LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Pas kërkesës, reagojne ndërtuesit: S’ia shesim Entit banesat

Pas kërkesës, reagojne ndërtuesit: S’ia shesim Entit banesat

Shoqata e Ndërtuesve bën me dije se kompanitë nuk janë në gjendje t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së Entit Kombëtar të Banesave për ofrimin e apartamenteve me çmime të ulëta, për të mbuluar nevojat e të pastrehëve. Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Shoqatës, Maksim Muçi, kjo pasi kostot e ndërtimit të kompanive janë shumë larg çmimeve prej 33 mijë deri 35 mijë lekësh që ofron Enti i Banesave për blerjen e këtyre apartamenteve. “Çmimet që ofron Enti Kombëtar i Banesave për të mbuluar nevojat për të pastrehët shkojnë nga 33 mijë deri 35 mijë lekë, ndërkohë që apartamentet më të lira që zotërojnë kompanitë nisin nga 390 euro. Diferenca mes asaj që kërkon enti dhe asaj që ofrojnë ndërtuesit është shumë e madhe”, – thotë për “Gazetën Shqiptare”, Maksim Muçi.

Apartamentet stok
Sipas të dhënave të Shoqatës së Ndërtuesve, në fillim të vitit të shkuar, stoku i apartamenteve të pashitura në shkallë vendi vlerësohej rreth 12 mijë. Pjesa dërrmuese e tyre gjendet e përqendruar në qytete turistike, ku pati një bum ndërtimesh. Sipas shoqatës, rreth 5 mijë janë në Vlorë, rreth 2500 janë në Sarandë, rreth 300 në Korçë, rreth 4500 në Durrës. Në Tiranë, për sa i përket zonës së Bashkisë së Tiranës stoku i apartamenteve të pashitura është i vogël, ndërkohë që në zonat përreth stoku vlerësohet i madh. Gjithsesi, pavarësisht vështirësive të mëdha nëpër të cilat po kalon sektori i ndërtimit, ashtu si dhe stokut të konsiderueshëm të apartamenteve, zor se mund të gjenden firma që të shesin nën kuotën e 390 eurove për metër katrorë. “Nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjë firmë të vendosë të shesë ndonjë apartament me çmimet e ofruara nga Enti, gjithsesi bëhet fjalë për ndonjë firmë në nevoja urgjente për likuiditet. Por edhe në raste të tilla, bëhet fjalë për shitjen e një apo dy apartamenteve, kurrsesi për shitje masive”, – sqaron Muçi.

Negociatat
Maksim Muçi konfirmon lajmin e dhënë nga Enti për nisjen e negociatave për blerjen e apartamenteve me kosto të lirë. Por sipas tij, propozimet e ndërtuesve janë orientuar më së shumti nga ofrimi i ekspertizës dhe burimeve të tyre për ndërtimin e banesave të lira sesa për shitjen e tyre me çmime të ulëta. “Jemi në negociata me Entin për të gjetur rrugët e bashkëpunimit në kërkim të mënyrave për të ndërtuar me kosto të ulët. Gjithashtu nga ana jonë i është ofruar ekspertiza, bashkë me burimet njerëzore e teknike që zotërojmë ne, për të bërë të mundur ndërtimin brenda kufijve të çmimeve në të cilat operon Enti. Një mënyrë shumë e mirë do të ishte ndërtimi nëpër troje në zotërim të shtetit, të cilat do të ulnin ndjeshëm kostot, pasi blerja e truallit është një prej zërave më të kushtueshëm e që rrit ndjeshëm çmimet e apartamenteve”, – shpjegon Muçi.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Ramos “pastron” kartonat, gati për klasiken
Close