LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Në janar të gjitha pronat e politikanëve në skaner: Meta-Berisha më të rrezikuarit e reformës, zotërojnë dhjetra milionë euro pasuri,

Në janar të gjitha pronat e politikanëve në skaner: Meta-Berisha më të rrezikuarit e reformës, zotërojnë dhjetra milionë euro pasuri,

Struktura e Posaçme Antikorrupsion duket se do të ketë shumë punë me pushtetarët shqiptarë. Janë të shumtë ata që mbrohen duke thënë se nuk kanë kryer asnjë aferë apo se nuk ka prova për emra të caktuar. Por ka një element që mund t’i fundosë të gjithë dhe ai është pasuria. Teksa SPAK pritet që të marrë jetë brenda këtij viti, do ketë dhe një zhvillim shumë të rëndësishëm.

Në vitin që vjen deklarimet e pasurisë nga pushtetarët do jenë dixhitale dhe do ketë një sistem të posaçëm për ta. Falë këtij sistemi, verifikimi i pasurisë do jetë më i lehtë, pasi aty do bëhen bilancet e të ardhurave. Po ashtu, prokuroria dhe SPAK do e kenë shumë të thjeshtë të shohin nëse një politikan ka mospërputhje të ardhurash. Gazeta ka siguruar të dhënat e zbatimit të strategjisë për reformën në drejtësi të qeverisë për 6 muajt e parë të këtij viti dhe aty jepen detaje nga sistemi që po instalon ILDKP. “Për 6-mujorin e parë, kompania zbatuese e projektit ikub-INFO e cila është përgjegjëse për pjesën e softëare të sistemit, ka përfunduar procesin e instalimit të bazës së të dhënave dhe aplikimit. Të dyja këto veprime operacionale, janë shoqëruar me asistencë teknike dhe trajnime për stafin teknik dhe përdorues të tjerë të sistemit, pjesë e stafit të ILDKPKI-së. Stafet përkatëse të ikub-INFO dhe ILDKPKI-së janë duke kryer testet e integruara të sistemit duke analizuar çdo proces dhe secilin modul të sistemit online të deklarimit të interesave private. Përdorimi i plotë i sistemit online për deklarimin e pasurive do të përfaqësojë një hap vendimtar përpara për përforcimin e regjimit të zbulimit, të transparencës dhe kontrollit efektiv të pasurisë të zyrtarëve publikë, po ashtu edhe rastet e konfliktit të interesit”, thuhet aty. Plani është që vitin që vjen deklarimet të jenë në mënyrë dixhitale dhe kjo duket se do e lehtësojë punën e SPAK.

Të rrezikuarit

Por kush janë emrat që rrezikojnë të fundosen nga pasuria. Në veting janë me dhjetra gjyqtarë që janë larguar sepse nuk justifikojnë pasurinë. Edhe në politikë ka shumë nga ata që nuk e justifikojnë dot. Mes emrave, dy më të njohurit janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Gazeta ka bërë një përmbledhje të deklarimeve të tyre ndër vite dhe rezulton se ata kanë dhjetra milionë euro pasuri. Nëse nisim me pasurinë e presidentit Meta, ajo është vërtet e lartë. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi. Por ajo që i ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi. Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Po ashtu, Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro. Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Por mister mbete vlera reale shtëpisë në Gjirin e Lalzit, e cila kushton disa milionë euro. Kjo do të thotë se pasuria arrin në dhjetra miliona euro. Shtëpia e tyre në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katror në Gjirin e Lalzit. Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrore, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën Agi-Kons shpk, si përfitues 33 % të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Edhe 13 apartamentet janë përfituar nga po kjo kompani.

Pasuria e Berishës

Sa i takon Berishës, sipas deklarimeve të bëra në ILDKP që prej vitit 2003, ka një rritje të ndjeshme të të ardhurave të familjes Berisha. Në ILDKP kanë deklaruar pasuritë Sali Berisha, bashkëshortja e tij, vajza dhe djali. Këta të fundit kanë nisur të deklarojnë pasuri që prej vitit 2008. Nëse vihet re, Berisha në deklaratën e tij të parë ka deklaruar: Apartament banimi 69 m2, përfituar nga privatizimi, zotëron 33%; Lekë kesh: 0.5 milionë lekë dhe 2.1 milionë lekë dhënë hua vajzës. Por kjo pasuri ka ndryshuar nga viti në vit. Rezulton se djali dhe vajza e Berishës kanë të ardhura shumë të larta. Ata kanë deklaruar llogari bankare brenda dhe jashtë vendit. Vajza ka deklaruar llogari në një bankë amerikane, ndërsa djali ka deklaruar llogari në një bankë suedeze. Po ashtu ata kanë blerë ndër vite makina dhe banesa të shtrenjta. Vajza ka burim të ardhurash si pedagoge në universitet publik dhe privat, po ashtu ka fitime të larta nga qiraja e dy apartamenteve, ndërsa po ashtu ka deklaruar fitime nga shitja e librave. Ndërsa djali ka deklaruar fitime shumë të mëdha nga konsulenca juridike dhe nga qiratë në disa raste. Sa i takon pronave të deklaruara, Berisha ka deklaruar fillimisht vetëm një apartament 69 m2, por pasuria e deklaruar nga fëmijët e tij është shumë herë më e lartë. Zonja Malltezi ka deklaruar 2 apartamente të dhënë me qira, më pas ka blerë 2 apartament në Tiranë dhe një në Gjirin e Lalzit. Po ashtu dhe Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka blerë makinë 85, mijë euro. Po ashtu ka deklaruar blerje apartamenti me sip. 198 m2 dhe parkingu në ETC, për vlerën 346.500 euro./Kliti Topalli

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Kush janë dy përfaqësueset e SHBA që ndoqën gjyqin maratonë ndaj Saimir Tahirit, u larguan pas ish-ministrit

Close