuar mundësinë e shtyrjes së datës 30 qershor dhe e dyta kokëfortësia e kryetarit të PD-së për të mos u ulur me Ramën si kryeministër, nuk la vend për tryezë.

Nuk kam qenë dakord me mitingjet e Ramës, që në thelb ishin anti mitingje të kryeministrit. Ia kam thënë Ramës, se pas çdo proteste të opozitës, ai organizonte anti mitingje. Por gjuha e tij helmuese acaronte protestuesit përballë policisë së shtetit që kanë qenë në situatë të vështirë. Kujtojmë që një police humbi gishtat e dorës. Çfarë mund të bënte presidenti kur të dy palët kërkonin konfrontim. Konfrontimi mund të sillte gjakderdhje dhe do shkaktonte viktima?”, tha Meta në Komision.

Por “goditja” e Metës ndaj Ramës ka qënë e mirëstudiuar, pasi në të 10 protestat e opozitës, pavarësisht dhunës së ushtruar nga protestuesit e përpjekjeve për t’i vënë zjarrin si kryeministrisë ashtu edhe godinës së Parlamentit, nuk është plagosur asnjë protestues, por vetëm policë. Ndërkohë që kreu i shtetit është kujdesur fort që përgjegjës për dhunën dhe radikalizimin e opozitës deri në kërcënim për viktima dhe gjakderdhje t’ia ngarkojë Bashës, duke e “shitur” atë./Pamfleti/

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Rama deputetëve: Fitorja nuk na ka ardhur nga drejtorët! Nëse veproni kështu, mos kini merak humbjen e keni të sigurt

Close