LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Në emër të popullit që s’di ç’bëhet!

Në emër të popullit që s’di ç’bëhet!

Nga Fatjon Gjinaj

Kush ma mbush mendjen se populli ose më saktë, i gjithë populli din se ç’bëhet me fatin e tij!? – Kush ma mbush mendjen se politikanët janë të sinqertë kur justifikohen se në emër të popullit pranojnë të bëjnë ose të mos bëjnë kompromise me njëri-tjetrin!? – kush ma mbush mendjen se populli dhe politikanët janë të vetëdijshëm për veprimet dhe për mos-veprimet e tyre, që shpesh herë bien dhe rëndojnë mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë!? Të kotë do t’a kishte ndokush që do përpiqej të më bind’te për diçka të cilën e dimë të gjithë që nuk e dimë… (askush dhe asgjë nuk më bind populli dhe politikanët janë në kontakt të vazhdueshëm, njohin pozitat dhe dispozitat e njëri-tjetrit dhe i shërbejnë kauzës së përbashkët, SHQIPËRISË!

Sepse politika dhe politikanët kanë bërë dhe bëjnë gjithmonë të njëjtën lojë të pistë; kanë luajtur me popullin; me varfërinë e tij; me nivelin e tij ekonomik; me nivelin e tij intelektual; me pozicionin e tij socio-shoqërorë…). E pse do t’a mendonte e aq më pak t’a shprehte!? Në qoftë se po, jam kurioz t’a njoh këtë “mbi-njeri”, këtë “Homer” modern. Pra siç mund të jetë kuptuar tashmë, nuk po flas për interes individi apo individësh, por për interes të një vendi ku njerëzve të tij Zoti, Natyra apo fati i’u ka rezervuar të jetojnë.

Një popull që as e merr dot me mend se ç’bën politika në emër të tij; as e sheh se ç’bën politika pa e llogaritur fare interesin e tij; as s’e kupton se ç’bën dhe ç’thotë politika në emër dhe në paemër të tij,,, ai popull meriton me plot-kuptimin, politikën dhe politik’llëqet që i bëhen. Është faj ynë si popull pse kemi arritur në këtë pikë, dhe kur them “në këtë pikë”, e kam fjalën as më pak e as më shumë se për dështimin e krijimit të një shteti demokratik modern! Shkurt, në qoftë se është faj të gënjehesh atëherë ne jemi fajtorë, sepse ne or ti shok jemi popull i gënjyer.

Të gënjyerit nuk janë gjithmonë fajtorë, por kur gënjehen për së treti e kacafiu, janë që ç’ke me të… Dikush është ose bëhet fajtorë që nga momenti kur kupton se po e gënjejnë e që do vijonte të vepronte si dele e tufës pa bari, e kësisoj ruan status quo’në (si tufë e endur pyllit të mbjellur me lisat e shkurret kalbura të shpresave perënduese), po, ai dhe ne do të ishte dhe do të ishim fajtorët! Pyetja që shtrohet është se: a na gënjejnë(?). Nëse po, a e kemi kuptuar se po na gënjejnë(?). Pse na gënjejnë dhe s’i u përgjigjemi ne këtyre gënjeshtrave…???!!!

PO! NA GËNJEJNË QË Ç’KE ME TË.

(Ja pse qenkemi fajtorë)! Na gënjejnë kur propagandojnë për t’i zgjedhur; na gënjejnë kur u kërkojmë llogari mbi premtimet e bëra përpara se të zgjidheshin; na gënjejnë edhe për gënjeshtrën e bërë pas gënjeshtrës për të justifikuar gënjeshtrën… Aq shumë na gënjejnë dhe ne vijojmë të shpresojmë se dikur, diku, për njërën apo tjetrën arsye do t’i kapë sedra. “Dreqi e mori nuk do të na gënjejnë për njëherë të vetme”. Me këtë “ndihmesë” (një e vërtetë midis mijëra jo të vërtetave), ata na kanë bërë një të mirë të madhe. “Për këtë ne do t’ju besojmë njëqind vjetët e ardhshme, sepse ai/ajo(ata),,, e mbajnë fjalën qoftë për njëherë të vetme; aq më tepër pse jemi popull mirënjohës ne or ti; kjo na imponon t’ju qëndrojmë besnik tërë jetën, dhe e mira do të ishte të indoktrinonim edhe brezat me idealin e Partisë, se Partia i bëri një nderë babës, gjyshit a stërgjyshit bre”!

