Home . Politike . Partitë që mund të përbëjnë opozitën e re…nëse s’merr pjesë PD

Partitë që mund të përbëjnë opozitën e re…nëse s’merr pjesë PD

Me skadimin e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit, në horizont shfaqen disa skenarë të mundshëm politikë, për realizimin e të cilëve, faktor përcaktues, do të jetë raporti i Partisë Demokratike me zgjedhjet e përgjithshme.

Konkretisht, pjesëmarrja e Partisë Demokratike në zgjedhje do të përcaktojë edhe finalizimin e koalicionit PSLSI­PDIU.

Nëse partia më e madhe në opozitë do të tërhiqet nga rruga e bojkotit, duke marrë pjesë në zgjedhje, ky zhvillim do të detyronte grupet politike të ndryshonin Kodin Zgjedhor, për të krijuar një bazë të re ligjore, për regjistrimin e partive opozitare në zgjedhje. Një skenar i tillë, logjikisht do të çonte edhe në krijimin e një hapësire ligjore për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje.

Në kushte të tilla, pas regjistrimit të koalicionit të djathtë, do të regjistrohej edhe koalicioni i majtë, me bosht kryesor PS-­LSI-­PDIU. Si kryetari i PS, Edi Rama, ashtu edhe kryetari LSI Ilir Meta kanë deklaruar vullnetin për rikonfirmimin e koalicionit.

Por, mungesa e një kundërshtari në zgjedhje, në rastin konkret të PD, do ta bënte koalicionin PS­-LSI të panevojshëm dhe të pakuptimtë. “Koalicioni PS me LSI nuk është gjëkundi problemi ynë, por bëhet fjalë për një sforco për të krijuar një mundësi për opozitën zyrtare”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama.

Skenari në fuqi

Aktualisht po zbatohet një tjetër skenar, ai i zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare pa Partinë Demokratike. Në kushtet kur palët duken ende larg gjetjes së një zgjidhjeje që do të mundësonte përfshirjen e opozitës në procesin zgjedhor, Partia Socialiste, L֝ëvizja Socialiste për Integrim, PDIU etj., do të garojnë të ndara në zgjedhjet e 18 Qershorit.

Në mungesë të një kompromisi me PD dhe në kushtet e djegies së afatit për regjistrimin e partive dhe të koalicioneve, të gjitha partitë e regjistruara në zgjedhje, do të garojnë më vete, ku secila do të luftojë kundër të gjithave, për të maksimalizuar vendet e saj në parlamentin e ri shkruan shqiptarja.com. Dhe procesi po ecën me shpejtësi në këtë rrugë. Rreth 40 parti politike janë regjistruar në zgjedhje. Data për regjistrimin e koalicioneve ka skaduar mbrëmë.

Nëse nuk do të ketë një kompromis të politik në ditët në vijim, secila nga këto parti do të ketë kundërshtare të gjitha paritë e tjera. Në këtë kuadër, kreu i LSI, Ilir Meta, ka dhënë dje një mesazh të qartë. “Për mua është e rëndësishme që të jenë sipas standardeve dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë”, tha Meta.

Rreziku për PD

Nga dinamika e zhvillimeve të deritanishme, aktori i vetëm pa rrugëdalje politike mbetet Partia Demokratike. Nëse Lulzim Basha nuk shfrytëzon një mundësi për të marrë pjesë në zgjedhje, pas datës 18 Qershor, Partia Demokratike do të humbasë edhe statusin e opozitës në Shqipëri. Shpresat e PD se, një parlament i dalë nga një palë zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës do të jetë jetëshkurtër mund të kthehen në iluzione, për shkak se SHBA dhe BE, janë pozicionuar hapur kundër këtij skenari.

Po kush mund të jenë partitë që mund të përbëjnë opozitën e ardhshme? Sipas këtij skenari, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU, partia e Ben Blushit dhe e Gjergji Bojaxhi mund të shndërrohen në opozitën e nesërme.

Mos humbisni:
Perlat e njeriut të Koço Kokëdhimës në Vlorë, me precedent penal në Itali (Video)

Close