LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Nis kontrolli i misioneve të FMN me Bankën Botërore

Nis kontrolli i misioneve të FMN me Bankën Botërore

Paketa fiskale që do të shoqërojë buxhetin e vitit të ardhshëm do të marrë më së fundi miratimin e FMN për të kaluar më pas për diskutim me grupet e interesit.

Një praktikë e tillë ende nuk dihet sesa efikase do të jetë, në një kohë kur që në fillimet e saj, qeveria është shprehur se do të dëgjojë zërin e komunitetit të biznesit duke ngritur edhe një Këshill Ekonomik Kombëtar nën sloganin “Për një politikë të re ekonomike dhe fiskale”. Sa do të dëgjohet zëri i biznesit pas “vulosjes” nga FMN të kësaj pakete? Duhej më parë që ky dokument të debatohej me sipërmarrjen dhe më tej ekspertët e Fondit të “limonin” kërkesat e biznesit? Gjatë ditëve të fundit grupet e interesit kanë paraqitur disa kërkesa për t’u marrë parasysh nga Ministria e Financave në paketën fiskale, por deri më sot nuk ka ende asnjë përgjigje.

Gjithsesi, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë mbërritur në Ministrinë e Financave ku menjëherë nisën takimet, fillimisht me drejtorët e Borxhit, Buxhetit dhe Politikave Fiskale, për t’u njohur më në detaje me këtë paketë. Gjithashtu, në ditën e parë takime do të zhvillohen edhe me ministrin e Financave dhe kryeministrin. Mendohet që nesër do të ketë një draft përfundimtar të paketës fiskale, e cila më pas do të diskutohet me grupet e interesit, kryesisht organizatat e biznesit. Por, krahas diskutimeve për termat e buxhetit të vitit të ardhshëm dhe paketës fiskale, do të diskutohet edhe për vendosjen e një marrëveshje të re mes FMN dhe qeverisë shqiptare.

Gjithashtu, do të diskutohet edhe për mundësinë e marrjes nga ky institucion financiar i një shume të konsiderueshme për të paguar borxhin që qeveria i ka biznesit për punë dhe shërbime publike tashmë të kryera. Misioni i FMN-s do të qendrojë në vendin tonë deri më 17 Dhjetor, ditë kur do të mbahet edhe një konferencë për mediat nga kreu i Fondit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. (Marrë nga Shqiptarja.com)

Loading...