LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Rama: Pas kryeministrit s’kërkoj poste dominante. 21 Janari, mesazhi që “unë ju vras”.

Rama: Pas kryeministrit s’kërkoj poste dominante. 21 Janari, mesazhi që “unë ju vras”.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se pas eksperiencës së parë si kryeministër i vendit, nuk do të ketë detyra të tjera të larta në politikë, në intervistën e dhënë për emisionin “Jamais Vu”, të gazetarit Mustafa Nano, në televizionin “Ora News”.

Shqipëria është e veçantë për shkak se kryeministrin e ka me profesion artist, piktor. Kjo e bën që Edi Rama të jetë unik. Ju mund të jeni unik edhe në drejtime të tjera, por në këtë kuptim jeni unik. E dini këtë?
Është një unikalitet që lidhet me profesionin. nuk e di sa lidhet me personin.
Ka shumë njerëz në fakt që shohin një lloj papajtueshmërie midis profesionit të artistit në përgjithësi dhe burrit të shtetit…
Besoj që gabojnë, sepse asgjë nuk është e thënë që mos ketë gjithmonë një herë të parë, por ndërkohë edhe eksperienca ime më ka treguar që bagazhi i artistit ndihmon në këtë gjë.
Artisti është arkivuar tani apo ndiheni akoma artist?
Unë në timen ndihem artist.
Lidhur me krahasimin e Shqipërisë me Zvicrën, a ju ka ngacmuar ndonjëherë kjo ide?
Më ka ngacmuar shumë gjatë periudhës së shkatërrimit të Tiranës, kur u pushtua i gjithë lumi i Lanës nga ndërtimet. Presidenti i asaj kohe, Sali thoshte ‘kjo është Zvicra jonë’. Atëherë më ka ngacmuar shumë fort ky krahasim.
Mund të vijë ndonjë ditë që Shqipëria të bëhet e krahasueshme me Zvicrën?
Unë nuk besoj që ne mund të rendim pas idesë, ne duhet të bëhemi të krahasueshëm me Zvicrën. Unë besoj që ne kemi mundësi të kemi një vend të krahasueshëm me imagjinatën me ëndrrat, me parafytyrimet e të gjithë atyre që pararendën me sytë e së ardhmes atë që Shqipëria mund të ishte. Besoj që nëse do t’i referoheshim Sami Frashërit në librin e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” është një Shqipëri që ne mund ta kemi dhe nëse e kemi atë Shqipëri, ne e kemi “Zvicrën” tonë.
Shqipëria a është vendi ku do të doje të kishe lindur?
Kjo është një pyetje e vështirë, sepse çdokush që e njeh botën mund të thotë që do të kishte dashur të lindte diku tjetër, por ajo që është sfida e jona, është që Shqipëria mund të bëhet një vend zgjedhjeje dhe jo një vend, ku fati e ka përcaktuar që të jetosh dhe sot Shqipëria nuk është në listën e vendeve konkurruese që njeriu mund të zgjedhë. Ne duhet ta bëjmë Shqipërinë një vend që njeriu zgjedh të jetojë.
Cila është ajo gjë që ju kur gjendeni përballë saj thoni që këtë nuk duhet ta kishte Shqipëria, një gjë që ta shpif?
Gjurmët e shkatërrimit mbi trupin e vendit janë si plagë të shënjuara në lëkurë që njeriu mund të thotë sa trup i bukur, çdo vajzë e mrekullueshme sikur të mos i kishte këto të djegura në lëkurë ç’mrekulli do ishte?! Besoj se në një pjesë janë të pakthyeshme, ndërsa në një pjesë tjetër janë të rikuperueshme.
(Shfaqet në foto tryeza e vendeve anëtare të BE). Dështimi juaj i parë?
Unë nuk do ta konsideroja kështu, sepse nuk është i tillë, por gjëja e parë që më shkoi ndërmend kur pashë foton, sigurisht lidhej me atë që ndodhi para pak ditësh dhe jo me faktin që Shqipëria dështoi, sepse në këtë rast refuzimi për ta dhënë këtë herë statusin e vendit kandidat ishte më kompleks se sa thjeshtë raporti i familjes evropiane me ne. Por ishte edhe shprehje e një problemi të brendshëm që po bëhet gjithmonë e më i madh brenda familjes evropiane, që ka të bëjë me rritjen e masës shqetësuese të atyre që janë kundër BE-së, që janë kundër zgjerimit, atyre që janë kundër shumëçkaje. BE-ja vetë e mishëron. Kjo nuk ndodhi me Serbinë dhe kjo e bën edhe më dramatike, jo për faktin që Serbia mori dritën jeshile dhe Shqipëria nuk e mori, jo për raportin midis nesh, por për faktin se Serbisë i mungon një dimension që ne e kemi dhe për mua është pasuri e jona dhe që është një dimension ngacmues për ato forca që na kundërvihen, që është dimensioni fetar.
