Home . Aktualitet . Ekonomi . Rama në fshatrat që nuk furnizohen me ujë të pijshëm që prej 1984-ës

Rama në fshatrat që nuk furnizohen me ujë të pijshëm që prej 1984-ës

Mbi 400 km kanale, të para të pastruara nga dherat, inertet dhe sedimentet të ndërtuara nga fillimi jo vetëm me veshje betoni por edhe me rrjeta hekuri, po ashtu me daljet për kanalet dytësore e terciare janë investime që ndikojnë drejtpërdrejtë në produktin bujqësor të Lushnjës e Divjakës. 5060 ha sipërfaqe e përmirësuar në kullim, 8350 familje fermerë përfituese në Divjakë, Fier Shegan, Krutje, Martish, Goricë, Grabian etj., formojnë atë që quhet unaza bujqësore në Lushnje e Divjakë, një nga rajonet më bujqësore të vendit. Këto janë rezultatet e investimeve të kryera në vitin 2016 në sistemin e ujitjes dhe kullimit. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministrja Gjermeni, deputetë të zonave Braçe, Cuko si dhe kryetari i bashkisë së Divjakës Kokoneshi, inspektuan disa segmente të kanaleve tashmë të pastruara përgjatë kësaj unaze dhe ku pritet të fillojë faza tjetër, ajo e modernizimit të sistemit.

Këto kanale, thonë fermerët, për mbi dy dekada kanë qenë jashtë përdorimit si pasojë e bllokimit nga dherat dhe mbeturinat. Vënia në funksion dhe modernizimi i tyre sjell zhvillimin e tokave dhe të fermave nën potencialin e tyre. “Gjatë gjithë këtyre kohëve, kjo ka qenë e mbuluar me ferra, me kallama dhe tonelata të tëra mbeturina dhe uji nuk depërtonte dot as fund të Krutjes dhe nuk bëhej fjalë për Divjakën fare. Tani uji do kalojë matanë Divjakës,” – thotë një fermer. “25 vjet, 25 kanale nuk janë bërë,” – tha një tjetër.

Investimet në sistemin e ujitjes dhe kullimit nuk përfshijnë vetëm rehabilitimin e kanaleve, por edhe modernizimin e të gjithë sistemit dhe një administrim më efiktiv të përdorimit të ujit. Çdo fermer do të pajiset me matës edhe për ujin që shkon në parcelë. Kjo do të sjellë edhe një menaxhim më efikas të burimeve ujore.

“Janë më shumë se 400 km kanale ujitjeje dhe kullimi vetëm në këtë zonë, ndërsa në pjesën e Divjakës që është edhe zona më intensive bujqësore në këtë rajon ku kemi bujqësinë më intensive, për herë të parë në Shqipëri, ne do të bëjmë vaditjen me matëse dhe jo vetëm që do garantojmë përfundimisht që uji të shkojë në çdo parcelë dhe të mos ketë më nevojë për pompa që e nxjerrin ujin nga poshtë dhe pastaj kanë pasojën që e kripëzojnë tokën dhe e bëjnë të papërdorshme në harkun e viteve. Gjithsecili ta dijë sa ujë merr dhe harxhon dhe burimi ujor menaxhohet që çdo pikë të shkojë tek toka. Kështu kemi mundësi të bëjmë një bilanc shumë të qartë, siç shkon uji në shtëpi, vjen edhe uji në parcelë me sahate, me rubinet, është aty kur duhet e ndalon kur nuk duhet. Është një inovacion që duam ta shtrijmë edhe më tutje. Siç tregojnë pamjet e tmerrshme të kanaleve të lëna 25 vjet pa u prekur, ky është një transformim rrënjësor, me një pjesë të rrjetit që po bëhet siç nuk ka qenë kurrë në të shkuarën, me shtretër të shtruar me rrjetë hekuri poshtë. Një pjesë tjetër po pastrohen dhe do vazhdojnë të jenë të pastra, sepse të gjitha bashkitë morën dhe ekskavatorët modernë, të fuqishëm e të rinj dhe pak nga pak do ta shtrijmë këtë që filluam këtu, edhe më tutje, në mënyrë që të kemi një rrjet furnizimi me ujë modern,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë mbi 13 milionë euro janë duke u investuar për fuqizimin e modernizimin e sistemit të ujitjes për Divjakën dhe Krutjen, duke filluar që në sezonin e ujitjes së këtij viti. Shtrirja e 22 km tubacione nën presion dhe ndërtimi i 2 stacioneve të pompimit për Divjakën dhe rehabilitimi i 252 km kanale në rrjetin e ujitjes në Krutje-Tërbuf do të çojnë ujin në parcelë, në një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 15 mijë ha. Kryeministri Rama ishte në Gërmenj, ku ka filluar projekti për rehabilitimin e një nga dy ujëmbledhësit për Divjakën, me kapacitet 4.5 milionë m3 ujë.

