LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Nafta arrin në 199 lekë/litri ushqimet ruajnë çmimin e festave

Nafta arrin në 199 lekë/litri ushqimet ruajnë çmimin e festave

TIRANE– Ditët e para që nga hyrja në fuqi e paketës së re fiskale janë shoqëruar me rritje çmimesh për sa i përket karburantit. Në fund të muajit dhjetor, në pika të ndryshme karburantesh, çmimi i naftës varonte midis 183-188 lekë litri. Gjatë kësaj jave çmimi i naftës varion midis 186-189 lekë/litri. Mesatarisht sipas këtyre të dhënave çmimi i naftës është rritur me 2 lekë/litri. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për çmimin e benzinës. Gjatë ditëve të fundit të vitit 2013, çmimi i benzinës varionte midis 187-188 lekë/litri, ndërsa në fillim të janarit ai varion midis 188-199 lekë/litri. Pra mesatarisht, çmimi i benzinës është rritur me 6 lekë/litri. Ndërkaq akciza për naftën dhe benzinën është rritur me 10 lekë/litri, që nga 1 janar 2014. Pak kohë më parë Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi se rritja e akcizës së karburantit, në një familje me konsum mesatar të karburantit, do t’i kushtonte vetëm 100 lekë më shumë në muaj.

Cigaret
Taksa e akcizës së cigareve është shoqëruar me një rritje çmimesh, që kanë bërë të reagojnë deputetin socialist, Erjon Braçe, në faqen e tij të rrjetit social “Facebook”. Deputeti Braçe argumenton se kjo rritje çmimesh së cigareve tek tregtarët e rrugës është “grabitje”, për faktin se shteti nuk merr tatimin që i takon për shitjet e produkteve. Në këtë kuadër ai gjithashtu nuk e justifikon një rritje të çmimit të paketave të cigareve me 50 lekë, kur akziza për këtë produkt u rrit me 20 lekë. “Akciza e cigareve u rrit me ligj në fund të vitit me: 20 lekë për paketë!! Rritja e reflektuar në treg është: 50 lekë për paketë!! Unë vërtetë isha shumë fort pro rritjes së Akcizës së Cigares por kjo është grabitje!! Ku shkojnë paratë? Në Buxhetin e Shtetit? Joooooooooooo! Paketat shiten rrugëve dhe pa kupon tatimor! Paketat shiten në kioska dhe pa kupon tatimor! Kjo do të thotë se tregtarët bartin në çmimin me të cilin shesin paketat edhe akcizë edhe TVSH! Qytetaret paguajnë!! Buxheti i shtetit merr aq sa do tregtari, jo aq sa paguan qytetari, veçanërisht si TVSH për paketë!! Kjo është grabitje! Dy herë grabitje! Njëherë për qytetarin dhe herën e dytë për buxhetin e shtetit!”,  shkruan deputeti Braçe.

Ushqimet
Në tregjet e kryeqytetit, çmimet për prodhimet bujqësore vazhdojnë të jenë të larta, edhe pse  festat kanë kaluar. Për një periudhë të gjatë tashmë, me rastin e festave të fundvit në Shqipëri, çmimet rriten ndërsa kërkesa për konsumin ushqimor që sjellin këto festa arrin pikun. Nga një vëzhgim i ATSH-së në disa nga tregjet kryesore të Tiranës, konsumatorët po blejnë më shtrenjtë me 20-30 lekë /kg, produktet që vijnë nga importi, ndërsa prodhimet vendase kanë pësuar një ulje të lehtë, duke iu rikthyer normalitetit në ditët para Vitit të Ri. Ndonëse çmimi për të njëjtin artikull  varion jo vetëm nga një treg në tjetrin, por edhe brenda vetë banakut të të njëjtit tregtar. Megjithëse gjatë periudhës së festave tregjet u monitoruan nga Bashkia e Tiranës, ashtu sikurse çdo vit, çmimet e produkteve sërish pësuan rritje.

Shqiptarja.com

Loading...
More in Ekonomi
Koha për të blerë shtëpi, ulen 15 % çmimet e apartamenteve

Close