TORBESTROFULLAH!!! PO! NA GËNJEJNË QË Ç’KE ME TË. Sepse fatkeqësisht ata janë shumë dhe për dreq i përngjajnë tmerrësisht njëri-tjetrit. Ata janë “baballarët” e Atdheut që nuk ju kanë fund turpet. Ne jemi “kopilët” që s’kemi asnjë shpresë, e për të mbijetuar duhet të kërkojmë baballarë adoptues. Ata i gjejmë tek politika (po tek këta). Janë të vetmit që nuk bie në hall t’i gjesh në vendin tonë të vogël me halle të mëdha ku për fat të “mirë” vetëm baballarë politik gjen me shumicë: – njëqind e kacafiu Parti – njëqind e kacafiu “baballarë” – njëqind e kacafiu thika prapa shpinës së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Të rrallë i gjen shqiptarët pa teser Partie, sepse të mos kesh teser në nahijen tonë do të thotë: “të jesh njeri i pa shpresë; jeton me djersë; zotëron kapacitete intelektuale, profesionale dhe shkencore; jeton, beson dhe shpreson me dhe në idealin e konkurrencës dhe meritokracisë; e don vendin tënd; je njeri i lirë dhe njerëzit e lirë janë të gjithë të çmendur; je aq i çmendur sa beson se ky vend mund të bëhet; se vë Shqipërinë përpara Partisë…”!

Të mos kesh teser Partie do të thotë: “të mos jesh shqiptarë i zakonshëm, po një copë njeriu i mërzitshëm që ëndërron për seksin e engjëjve, që jep gjithë ditën leksione mbi etikën, moralin, rregullin, disiplinën…dhe në fund s’paguhesh që s’paguhesh. Po me atë xhaketë të vjetruar mbetesh; po me të dredhur e pin duhanin; po me transport publik udhëton; po fasule me turshi han; po në lagjen e të pastrehëve e ke kaliben ku fut në darkë kokën; po në vete, s’je…” Një popull i pajisur në masë me teser Partie është një popull që s’din ç’bëhet, kësisoj në emër të tij çfarë nuk bëhet, çfarë nuk ç’zhbëhet e zhbëhet por natyrisht si gjithmonë duke bërë gjithçka që nuk duhet bërë.

Ky është pikërisht triumfi i interesit personal dhe njëkohësh vrasja dhe shkatërrimi i interesit të përgjithshëm ku futet edhe interesi personal deri diku. Sepse një popull teserxhi është një popull i marrë peng, (është një popull që as s’i duhet gjë ky vend e as i duhet gjë këtij vendi), i marrë peng nga politika dhe politikuejt që për afro njëqind vjet kanë bërë gjithçka kanë mundur për t’a bërë këtë vend gati të pamundur. Ne nuk e meritojmë këtë! Ne nuk meritojmë të jemi peng i halleve dhe problemeve prej nesh/t’tona të pafundme.

Disa duhet të biskajnë për të drejtën, për lirinë, për barazinë e mundësitë e barabarta, për demokracinë, për të ardhmen. Koha ende nuk i ka zgjedhur, por besoj në një kohë tjetër, në një rend tjetër, jo larg natyrisht (të atyre që nuk kanë teser por në vend të tyre zotërojnë kapacitete intelektuale, shkencore, profesionale dhe diplomatike), do të triumfojë vullneti i altruizmit popullorë…(?)!!! Unë këtu do të jem, në vendin tim duke pritur e njëkohësisht duke folur e bërë gjithçka di e mundem.

Do të jem këtu duke pritur, folur e bërë gjithçka di dhe mundem, në emrin tim; në emrin tënd; në emrin e atij dhe atyre; në emrin tonë; në emrin tuaj; në emrin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve që natyrisht e dinë diçka: që s’dinë asgje se ç’bëhet e ç’zhbëhet në emrin tonë, në kurrizin tonë, në dëm të Shqipërisë! Kush është dakort me mua të ngrijë duart! Kush është me ata… le të ngrijë ç’të dojë. Tek e fundit ata edhe këmbët mbase nuk na i kanë ngritur ende! Të tjerat na i kanë ngritur e ulur sa herë kanë dashur./ Zathur.al/ 

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore, Qytetari Digjital, Rekomanduar
Dezertuan, Ministria e Mbrojtjes denoncon 4 komando në prokurori (Foto)

Close