LAJMI I FUNDIT
Home . Antagonizem . Presidenti në panik nga shkarkimi! Lobime dhe takime të dyshimta në Komisionin e Venecias

Presidenti në panik nga shkarkimi! Lobime dhe takime të dyshimta në Komisionin e Venecias

Presidentit Ilir Meta duket se i ka hyrë frika në palcë nga nisma e mazhorancës për të shkarkuar nga detyra. Teksa të gjithë i kanë sytë tek raporti i Komisionit të Venecias, Presidenti Meta ka bërë një lëvizje befasuese duke shkuar në Strasburg, aty ku ndodhet edhe selia e Komisionit të Venecias. Ditën e djeshme kreu i shtetit ka takuar Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.

Lajmin e takimet e lajmëroi Presidenca në faqen e saj zyrtare, e cila bëri me dije se Meta i dorëzoi Presidentit Buquicchio raportin e përgatitur për Komisionin e Venecias, ndërsa gjithashtu i shprehu vullnetin për bashkëpunim të plotë për çdo çështje apo paqartësi që lidhet me të. “Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio. Presidenti Meta i dorëzoi Presidentit Buquicchio raportin e përgatitur për Komisionin e Venecias dhe i shprehu vullnetin për bashkëpunim të plotë për çdo çështje apo paqartësi që lidhet me të”, njoftoi Presidenca. Por fakti që Presidenti Ilir Meta është takuar personalisht në Strasburg me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, të cilit i ka dorëzuar raportin, në një kohë që i njëjti raport është në duart e anëtarëve të Venecias, tregon se ai është në panik nga shkarkimi. Kështu që, duke qenë se i frikësohet një vendimi negativ që “Venecia” pritet t’i dërgojë Kuvendit, Meta ka nisur lobime të fuqishme, në mënyrë që t’i shpëtojë shkarkimit. Ndërkohë, ajo që e vërteton më së miri se vizita e kreut të shtetit në Strasburg nuk ishte për punë, sikundër pretendon Presidenca, por për “lobim”, është fakti se në të gjitha eksperiencat që Komisioni i Venecias ka pasur me institucione shqiptare, korrespodencat dhe komunikimin me njëri-tjetrin e kanë bërë përmes postës apo në rrugë elektronike dhe jo me takime.

Takime të dyshimta në Komisionin e Venecias

Interesant është fakti se takimi i Presidentit Ilir Meta me kreun e Komisionit të Venecias ishte një takim i dyshimtë e provon fotoja e hedhur nga Presidenca. Në postimin e Presidencës vihet re një detaj që nxjerr blof Presidentin. Nga fotografia e publikuar, shihet që Presidenti Meta ka takuar zotin Buquicchio me një kartë vizitori, poshtë një posteri të rastit me një pamje nga Venecia dhe pa asnjë lloj protokolli zyrtar mikpritje. Me pak fjalë në axhendën e Komisionit të Venecias nuk ka pasur asnjë takim të planifikuar me Metën dhe për këtë arsye, Presidenti i Republikës është trajtuar njësoj si një kalimtar i rastit, duke u pajisur me leje hyrje për të vizituar ambientet e Komisionit të Venecias. Pra, kjo dëshmon se vizita e Metës ishte e dyshimtë dhe kishte për qëllim vetëm lobimin.

PS shtyn afatet e komisionit hetimor

Në një kohë kur Presidenca njoftoi se Presidenti Ilir Meta kishte zhvilluar një takim me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, komisioni hetimor për shkarkimin e tij zhvilloi mbledhjen e radhës. Mes debatesh u votua me 7 vota pro dhe 2 kundër, kërkesa për zgjatjen me dy muaj të afatit të komisionit hetimor. Ka qenë kryetari i komisionit hetimor, Ulsi Manja, ai i cili parashtroi projektvendimin për zgjatjen e punë, duke theksuar se kjo kërkesë erdhi për shkak se konkluzionet e Komisionit të Venecias do të dalin më 12 tetor, disa ditë pas mbylljes së afatit ligjor të strukturës hetimore që është data 8 tetor. “Meqë veprimtaria e këtij Komisionit mbaron në datën 8 tetor, lind nevoja që ne t’i drejtohemi Kuvendit për të patur një afat shtesë që ky komision të përfundojë me sukses detyrën që i ka ngarkuar Kuvendi. Unë kam propozuar që zgjatja të jetë prej dy muajsh. Por mund të jetë afat më i shkurtër ose më i gjatë, këtë ta vendosim bashkërisht”, deklaroi Manja. Kujtojmë që, kjo kërkesë tashmë do t’i kalojë Kuvendit për miratim në seancën e datës 3 tetor, dy deputetët që votuan kundër ishin Halit Valteri dhe Adriatik Alimadhi, të cilët kërkuan që zgjatja të ishte një muaj. /Rigels Seliman

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close