Një element tjetër domethënës i këtyre investimeve në rrjetin e ujitje kullimit është se të gjithë punësimet për kryerjen e punimeve janë të punëtorëve nga zona Lushnjë Divjakë. “Deri në këtë moment, – tha drejtuesi i kompanisë që po kryen punimet – ne jemi tek 200 deri 250 veta punësim në gjithë kantieret. Përjashto specialistët e mirëfilltë, që kanë kohë me kompaninë, të gjitha janë banorë të zonës. Në pikën e projektit pretendohet të arrijmë tek 600 veta punësim zonal.”

* * *

Viti 1984 ishte viti i fundit kur banorët e Çermë-Sektorit janë furnizuar me ujë të pijshëm. Nga ajo kohë në rubinetet e tyre nuk ka rrjedhur më asnjë pikë uji dhe furnizimin e bënin nga puset. Kësaj situate do t’i japë fund ujësjellësi i ri, punimet për të ndërtimin e të cilit kanë nisur në muajin dhjetor. Investimi mundëson që pas mbi tre dekadash, 22.000 banorë të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë. Është ndërtuar rrjeti kryesor shpërndarës dhe është duke u ndërtuar rrjeti shpërndarës për çdo familje.

Benet Beci, Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit nënvizoi se ujësjellësi zgjidh jo vetëm problemin aktual, por edhe të perspektivës. Parashikimet, sipas tij, janë minimalisht 15 vjet. “Projekti, – shpjegoi ai – mbulon me ujë 22 mijë banorë dhe 4.700 familje. Kanë qenë zona krejtësisht pa ujë. Punimet kanë filluar në dhjetor dhe mbarojnë në tetor. Punimet po vazhdojnë shumë mirë dhe janë në cilësinë e standardeve më të mira të ujësjellësve. Uji shkon në çdo shtëpi, me matëse dhe me gjithë sistemin e menaxhimit të ujit.”

* * *

Në Çermë, kryeministri Rama inspektoi edhe rikonstruksionin e shkollës, një investim prej mbi 65 milionë lekë. Përveç rikonstruksionit të plotë të mjediseve mësimore, është ndërtuar nga e para një pjesë e saj, janë shtuar 12 klasa dhe është instaluar sistemi i ngrohjes. Shkolla do të këtë edhe një fushë multifunksionale, të shtruar me tapet gome, që do të jetë në dispozicion jo vetëm të nxënësve, por edhe të komunitetit. Vitin e ardhshëm shkollor, 500 nxënësit dhe 20 mësuesit do të ulen në mjedise të reja.

Kryeministri u ndal edhe në shkollën në Këmishtaj, gjithashtu në rikonstruksion që përfshin përveç mjediseve mësimore, edhe mjediset e jashtme, sipas konceptit të shkollës qendër komunitare. Ambienteve të kësaj shkolle po i shtohet gjithashtu edhe një palestër e re e cila po ndërtohet nga e para.

Gjithçka, shpjegon drejtuesi i punimeve, është bërë nga e para, duke filluar që nga suvatimet, pllakat, impianti elektrik, hidraulik dhe sistemi i ngrohjes. Deputeti Braçe, krahas standardeve të shkollës, nënvizoi edhe një element tjetër me rëndësi, punësimin që këto projekte kanë nxitur në zonë.

“E rëndësishme është ngrohja, sepse nga dita e parë që është bërë, shkolla nuk ka pasur kurrë ngrohje. Veç palestrës do jetë edhe një fushë multifunksionale, ndërkohë që do jetë edhe lulishtja e brendshme e shkollës, këndet e basketbollit, volejbollit. Të gjithë punëtorët janë nga zonat. Të gjithë grupet e ustallarëve e të tjerë janë nga zona.,” – u shpreh Braçe.

Loading...
More in Ekonomi
Politikat fiskale në mbështetje të rritjes ekonomike”, Ahmetaj në Takimin e Konstituencës së FMN në Romë

Close