LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ngjela: Meta më mirë të dorëzojë pasurinë, e emëroi Muçin në Kushtetuese për të bllokuar shkarkimin!

Ngjela: Meta më mirë të dorëzojë pasurinë, e emëroi Muçin në Kushtetuese për të bllokuar shkarkimin!

Emërimi i Besnik Muçit anëtar në Gjykatën Kushtetuese, për avokatin Spartak Ngjela është një tentativë e dëshpëruar e presidentit Ilir Meta për të bllokuar shkarkimin. Pak ditë më parë, kreu i shtetit mes 4 kandidatëve zgjodhi Besnik Muçin për në Kushtetuese, ndonëse ky i fundit nuk i ka mbyllur ende hesapet me vetingun. Kjo lëvizje e Metës dha sinjale se ai po tenton të bllokojë gjykatën, në mënyrë që të zvarrisë procesin e shkarkimit të tij.

Por sipas avokatit, kjo është një lëvizje e dështuar, pasi shkarkimin e Metës nga posti i presidentit e ka në dorë SHBA dhe anëtarët e rinj janë pro forcave amerikane. Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela u shpreh se Meta duhet të dorëzojë pasurinë që ka vënë gjatë këtyre viteve dhe të mos tentojë asnjë lëvizje tjetër. “Ai është në hall. Ai kërkon të shpëtojë shkarkimin përmes gjykatës, por e ka të kotë. Shkarkimi i Metës drejtohet nga të huajt dhe jo Muçi të shkoj atje, por të gjithë të shkojnë është ekspertizë ndërkombëtare. Kjo është një përpjekje e dëshpëruar e Metës sepse ka qenë një forcë antiamerikane dhe tani ka frikë. Kujton se mund tia hedhë me këta që merr, po kush guxon ta shkelë ligjin nga këta gjyqtarë. Amerika e ka në dorë Muçin se nëse ai e luan bishtin e kalon në veting. Askush nuk mund të bëjë më lëvizje kundër Shqipërisë. Meta ka marrë rrugët dhe bën mirë të dorëzojë atë pasurinë dhe mos bëjë më nga këto lëvizje”, u shpreh avokati në reagim për gazetën.

SHBA mbështet Shqipërinë

Po ashtu, nëpërmjet një analize të detajuar në rrjetet sociale avokat Spartak Ngjela komentoi edhe prapaskenat që fshihen pas “JO” të Francës për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas Ngjelës, Serbia, Rusia dhe së fundmi edhe Franca po synojnë ta orientojnë Shqipërinë drejt Lindjes dhe ta largojnë nga Europa dhe politikat amerikane. “Asnjëherë serbët nuk janë njohur për brilancë mendjesh politike. Presidenti francez, si përherë edhe kësaj radhe, besoi në përrallat serbe dhe ia dha mundësinë Serbisë dhe Rusisë për të qenë kundër Amerikës në Ballkanin Perëndimor. Kurse Uashingtoni u ndie i fyer, ai po kërkon me ngulm që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Ky duhet të ketë qenë shkaku kryesor, sepse, për afrimin e jashtëzakonshëm që po ka politika amerikane me Shqipërinë, Franca, Spanja dhe Holanda ndihen shumë keq. Një botë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, 97 për qind proamerikane, i shqetëson këto vende për të ardhmen e afërt, asnjë francez nacionalist i vjetër nuk e pranon dot fuqinë amerikane në shkencë, në ligj dhe në ide”, tha Ngjela.

Frika nga drejtësia e re

Sipas avokatit, shqetësim është edhe reagimi i opozitës shqiptare, e cila u duk se u kënaq nga mos-hapja e negociatave. Ngjela thekson se pikërisht të korruptuarit janë gëzuar nga ky vendim pasi i tremben drejtësisë së re. “E patë si u gëzua opozita jashtëparlamentare për moshapjen e negociatave për Shqipërinë? Janë fëminorë në politikë, me Beogradin do ta mundin këta politikën amerikane në Shqipëri?! Në fakt, janë të falimentuar dhe po shkojnë drejt shpronësimit për pasuritë e paligjshme që kanë vënë duke qenë në pushtet, por janë ndërkohë edhe drejt akuzës penale, prandaj shpresojnë. Realisht, janë të trembur. I tremburi nuk sheh dot larg këmbëve të tija. Kjo është arsyeja fëminore e gëzimit opozitar. Jeta është e shkurtër për të gjithë, por për të tremburin, ankthi është absolut. Të gjithë këta të gëzuar me aktin francez kundër Shqipërisë, janë të pushtuar nga ankthi i likuidimit për korrupsion”, tha Ngjela. /Elisjeda Kiko

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Plas në KLP: Besnik Canin, prokurori i listës së zezë së ONM bllokon vendimin për SPAK

Close