LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Blog . Nga “Rrëmbeni a.rmët”, tek thirrjet për konsulta, janë të gjitha thirrje për l.uftë

Nga “Rrëmbeni a.rmët”, tek thirrjet për konsulta, janë të gjitha thirrje për l.uftë

Nga Mero Baze

Presidenti ynë ka nisur të hapë llogoret e luftës.

Në fillim ka ftuar popullin shqiptar. Në një thirrje të pazakontë në historinë e ndonjë presidenti në botë, presidenti ynë bëri thirrje për rrëmbim armësh dhe ka prodhuar më shumë “meme” humori, se viktima.

Mallkimi më i madh që e ndjek atë vitin e fundit, është pikërisht fakti që nuk e marrin seriozisht, as kur flet për luftë, as kur flet për paqe, as dekreton, as kur çdekreton, as kur bën si president që mbron shtetin, as kur bën si Haxhi Qamili.

Thirrja e tij për të rrëmbyer armët, vlen të shënohet vetëm në raportin për shkarkimin e tij në Parlament, jo se nuk mjaftojnë argumentat deri më sot, por si një gjë që duhet dokumentuar.

Por pavarësisht injorimit që i bëjnë shqiptarët thirrjeve të tilla haluçinante, ato krijojnë klimë lufte dhe ndarje në llogore të shoqërisë shqiptare.

Roli kryesor kushtetues i presidentit të një vendi është të jetë faktor uniteti dhe të bashkojë sa më shumë shoqërinë rreth interesit kombëtar dhe paqes sociale, dhe jo të fusë sa më shumë shqiptarë në llogore lufte.

Në këtë aspekt, thirrja e Ilir Metës për luftë, është më e dëmshme për krijimin e një klime ndarje në shoqëri, se sa si një rrezik për formimin e “Çetës së Skraparit” kundër qeverisë kuislinge të Edi Ramës dhe pushtuesve aktualë të Shqipërisë, si SHBA, BE, Gjermani, Itali, Britani e Madhe etj..

Pas jehonës qesharake të thirrjes tragjike për luftë, Meta po ndërmer hapin e dytë, atë të futjes së ish- presidentëve dhe personaliteve të tjerë të shoqërisë në llogore.

E tillë është thirrja në një takim e gjithë ish- presidentëve të Shqipërisë. Në fakt, si rregull “pleqtë e urtë” thirren t’u merret mendje për paqe, jo për luftë.

Këtu nuk kemi as “pleq të urtë” dhe as përpjekje për paqe, por thjeshtë nevojë që Ilir Meta të mos duket vetëm në çmendurinë e tij, por të bëjë pis dhe të tjerët. Eshtë thirrje për t’i futur ish- presidentët e vendit në llogore.

Në fakt, disa prej tyre janë në llogore. Sali Berisha e përfaqëson më shumë se sa vetë Ilir Meta kauzën për luftë civile në vend dhe nuk ka nevojë të thirret si “plak i urtë” në bisedime, pasi është një plak i çmendur që po vdes nga dëshpërimi që s’po i fut dot prapë shqiptarët në luftë.

Ai është ish- presidenti që ka pasur sukses në vëllavrasjen mes shqiptarëve. Ndryshe nga Ilir Meta, ai në vitin 1997, nuk bëri thjesht thirrje “Rrëmbeni armët”, por i mobilizoi shqiptarët në Veri me armë në dorë kundër Jugut. Dhe vrau 3 mijë shqiptarë.

Ai nuk ishte qesharak si Ilir Meta në atë që bëri, por barbar. Dhe s’ka nevojë ta thërrasësh në bisedime për këtë çështje, se është babai i vëllavrasjs në vend.

Për Buajr Nishanin nuk besoj se ka njeri nevojë për mend në këtë vend, por Meta ka nevojë për një karrige të zënë nga një kapter, që është gati çfarë do komandanti.

Të tjerët janë presidentë normalë. Mund të shkojnë ose të refuzojnë, në varësi të integritetit të tyre apo inateve politike, por çfardo shkuarje atje është ikje nga neutraliteti dhe serioziteti që duhet të ketë një ish- president, dhe futja në llogoren e një çmendine

E njëjta gjë janë ftesat e tij për ish- ministra të Drejtësisë apo personalitete të tjera. Ai nuk po i thërret ata nga nevoja për konsesues, por si rekrutë të një lufte personale, e cila me gjithë dëshirën e tij që të kthehet në një luftë vëllavrasëse, nuk po i ndez.

Ashtu si thirrja “Rrëmbeni armët”, edhe ftesat për “ish”-ët apo personalite të tjera, janë thirrje për t’u futur në llogoren e Ilir Metës, ku ai e ndjen veten përditë e më shumë të braktisur, të injoruar dhe të përçmuar.

Tani ka filluar ta besojë vërtet makthin e Allendes dhe mendon që kur “përmbaruesit” të shfaqen në oborr, të mos jetë vetëm.

Loading...
More in Blog
Ilir Meta dhe rruga e katërt e shqiptarëve!

Close