Home . Aktualitet . Përse e kthyet Hushin në “prush”, kur zjarre kemi boll?!

Përse e kthyet Hushin në “prush”, kur zjarre kemi boll?!

Nga Anri Bala

Zjarret që po shkrumbojnë Shqiprinë janë të “mirëpritur”! Zjarre aksidentale, zjarre për t’u djegur, zjarre për tu fikur, zjarre edhe me “fjalë flakë”. E ç’na duhet Shqipëria? Këtu nuk jetohet, sepse ka një klasë politike të poshtër, kriminale, një juntë që votohet dhe nuk e merr pushtetin me dhunë.

Ndaj për hirë të saj, ta djegim dhe pastaj ta braktisim këtë vend që të turpëron, që të vijnë grekët dhe serbët ta “mbjellin e lulëzojnë” dhe ne duhet të mos e kthejmë më kurrë kokën mbrapa, që mos e shikojmë se i’a punuam… i’a bëmë gati.

Çfarë poshtërsie dhe urrejtie, me një arsye turpëruese: Me mllefin kundër të gjithëve, sepse “piromanët” e çdo gjëje, nuk e gjetën veten në paaftësinë e tyre!

Të ikim thotë njëri, që qenka i mërzitur, sepse atdheu si ka dhënë atë që donte, jo për gjë… por nuk e meritonte. Të ikim thotë një tjetër, i rrëzuar nga karrigia e bollëkut, e që nuk mund të pajtohet me rrëzimin… që e meritonte. Të ikim sa më larg, për të ruajtur plaçkën (që ia dhe pushteti i pamerituar) dhe mos i’a pafshim sytë këtij vendi, ulëret një palaço tjetër i frikësuar, që natyrisht e di, që nuk do ketë vend më këtu për sojin e sorrollopin e tij.

Ka boll “ikanak” në këtë vend dhe do bënin mirë të largoheshin sa më shpejt, që të mos na ndotin ajrin! Le ta realizojnë ëndrrën që u ka ngelur peng në botën e lirë, aty ku shtrydhen mirë! Të gjithë ju, që doni të ikni nga sytë këmbët, të paktën të na kurseni fyerjet, duke u ndjerë të turpëruar se jeni bashkombasit tonë. Nuk po gaboj duke menduar se e keni me ne, që nuk i’u besuam, me popullin “budalla”, e sa për klasën politike, ajo nuk ka ardhur nga qielli, por e kemi zgjedhur dhe përkëdhelur, edhe ju edhe ne.

Nëse e keni me politikanët, e keni me veten tuaj, me shokët, miqtë, tallësit dhe besëprerët tuaj, që disa i’u larguan nga ajo klasë dhe disa nuk i’u pranuan. Jeni të lexueshëm deri në transparencë. Ju që nuk mund të jetoni në këtë vend, si prerje të një kallëpi me ta, a s’më thoni, se përse janë dakord patozët me hushët?!

Vërtetë e kanë harruar se kanë qenë dhe janë të damkosur si përfaqësues të asaj klase politike, që i ka tronditur kaq shumë “kandidatët e vjetër”, që u munduan shumë të futeshin në radhët e tyre? Apo i lidh i njënjti hall: Mos arritja e qëllimit politik, duke i besuar politikanit më të përfolur shqiptar, për gjëmat dhe bëmat që i ka bërë kësaj Shqipërie, me republikanët e çadrës, ndërsa miqtë poltikan si çadrist të diskutueshëm që i hodhën në rrugë, pa i pyetur as për emrin, që i’a u kishin harruar?

Keni të drejtë, qani hallet e njëri tjetrit në FB, se populli shikon dëgjon dhe gjykon… jeni të testuar. Nuk kam asgjë me ju personalisht, por për të “zezat” që ka Shqipëria, sipas jush nga shteti i kapitalit. Ju e dini se kapitalizmi është i egër, ku njeriu për njeriun është ujk, ndaj mos vini kujën dhe mos u trembni nga kafshimi i “miqve”.

