LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Paralajmëron betejë deri në fund kundër shkarkimit: Presidenti ndryshon mendje për dorëheqjen! A po e tremb reforma Metën?!

Paralajmëron betejë deri në fund kundër shkarkimit: Presidenti ndryshon mendje për dorëheqjen! A po e tremb reforma Metën?!

Presidenti Ilir Meta nuk do të japë dorëheqjen pavarësisht se Komisioni i Venecias konkludoi se ai ka shkelur Kushtetutën. Pak ditë më parë, në një studio televizive, presidenti deklaroi se nuk do të qëndronte asnjë ditë në Presidencë nëse Venecia e gjente me shkelje. Por dje, Meta reagoi për herë të parë, mbi raportin paraprak, ku deklaroi se nuk largohet nga zyra. “Si mund ti trembet Venecias, Luani i Artë i Venecias, të paktën për këtë vit.

Të jeni të sigurt se Luani i Artë i Venecias për këtë vit, do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik”, u shpreh presidenti i vendit, Ilir Meta. Meta tentoi të bëjë ironi duke qenë se u dekorua me Luanin e Venecias pak kohë më parë, por tërheqja nga dorëheqja ngre dyshime. Pse trembet presidenti? Pse nuk dorëzon Presidencën dhe të marrë frenat e opozitës? Nga zërat në korridoret e politikës ka dy elementë: Ose Meta ka arritur të bëjë për vete disa deputetë për të pamundësuar 94 vota, ose i trembet drejtësisë. Ka shumë që e akuzojnë se do jetë objekt i SPAK dhe përsa kohë do qëndrojë në Presidencë është i mbrojtur. Por si e ka pritur presidenti vendimin paraprak të Venecias? Meta u shpreh dje se e gjitha kjo çështje nuk e shqetëson, pasi u shpreh i bindur se nuk ka kryer asnjë shkelje. “Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president. Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias. Presidenti i Republikës ka bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik”, sqaroi presidenti.

Duke dashur të largojë vëmendjen nga premtimi i dorëheqjes, Meta deklaroi se nuk ka rëndësi opinioni i Venecias, por integrimi. Po ashtu, ai në një farë mënyre la të kuptohet se është duke pritur datën 11 tetor, kur dhe do miratohet opinioni i Venecias. “Askush të mos lodhet dhe të mos merret me datën 11. Nuk ekziston data 11. Data 11 ekziston për ata që duan të zgjasin krizën, ta thellojnë atë dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera. Për presidentin Meta ka vetëm një datë të rëndësishme, data 18, në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi të ecë drejt çeljes së negociatave dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që janë të qarta dhe që nuk duhet të shtohen më. Apeli im është që të gjithë të përqendrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj, të cilat janë të shenjta për mua”, tha Meta. Dy ditë më parë, u publikua vendimi paraprak i Komisionit të Venecias, ku thuhej se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shkelur Kushtetutën. Sipas tij, ai nuk ka kompetencë për të anuluar zgjedhjet./ Ornela Celpica

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Reagon komisioni hetimor për raportin e Venecias: Interpretimet na takojnë ne, do veprojmë sipas ligjit

Close