LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Qeveria rrëzon propozimet e LSI-së, taksa për fasonët sipas draftit “Rama”

Qeveria rrëzon propozimet e LSI-së, taksa për fasonët sipas draftit “Rama”

TIRANE-Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka rrëzuar dje, propozimin e LSI-së për mbajtjen në nivelin 10% të tatimit mbi të ardhurat për fasonët. Gjatë diskutimit nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2014”, përfaqësuesit e qeverisë në komision argumentuan se krahas pakësimit të të ardhurave në buxhet, miratimi i këtij propozimi do të diskriminonte bizneset e tjera. Nga LSI-ja është premtuar pandryshueshmëria e nivelit të këtij tatimi, ndërsa nga PS-ja është bërë e ditur se taksa do të rritet në nivelin e 15%. Në fund të diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen projektligjin “Për buxhetin e vitit 2014”, që bashkë me paketën fiskale, do të kalojnë për votim në seancën plenare të datës 28 dhjetor 2013.

Debatet LSI-Qeveri
Në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, deputeti Përparim Spahiu paraqiti disa amendamente, që kishin të bënin me transferimin e së paku 20% të të ardhurave nga rritja e akcizës si fond shtesë për Ministrisë e Shëndetësisë, zgjerimin e kontrollit mjekësor nga mosha 40-60 vjeç deri në 65 vjeç, si dhe mbajtjen e tatimit mbi të ardhurat për biznesin fason në masën 10%. Zv/ministri i Financave, Ervin Mete ka argumentuar se ky tatim do të jetë 15%, edhe pse pritet të japë efekte negative në këtë industri. Por, deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu ka argumentuar se rritja e kësaj takse do të ulë konkurrueshmërinë e vendit, duke zhvendosur sipërmarrësit në vende të tjera të rajonit. “Ne e kemi pasur si prioritet, Shqipëria është një vend që ofron fare mirë me tagrat që ka, që ky lloj biznesi të zhvillohet dhe jo që ne t’i krijojmë pengesa”, – tha deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu. “Për shkak të efektit të konsiderueshëm në buxhet ne nuk mund ta mbështesim tani si masë. Siç ju thashë edhe dje, është në synimin tonë që në një të ardhme jo të largët të sheshojmë një paketë totale masash për një sërë sektorësh”, – tha Ervin Mete, zëvendësministër i Financave.

Propozimi i LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim kishte depozituar një ditë më parë në Komisionin parlamentar të Ekonomisë tri amendamente për buxhetin e vitit 2014. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili shpjegoi konkretisht se LSI-ja kërkoi që 20% e të ardhurave të realizuara nga rritja e akcizës për duhanin të kalojë si fond shtesë në Ministrinë e Shëndetësisë. Së dyti, sipas Vasilit, LSI-ja propozoi që kontrollet mjekësore falas një herë në vit të zgjerohen deri në moshën 65-vjeçare. Ndërsa propozimi i tretë lidhej me biznesin fason, për të cilin LSI-ja kërkon që tatimi mbi të ardhurat të vazhdojë të jetë në masën 10%.

Loading...
More in Ekonomi
Rama: Në 2014 do injektojmë 1.1 mld $ në ekonomi

Close