LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Rama paralajmëron: Emrat e ngelur në veting do të përballen të gjithë me drejtësinë

Rama paralajmëron: Emrat e ngelur në veting do të përballen të gjithë me drejtësinë

Qeveria është e vendosur për të dërguar para drejtësisë të gjithë ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë ngelur në procesin e vetingut. Pak ditë më parë Bundestagu gjerman e vuri si kusht hetimin e të ngelurve në veting, me qëllim hapjen e negociatave. Një gjë e tillë pritet të kërkohet nga Bashkimi Europian në vendimin e 18 tetorit.

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të përjavshëm të bashkëqeverisjes, ka vendosur theksin pikërisht tek vetingu duke paralajmëruar emrat e ngelur se do të hetohen të gjithë, pasi vetëm kështu mund të ecë vendi drejt integrimit europian. Rama ka paralajmëruar të gjithë zyrtarët e korruptuar të drejtësisë se edhe nëse nuk janë kapur ende, drejtësia nuk harron. “Më vjen shumë mirë që ky është kthyer tani në një kusht detyrues nga Bashkimi Europian dhe të jenë të sigurt të gjithë se ata, të cilët vetingu i përjashton, do të rikthehen përpara prokurorëve dhe gjykatësve për të dhënë llogari për pasuritë e tyre të pajustifikueshme. Të jenë të sigurt të gjithë ata që bëjnë krime, edhe sot që flasim, ndaj qytetarëve, për të përfituar para të zezë, deri dhe për të marrë “rroga”, se drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do harrojë, të jenë të sigurt. Ata që vetingu i përjashton, do të rikthehen para prokurorëve dhe gjykatëse për të dhënë llogari për pasurinë e tyre, të jenë të sigurt. Edhe ata që bëjnë krime për të përfituar para të zezë, apo shpërblime të majme nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë”, ka theksuar kryeministri Rama.

Kryeministri ka bërë me dije se deri më tani ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore, të marra falë hetimeve administrative që vijnë pasi u jepet e drejtë qytetarëve nga platforma. “Dua ta theksoj sot atë që kam thënë qysh ditën e parë, duke mirëkuptuar dhe mungesën e durimit të qytetarëve, duke mirëkuptuar shpeshherë edhe qytetarët e dëshpëruar që thonë “pse kjo ishte?”. Ajo që kam thënë qysh në krye të herës ka qenë që vetingu do pastrojë dhe sistemi i pastruar do të ndëshkojë ata që pastrohen nga vetingu. Janë 46 masa disiplinore në proces për nëpunës, për shefa, apo drejtues zyrash, që u kanë rënë në qafë qytetarëve. Siç ishte rasti i Yllit nga Devolli, apo siç ishte rasti tjetër kur është sorollatur për të marrë certifikatën që i takon, hetimet do të nxjerrin fajtorët, të cilët do të ndëshkohen sipas shkallës së fajit që kanë bërë. Ky është ndërveprimi”, tha ndër të tjera Rama.

Kryeministri i vendit pati një përgjigje ditën e djeshme edhe për kritikët, të cilët thonë se jo çdo problem mund të zgjidhet duke iu adresuar qeverisë drejtpërdrejtë. “U them të gjithë atyre që përqeshin dhe i bien shkurt e thonë, pse kështu duhet të funksionojë shteti, duke shkuar deri tek Kryeministri, duke shkuar deri tek qeveria, ndërkohë që duhet që gjërat të funksionojnë menjëherë në momentin e parë, se edhe në vendet më të zhvilluara, që kanë administrata shumë më efikase sesa e jona, përsëri makineria nuk është perfekte, se po të ishte makineria perfektë, s’do të kishte me qindra, mijëra, miliona letra në vit që ju shkojnë senatorëve dhe kongresmenëve nga qytetarët. S’do kishte zyrë ankesash Shtëpia e Bardhë dhe letra që i shkojnë Presidentit të Shteteve të Bashkuara. S’do kishte zyra ankesash edhe të gjithë vendet e tjerë”, u përgjigj Rama. Por ndër të tjera Rama theksoi se ndërhyrja në proces nuk është në dorën e qeverisë, pasi Kushtetuta i përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti. “Por, kur vjen puna tek ndërhyrja në proces, kjo është e pamundur për qeverinë, kjo është e pamundur për pushtetin ekzekutiv, sepse Kushtetuta përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe përcakton qartë edhe kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të na duket, ose pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon, i dëshpëruar pas një padrejtësie në dyert e gjykatave”, tha ai.

Arbjona ÇIBUKU

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Dyrnjaja propozim surprizë, kërkon Grida Dumën kryeministre të vendit

Close