LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Përplasjet PS-LSI për punësimet, zbulohen drejtorët që refuzojnë largimin dhe emrat e dorëhequr

Përplasjet PS-LSI për punësimet, zbulohen drejtorët që refuzojnë largimin dhe emrat e dorëhequr

Përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim sa i takon reformës në administratë, sa vijnë e shtohen. Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar spastrimin e administratës nga militantët e partisë së Ilir Metës, por në disa zona ky urdhër duket se nuk është zbatuar.

Gazeta ka bërë një kërkim të detajuar dhe rezulton se në disa qytete të ndryshme të vendit, janë shumë drejtorë që vijnë nga radhët e LSI të cilët refuzojnë të dorëhiqen, ndërsa disa të tjerë janë larguar me dëshirë apo edhe janë transferuar diku tjetër. Kështu, në qytetin e Sarandës edhe pse janë përcaktuar kandidatët socialist për rokadën e drejtuesve të ndërmarrjeve dhe institucioneve në përgjithësi, deri sot rezulton se janë zëvendësuar vetëm drejtuesit në dy-tre ndërmarrje.

Konkretisht, drejtori i DRSHTRR, Everton Shehu, i cili është i LSI, u zëvendësua nga përfaqësuesi i PS, Elton Dauti. Ndërsa përgjegjësi i burimeve njerëzore në spitalin e Sarandës prej më shumë se tetë vitesh përfaqësuesi i LSI-së, Luftar Hasanllari, vijon ende në detyrë. Nga ana tjetër, është shkarkuar drejtori i EIVEP (Paraburgimit Sarandë) i cili ishte i LSI-së, ndërsa është emëruar Dashamir Mustafaraj. Po ashtu, një tjetër qëndrestar i LSI-së që vijon punën, është drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit , Gjergji Mano.

Madje skandali thellohet se edhe pse Mano, është njoftuar për largim ende nuk është larguar, pavarësisht se në vendin e tij është vendosur një person nga Delvina me mbiemrin Zhonga, por që ndërrimi nuk është kryer ende. Gjithashtu mësohet se është shkarkuar zv/drejtori Portit Detar, Delfin Hajno, i cili ishte i LSI, ndërsa në vendin e tij është emëruar një person nga radhët e PS-së. Sakaq, drejtoresha e shkollës 9 vjeçare “Adem Sheme”, Anila Veli e LSI-së, është larguar si drejtuese, ndërsa në vend të saj, është emëruar socialisti, Resmi Sali. Gjithashtu, zv/drejtoresha e Shkollës 9 vjeçare “9 tetorit”, Kristina Gurma e LSI-së, është larguar nga ky post. Po ashtu është larguar nga detyra edhe zv/drejtor i shkollës “9 Tetori”, Ilir Shabani, edhe ky përfaqësuesi i LSI-së.

Ja kush janë “qëndrestarët” e LSI në Vlorë

Në qytetin e Vlorës, vijon të mbetet e njëjta situatë ku disa drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë sfiduar kryeministrin Edi Rama duke qëndruar në detyrë. Kështu, drejtuesi i zyrës së Shërbimit të Provës, Taulant Korkaj, i cili vjen nga radhët e LSI-së, është ende në detyrë. Ndërsa Alketa Selami, drejtoreshë e konvikteve në universitetin “Ismail Qemali”, refuzon dorëheqjen. Kurse drejtori i Rrugëve, Artan Liçaj është dorëhequr. Ndërsa në qytetin e Leskovikut, refuzon të dorëhiqet administratori i komunës qendër, i cili është përfaqësues i LSI-së.

Nisin përçarjet brenda LSI

Reforma në administratën publike nisur nga qeveria, ka futur në krizë të thellë LSI, sidomos në bashkitë e drejtuara prej saj. Edhe pse fillimisht gjithë krerët më të lartë të LSI në unison, u premtuan njerëzve të tyre se në rast shkarkimi do t’i mbështesnin për të fituar gjyqin, si dhe do t’i fusnin në punë në bashkitë e drejtuara nga kjo parti, nuk ka ndodhur aspak kështu.

Mësohet se në të gjitha bashkitë e drejtuara nga LSI, kanë nisur përçarjet mes anëtarëve të kësaj partie, për vetë faktin se këta të fundit nuk janë mbështetur, duke u riintegruar në punë. Ndërsa një tjetër arsye pse ka nisur kjo krisje, është se anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim janë të pakënaqur jo vetëm me kryetarët e bashkive, por edhe me kryetaren Monika Kryemadhi, e cila nuk ka folur asnjëherë në lidhje me shkarkimet e militantëve të LSI-së. Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se si do shkojë kjo “luftë” brenda LSI-së.

Loading...
More in Aktualitet, Sociale
VIDEO/ Vajza tenton të shqyej me gjithë forcë derën e qelisë, por thyen këmbën

Close