LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Pritet valë dorëheqjesh në drejtësi! Precedenti “Llalla” shpëton të zhyturit në afera: Ja si gjyqtarët po largohen sapo njihen me aktet e KPK!

Pritet valë dorëheqjesh në drejtësi! Precedenti “Llalla” shpëton të zhyturit në afera: Ja si gjyqtarët po largohen sapo njihen me aktet e KPK!

Bilanci pozitiv i vetingut ka rritur ankthin dhe panikun në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Deri më tani të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që janë zhytur në afera kanë përfunduar jashtë sistemit të drejtësisë, ndërsa një pjesë e tyre rrezikojnë të ndiqen edhe penalisht.

Por ditët e fundit është vënë re se një pjesë e njerëzve të drejtësisë po dorëhiqen para se të dalin para komisioneve të vetingut dhe të njihen me gjetjet që ekspertët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kanë konstatuar sa i takon hetimit në tre shkallët, sikundër është ajo për pasurinë, integritetin moral dhe profesional. Mirëpo, kjo lëvizje e gjyqtarëve dhe prokurorëve që po shmangin përballjen me vetingun është një strategji e mirëmenduar, në mënyrë që t’i shpëtojnë ndëshkimit. Sipas ligjit, KPK gjatë procesit të vetingut shkëmben korrespodenca me gjyqtarët dhe prokurorët që janë duke u hetuar nga komisioni. Në rastet kur ka paqartësi, KPK kërkon prej subjekteve informacione shtesë. Por duke qenë se këto korrespodenca tregojnë qartë se diçka nuk shkon dhe se deklarimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk përputhen me gjetjet e ekspertëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë hetimit në të tre shkallët, njerëzit e drejtësisë zgjedhin rrugën më të shkurtër për t’i shpëtuar darëve të vetingut. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po dorëhiqen, duke nxjerrë justifikime, si arsye shëndetësore dhe personale sapo njihen me aktet e KPK.

Pra, kjo kategori e njerëzve të drejtësisë, e kanë kuptuar që ata do të shkarkohen kur të dalin në seancë dëgjimore para organeve të vetingut, pasi janë njohur me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kështu që kanë zgjedhur si rrugë dorëheqjen nga sistemi.

Precedenti “Llalla” shpëton të zhyturit në afera

Por interesant është fakti se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që e dinë se do të shkarkohen nga vetingu po përdorin si precedent atë që bëri ish-kryeprokurori Adriatik Llalla disa muaj më parë, në mënyrë që t’i shpëtojnë damkës së shkarkimit. Llalla ishte i pari i cili dha dorëheqjen në mes të vetingut dhe KPK ndërpreu rivlerësimin. Pas këtij precedenti, sapo një gjyqtar dhe prokuror paraqet dorëheqjen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ajo merret në konsideratë dhe vihet në dijen Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ndërpret procesin e vetingut për ta. Thënë ndryshe, gjyqtarët dhe prokurorët e zhytur në afera dhe që janë në dijeni që nuk e kalojnë dot vetingun, po përdorin precedentin “Llalla” si kartë të fundit për të shpëtuar pasurinë dhe për të shmangur përballjen me drejtësinë e re. Madje, gazeta ka mësuar se në ditët në vijim pritet valë dorëheqjesh në drejtësi, ku gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar për të shpëtuar pasurinë, do të përdorin precedenti “Llalla”, sikundër bënë kolegët e tyre të korruptuar. Megjithatë, pavarësisht kësaj strategjie, mazhoranca qeverisëse është e vendosur që t’i shkojë deri në fund hetimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar në mënyrë që t’i çojë para drejtësisë.

Disa nga të dorëhequrit

Në total janë 39 gjyqtarë e prokurorë që janë dorëhequr dhe kanë dalë në pension. Por bie në sy fakti se plot 24 emra kanë dhënë dorëheqjen pasi ka nisur vetingu. Për ta ka marrë vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke ndërprerë procesin e rivlerësimit. Mes 2 emrave të dorëhequrve, bie në sy largimi i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Po ashtu, dorëheqje dha edhe ish-Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha edhe pse ishte njohur me rezultatin e verifikimit të tij nga komisioni i vetingut. Nga ana tjetër, mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që ia mbathën nga drejtësia nga frika e vetingut janë Arjana Fullani, anëtare në Gjykatën e Lartë; Aleksandër Muskaj, anëtar i Gjykatës së Lartë; Mirela Fana, anëtare e Gjykatës së Lartë; Evelina Qirjako, anëtare e Gjykatës së Lartë; Ilir Pashaj, gjyqtar Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan dhe Erlindi Basha, vëllai i Lulzim Bashës, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, etj. /Rigels Seliman

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Miratohet rezoluta për ndikimin rus: Ditmir Bushati del kundër, përplaset ashpër me deputetët socialistë në komision

Close