LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Miratohet rezoluta për ndikimin rus: Ditmir Bushati del kundër, përplaset ashpër me deputetët socialistë në komision

Miratohet rezoluta për ndikimin rus: Ditmir Bushati del kundër, përplaset ashpër me deputetët socialistë në komision

Komisioni i Politikës së Jashtme ka miratuar dje projekt-rezolutën “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”. Relatori i rezolutës ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Por komisioni u shoqërua me debate mes palëve, ku ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe opozita parlamentare patën kundërshtime për draftin.

Gjatë prezantimit që bëri, Balla tha se shkas për këtë nismë është bërë rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian. Kreu i grupit parlamentar të PS, deklaroi se ka pasur qasje të ndikimeve ruse mbi vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo sipas tij, është faktuar nga studimi i kryer nga fondi “Marshall”. “Shkas për këtë nismë u bë rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian. Ka pasur qasje të influencës ruse në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ka një studim për ketë influencë dhe studimi i kryer nga fondi Marshall. Është argument pa bazë që Shqipëria është imune nga influenca ruse”, tha Balla. Sipas tij, ka disa arsye se pse qeveria është detyruar ta ndërmarrë një nismë të tillë për të hartuar një draft kundër ndërhyrjeve të huaja. Ai tha se vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj ndërhyrjeve ruse. “Kam dëgjuar edhe diskutimet e brendshme të cilat argumentojnë që Shqipëria është imune ndaj dezinformimit rus. Në fakt është një argument pa bazë për sa kohë Shqipëria dhe shqiptarët kudo në rajon në bazë të narratives ruse janë objekt i saj. Sërish më pëlqen të citoj studimin e German Marshall Fund kur thotë: “Ministria e Jashtme e Rusisë është duke kaluar narrativën që BE dhe NATO kanë miratuar krijimin e një “Shqipërie të Madhe” në rajon”, tha Balla.

Kundërshtimet e Bushatit

Ish-ministri Ditmir Bushati edhe këtë herë doli kundër partisë së tij. Ai kritikoi draftin e propozuar nga PS për ndërhyrjet e huaja. Bushati tha se komisioni dhe Parlamenti po futen në ujëra të turbullta me këtë rezolutë, duke shtuar se ka ikur koha, kur i shpallej luftë shteteve. Ai tha se qeveria duhet të deklarojë se cilat janë shtetet që kanë marrë një nismë të tillë si kjo. “Duhet të kemi një dokument të certifikuar nga qeveria shqiptare për trajtimin e informacionit të klasifikuar. Nuk mundet që ky komision apo Parlamenti të futet në ujëra të turbullta. Koha kur i shpallnim luftë shteteve ka përfunduar. Këtu bie dakord me Gjonin, të gjithë ata që janë marrë me përkthimin e Rezolutës së PE, për fat të keq në disa raste jo korrekte, rezoluta ka mbi 20 dokumente që citon, që janë dokumente të Komisionit Evropian, ku përmendet jo vetëm Rusia, por aktorë shtetërorë e jo shtetërorë, më pas vjen me tekstin e rezolutës”, deklaroi dje Bushati. Mes të tjerash Bushati tha se nuk mund të diskutojmë një rezolutë pa dokumentin strategjik të NATO-s.

Kritikat e opozitës parlamentare

Ndërkohë përveç Bushatit, ishte edhe opozita parlamentare që shkaktoi debat dje gjatë komisionit. Kryetarja e grupit demokrat Rudina Hajdari tha se rezoluta është jashtë realitetit shqiptar. “Pse duhet të kesh frikë ti nga ndërhyrjet ruse, pasi 98% e shqiptarëve mbështesin SHBA-BE, ne problemin kryesor e kemi me liderët tanë”, tha ajo. Ndërkohë që pati edhe përplasje mes deputetit Ralf Gjoni edhe Taulant Ballës. Gjoni tha në komision se ka informacione për financimet ruse të disa portaleve mediatike në Shqipëri, por që nuk e provon dot pa mbështetjen e SHISH dhe shërbimeve të tjera. “Ka disa tentativa në vite nga elementë të huaj për të penetruar në mjetet e informimit në Ballkan, përfshirë edhe Shqipërinë, mes tyre ka edhe elementë lindorë shqetësuar për të ardhmen demokratike të Shqipërisë, por nuk mund ta provoj pa pasur një mbështetje nga SHISH. Nëse ka informacion nga SHISH për ndërhyje kjo do të ishte katastrofë”, tha Gjoni. /Arbjona ÇIBUKU

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
PS “shkrin” partitë e vogla, draft të ri për depolitizimin e komisioneve zgjedhore dhe plan për të hequr koalicionet: Ja si pritet të bien LSI, PDIU e PR

Close