LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ndizet konflikti për Kushtetuesen, PS: Xhaferllari nuk ka kaluar vetingun, Meta po del mbi ligjin, është i tmerruar nga reforma në drejtësi

Ndizet konflikti për Kushtetuesen, PS: Xhaferllari nuk ka kaluar vetingun, Meta po del mbi ligjin, është i tmerruar nga reforma në drejtësi

Dekretimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese e ka kaluar në një tjetër stad konfliktin Kuvend-Presidencë. Për mazhorancën anëtarja e Kushtetueses është Arta Vorpsi dhe jo Xhaferllari. Sipas socialistëve, Metës i ka skaduar afati 30 ditor dhe ai nuk ka të drejtë të bëjë emërime. Përballë kësaj situate gazeta ka mësuar se mazhoranca do marrë veprime konkrete. Pritet që Komisioni i Ligjeve të zhvillojë një seancë të posaçme për këtë çështje, ndërsa mbetet të shihet qëndrimi i KED.

Reagon PS

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, e ftuar dje në një studio televizive u shpreh se ky dekretim është një tregues se Meta u përpoq ta trajtonte ligjin si lojë shahu, teksa tha se nuk e priste emërimin e një kandidature të tillë. Mes të tjerash, Felaj tha se Xhaferllari është një zgjedhje e tjetër kujt. “Duke i dhënë mundësinë që gjykata të zgjedhë kryetarin e saj.

Pritej, madje dhe debati që shkaktoi Meta ishte në vetvete një debat që të justifikonte këtë zgjedhje. Një zgjedhje e detyruar për shkak se lista që presidenti ka zgjedhur kandidaten në fjalë, përbëhej nga 3, ai duhet të zgjidhte 3 anëtarë. Lista ka qenë e njëjtë edhe me të Kuvendit, që kjo mbetej kandidatja e vetme. E pa ligjin si lojë shahu. Do ishte më e moralshme që të kishte ndjekur kriterin e ligjit. E kaloi në heshtje kandidaturën e Vorpsit, të përçonte një konflikt në Kuvendin që nuk ishte. Tejkaloi afatin 30 ditor, normalisht kandidatja Vorpsi do të kalonte automatikisht”, deklaroi Felaj. Ajo tha se e dekretuara e Metës nuk e ka kaluar vetingun. Felaj deklaroi se zgjedhja e Xhaferllarit nuk ishte zgjedhje e Metës. “Ligji në vetvete ta imponon që ta respektosh, një sjellje e presidentit që morali nuk ka luajtur asnjë lloj roli. Unë e kam pasur një qëndrim edhe më herët, që Meta nuk do e bllokonte procesin e situatës Kushtetuese.

Xhaferllari nuk ka kaluar vetingun. Diferenca e dytë është kjo: Nëse do të ishte zgjedhur dikush që të kishte një lidhje me mazhorancën, qoftë edhe lidhjen më të largët, ju sot do të kishit përfaqësuesit e opozitës që të hidhte baltë mbi ne, ne nuk e kemi bërë këtë sjellje. Edhe pse nuk jemi indiferentë të lëvizjeve që janë bërë për të shkuar në emërimin e kandidatëve të veçantë. Ishte zgjedhje e tjetër kujt, jo e presidentit Ilir Meta”, tha Felaj. Ligjvënësja socialiste e konsideron të ligjshëm vendimin e Kuvendit në votimin e dy anëtareve të reja të gjykatës. Sikundër edhe emërimin e Arta Vorpsit, falë mekanizmit zhbllokues, në këtë institucion, pasi presidenti nuk e dekretoi brenda afatit 30 ditor.

Qëndrimi i Elisa Spiropalit

Ndërkohë një tjetër zë që ka reaguar ishte edhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila me anë të një postimi në Facebook tha se presidenti i është kundërvënë reformës në drejtësi. “Edhe njëherë Ilir Meta iu kundërvu reformës në drejtësi dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, duke dekretuar kundër ligjit dhe kundër qëndrimit të tyre, me zero legjitimitet kushtetues e ligjor, një gjykatëse mbrapa liste. Edhe njëherë kundërvënia brutale e Ilir Metës ndaj prioritetit themelor të vendit, drejtësisë, na bën të ndjehemi keq për Presidentin e Republikës. Edhe njëherë, Ilir Meta dha një shembull spektakolar për ta kuptuar kush ende nuk e ka kuptuar, se reforma në drejtësi ndan thellë e qartë shumicën qeverisëse dhe Parlamentin e vendit, nga fronti i atyre që me në krye Ilir Metën, i bashkon kundër nesh frika nga drejtësia”, ka deklaruar Spiropali. /Arbjona ÇIBUKU

Loading...
More in Aktualitet
“Mirmëngjes me lajmin e bukur”! Kryeministri Rama nxjerr videon dhe tregon realizimin e premtimit të madh

Close