LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Pas skandalit të PD me lobimet, zbardhen masat e qeverisë për të verifikuar fondet e partive

Pas skandalit të PD me lobimet, zbardhen masat e qeverisë për të verifikuar fondet e partive

Teksa paralelisht prokuroria po heton për këtë çështje dhe e ka thirrur dy herë Bashën për të dhënë llogari, qeveria ka vendosur që të marrë masa për të verifikuar fondet e partive, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten. Në strategjinë ndërsektoriale të korrupsionit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë përcaktohet se mbi partitë politike do të kryhet një auditim i jashtëm për të parë se cilat janë financimet që kanë pranuar ato. Përmes kësaj mase, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do t’i jepet një rol kontrollues më i fortë. “Regjimi kontrollues për financimin e partive politike kërkon para së gjithash përfundimin e raporteve të auditimit të jashtëm mbi financimet e pranuara nga secila parti politike. Ky vlerësim i jashtëm i nivelit të parë do të forcojë rolin kontrollues efektiv të KQZ-së dhe besueshmërinë e analizës së nivelit të dytë të kryer nga institucioni. Ky tregues do të tregojë nivelin e transparencës në financimin e partive politike. Duke e matur këtë indikator/tregues, KQZ do të ketë mundësinë të propozojë rekomandime për ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin “Për Partitë Politike””, thuhet në raport. Gjithashtu, qeveria i ka vendosur si synim vetes që gjatë viteve 2019-2020-2021-2022 dhe 2023 të kryejë trajnim me financiarët e partive e të ngrejë një strukturë të posaçme në KQZ për audituesit ligjorë. “Masat: Trajnim me financierët e partive, strukturën e posaçme në KQZ, audituesit ligjorë; Ngritja e kapaciteteve profesionale për personat përgjegjës që kontrollojnë financimin e partive politike; Ngritja e një strukture të posaçme në KQZ; Trajnim dhe ngritje kapacitetesh për strukturën përgjegjëse”, citohet në strategjinë ndërsektoriale.

Dështimi i KQZ

Në strategjinë ndërsektoriale kundër korrupsionit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë përmendet edhe dështimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me evidentimin e shkeljeve nga partitë politike. Sipas raportit, KQZ nuk ka vendosur asnjë sanksion gjatë 2017. Për ta përmirësuar këtë, qeveria ka planifikuar që të thjeshtojë raportimin financiar dhe të përmirësojë procedurat për kontrollin e financave të partive. Këto ndryshime pritet të bëhen pjesë edhe e Kodit Zgjedhor. “Nga auditimi i fondeve të partive politike për vitin kalendarik 2017, nuk u vendos asnjë sanksion. Amendimi dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor të miratuar dhe Ligjit për Partitë Politike, si dhe aktet nënligjore në përputhje me rekomandimet e BE dhe Vlerësimi i Kuadrit AK (ACFA), do të rezultojnë në: thjeshtimi i raportimit financiar dhe kërkesave të auditimit, raportimi dhe publikimi i raportit financiar të KQZ-së; masat për krijimin e strukturës përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e pavarur të raporteve të auditimit; Përmirësimet e procedurës së brendshme dhe përgjegjësitë e qarta të stafit të KQZ-së për të kontrolluar financimin e partive politike”, thuhet në raport. Nga ana tjetër, qeveria ka vendosur të kryejë edhe trajnime për përdorimin e raporteve të miratuara dhe të sqarojë detyrat e stafit të KQZ për kontrollin e financimit të partive politike. /Mimoza Ibra

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close