A e dini ju hushër dhe ju “vullkanvjellës” të flakës dhe të zjarrit, për të djegur gjithçka, se Shqipëria ka nivelin më të ulët të krimit kundër personit për frymë popullsie në Europë? Si nuk ndjeheni mirë, kur në Shqipëri shkëmbehen miliona para në mes të rrugës dhe nuk të kërcënon askush?! Si nuk ndjeheni mirë kur shikoni një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e 20 viteve më parë?! Si nuk gëzoheni kur shikoni, se si një vend i dalë nga humnera, po bëhet strehë e qindra mijëra turistëve nga e gjithë bota?! Si nuk ndjeheni mirë, kur në Shqipëri mund të ecësh rrugëve dhe qosheve në çdo orë, pa tu dridhur qerpiku, femër apo mashkull qofsh, sepse askush nuk të thotë as shëndet dhe as plaç?!

Andej nga “shëtisni” ju, vërtetë nuk e dini se në zona të tilla të qyteteve europiane dhe amerikane, do të guxonte kush e “hush” të qarkullonte kaq lirshëm?! Vërtetë Shqipëria nuk ka mundësi të i’u ofroi jetën amerikane apo australiane, por ky vend të ofron shumë më tepër gjëra, që askund nuk mund t’i gjeni, aromën e atdheut dhe “mirëmëngjesin” e të njohurve dhe të panjohurve.

Vërtetë doni të na bindni, se në parajsat tuaja nuk ka prostitucion, vjedhje, grabitje, drogë dhe krime nga më monstruozet si në Itali, Gjermani, Kanada apo Amerikë?! Seriozisht mendoni se i kem droguar ne grekët, italianët, gjermanët, francezët, e gjithë ata që kanë me dhjetra vjet që drogohen, duke na hedhur “blozën” e tyre mbi hallet tona?!

Jeni të pashpresë atje ku jetoni! Nuk e pranoni dhe do thoni se nuk jemi dashakeq, por e kemi me ata të “poshtrit”, që nuk ikin “emigrant” si ne dhe të na e lënë vendin ne, “pasunarëve” të emigracionit, që ta provojmë derisa t’i vemë flakën. Nuk më çudisni! Prushi i juaj i ndezur prej “dashurisë” së madhe për atdheu, e prej turpit që ndjeni prej të qënurit shqiptarë, nuk do të shuhet lehtë… nga “plaçka” që i’u a kanë marrë.

Kështu siç shpifni dhe villni, meritoni një parti komuniste, se vetëm diktatura nuk i kishte “veset e poshtra” të kapitalizmit: Kishte shtetin, që i’u garantonte punë të gjithëve për një copë bukë, ose burgun dhe plumbin nëse kaloje telat me gjemba të atij shteti. Nëse doni këtë… kërkojeni e ndërtojeni atje ku jeni, sepse ne nuk e duam dhe do na vijë ne turp, që ju kemi bashkëkombas?!

E di, që shumë kush do më quaj të marrë, e se po flas pëçartë, por nuk jam i tillë. Jam i sinqertë dhe i drejtëpërdrejt për të gjithë ata husha, që thonë se janë të frikësuar dhe shajnë e fyejnë çdo qytetar, për ta trembur dhe shtyrë, që ose të bëjë një 97-të të dytë ose të largohet nga sytë këmbët nga ky vend.

Ata thonë se janë të friksuar, por në të vërtetë janë të zhgënjyer, kur e kanë provuar veten dhe kanë rezultuar se nuk vlejnë për asgjë, perveçse për një dhunti që i’u ka falur perëndia. Nëse dikush sfilon bukur, pozon bukur, këndon bukur apo mashtron bukur, nuk do të thotë se mund të bëj shumë gjëra bukur. Nuk mendoj se Zoti ka qenë aq shpirtmadh sa t’u ketë dhënë juve hushave gjithçka me shumicë, ndaj bëni atë që dini të bëni… lereni orakullin, sepse vërtetë jeni duke u gabuar.

Vërtetë, Shqipëria nuk është ajo që doni ju, të përkëdhelurit nga fati, e as ashtu siç e doni ju, grabitqarë të kthyer pas shumë vitesh, për t’i çarë zemrën dhe pirë gjakun! Por ta dini mirë, se Shqipëria do jetë shumë më e mirë pa ju, që turproheni nga ne, vetëm sepse ndjehemi shqiptarë.

Kurrë mos u kthefshi për të ndezur prushin e urrejtjes dhe të konfliktit! Nuk e kam me Hushin por më hushët, ata që duan të ndezin flakë me prushin, që do kohë të shuhet në këtë vend, për inatet, mllefet dhe qejfmbetjet e tyre./Zathur.net

Mos Humbisni:
Durrës, çmimet bien në mënyrë drastike, banesa me 10 euro nata

Close