Home . Aktualitet . Moska e Beogradi “sy e veshë” në Tiranë! Mediat ruse kanë të preferencën e tyre të lajmeve: Shkrimet për Metën e opozitën

Moska e Beogradi “sy e veshë” në Tiranë! Mediat ruse kanë të preferencën e tyre të lajmeve: Shkrimet për Metën e opozitën

Beogradi dhe Moska duket se vijojnë të kenë vëmendje ndaj zhvillimeve në Tiranë. Edhe pse protestat morën fund dhe politika ka marrë pushimet, mediat ruse e serbe vijojnë të shkruajnë për aktualitetin politik. Ajo që bie në sy është se gjendet një pasqyrim mjaft i gjerë i deklaratave të presidentit Ilir Meta apo dhe denoncimeve të opozitës ditët e fundit për Valdrin Pjetrin. Por teksa kjo e Pjetrit ka bërë bujë dhe në media të tjera, i çuditshëm është fakti i mbështetjes që po i jepet Metës.

Një ndër portalet më të flakta pranë tij është “Regnum.ru”. Ky portal pasqyron çdo status në rrjetet sociale të Ilir Metës. Çfarëdo që të bëjë presidenti e gjen aty. Sulmet e Metës ndaj reformës, ndaj qeverisë dhe ndaj ndërkombëtarëve gjejnë një pasqyrim të thellë. Lajmi më i fundit është ai mbi statuset e njëpasnjëshme të Metës, i cili kërkon nga qeveria dhe opozita reflektim. Gazeta e ka deklaruar disa herë se presidenti gëzon simpati te rusët dhe serbët dhe si duket faktet po shtohen. Ndërkombëtarët kanë dhënë alarmin se Rusia po tenton destabilizim në Ballkan. Meta po tenton që të rikthejë tensionet, pasi dje paralajmëroi dhe gjakderdhje. Madje portali në fjalë ka bërë mbi 40 shkrime për Metën këto kohët e fundit. Një gjë e tillë tregon qartë se nga anon presidenti, i cili ka hyrë në luftë me amerikanët. Fakti që gëzon mbështetje te rusët e tregon qartë se përse vendi ndodhet në këtë krizë politike. Madje Meta arriti deri aty sa ironizoi rreziqet që vijnë nga Rusia. “Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet shpesh toksike, për fat të keq, të Rusisë në rajonin tonë, por nuk besoj se ky është një problem në rastin e Shqipërisë. Ne do të donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e të gjithë popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe në NATO, por është e drejta e saj të reagojë ndryshe. Gjithsesi, nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan në periudhën e së kaluarës, për të fshehur shkaqet e vërteta të kësaj krize kushtetuese, politike, morale, përfaqësimi, të cilat janë të krijuara nga ne dhe kërkojnë reflektim nga të gjithë”, tha Meta. Por një ditë më pas reagoi fuqishëm SHBA, duke dhënë alarmin për ndikimin rus.

Rreziku që vjen nga jashtë

Institucioni që e konfirmon se ndikimi i agjencive të huaja është rritur në vendin tonë është Shërbimi Informativ Shtetëror. Në raportin vjetor ky institucion e ka treguar qartë se influencat nga vende që nuk na duan të mirën janë rritur ndjeshëm. “Shërbimet dhe agjencitë e huaja të fshehta jomiqësore që zhvillojnë veprimtari kundër interesave kombëtare të Shqipërisë, terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë për periudhën që mbulon ky raport i parë publik. SHISH-i ka ndjekur dinamikën e zhvillimeve në rajon dhe ndikimin e tyre në rrafshin politik dhe të sigurisë. Kontributi

i SHISH-it për sigurinë rajonale ka marrë vlerësime të larta nga drejtuesit politikë brenda vendit, nga partnerët strategjikë dhe nga strukturat e inteligjencës së NATO”, thuhet në raportin vjetor.

Meta kundër SHBA

Teksa gëzon mbështetjen e mediave ruse, presidenti ka nisur një sulm të paparë ndaj reformës në drejtësi dhe ndërkombëtarëve. Edhe pse reforma ka 3 vite që është miratuar, presidenti tani e ka gjetur kohën për të lëshuar sulme dhe akuza ndaj saj. Por Meta ka marrë përgjigje shumë të forta nga SHBA. Më i fundit ishte Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, i cili në një takim me ministrin në detyrë Gent Cakaj, deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”, tha Reeker. Pra, duket qartë se kemi një luftë mes Metës dhe amerikanëve. Plani i presidentit ishte që ta nxjerrë reformën në drejtësi si një projekt të Soros dhe jo të amerikanëve. Dihet rivaliteti mes presidentit Donald Trump dhe Soros. Presidenti Meta mendoi se do fitonte simpatinë e administratës së Trump me këtë lëvizje, por duket se ka dështuar. Si Matthew Palmer, ashtu dhe Reeker i kanë dalë hapur, të cilët janë po përfaqësues të administratës së Trump. /Kliti Topalli

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close