Ju e shihni si pasuri nacionale harmoninë apo faktin që kemi shumë fe?
Unë e shoh si pasuri tonën multireligjozitetin.
Mendoni se ata që po na dëgjojnë po binden me këtë?
Nuk e di. Unë e shoh si pasuri tonën dhe gjithmonë e kam konsideruar, ose të paktën jo unë, por gjithmonë i kam përkitur asaj pjese të mendimit evropian që multikulturalizmi dhe një shoqëri multireligjioze është pasuri dhe nuk është problem.
Ilir Meta në shpjegimin që i bëri “jo”-së që na dha Brukseli eci në binarë paksa fetarë, la të kuptohet ideja që ka ca njerëz që nuk na e pëlqejnë këtë dimensionin mysliman.
Unë besoj që kjo është e qartë dhe kjo nuk ka të bëjë me, të paktën për këtë periudhë kohe që jetojmë dhe lavdi Zotit, nuk ka të bëjë me qeveritë e sotme të BE-së, nuk ka të bëjë me forcat e konsoliduara demokratike të BE-së, qofshin të majta apo të djathta, por ka të bëjë me forca të reja që janë në një ekspansion të brendshëm brenda disa vendeve dhe që haptazi e thonë dhe e nënvizojnë se BE nuk ka lidhje dhe nuk mund të ketë lidhje me asnjë fe tjetër veç kristianizmit.
Pse Brukseli na tha “jo”?
Përgjigja është shumë e thjeshtë. Kam pasur mundësinë që për shkak të pozicionit ta ndjek të gjithë procesin e dialogut të zhvilluar në 100 ditët e qeverisë së re, ku ne jemi munduar të japim argumentet tona dhe ne jemi munduar të japim kundërargumentet dhe fillimisht na e kanë thënë qysh në ditët e para se ne duhet të mendonim për më tutje dhe jo për dhjetorin, pasi dhjetori ishte shumë herët dhe se me gjithë faktin se Shqipëria ishte për t’u përshëndetur për zgjedhjet që bëri, vendeve anëtare do t’u duhej kohë për të parë në aksion qeverinë e re dhe na është thënë madje që kjo nuk është diçka 100% kështu, por përgjithësisht duhet ta shihni kështu, veçse në rast se ju bëni diçka që të jetë vërtetë spektakolare. Dhe e vërteta është që gjatë periudhës së këtyre 100 ditëve ky opinion filloi të ndryshonte pozitivisht dhe vende që në fillim ishin të pozicionuara prerazi që Shqipëria do ta marrë statusin e vendit kandidat, kjo është çështje kohe filluan të hapen ndaj këmbënguljes tonë se kjo ishte e rëndësishme për Shqipërinë, ishte e rëndësishme për rajonin, ishte e nevojshme për vetë inkurajimin që kishin nevojë shqiptarët dhe qeveria në këtë proces dhe të jem shumë i sinqertë me ju, pengesa ishte e thënë troç që kemi parë edhe më parë që qeveria të vijë të bëjë disa gjëra, të bëjë premtime të mëdha dhe pastaj të zhgënjehemi. Ne jemi boll të zhgënjyer, ndaj duam të shohim realisht atë që do të bëni. Pastaj, ky qëndrim mori formën e “Ne jemi shumë të impresionuar”. Kancelarja e tha hapur, “është befasuese ajo që ka bërë Shqipëria”. Të tjerë e kanë thënë me nota ende më komplimentuese për ne dhe gjëja që ndodhi ishte përpara se Parlamenti holandez të bënte atë raptus. Ne ishim në një ekuilibër të plotë midis dëshirës për të na thënë “po” dhe hezitimit që vazhdonte. Kur Parlamenti holandez mori përsipër diçka që nuk kishte ndodhur kurrë që të mblidhej dhe të vinte një veto dhe t’i kërkonte me gisht qeverisë dhe ministrit të Jashtëm që të mos kalonte jashtë asaj vetoje, atëherë menjëherë u thye ajo ngrehinë që mezi ishte ngritur në një kuptim mes kërkesës sonë dhe faktit që rezultatet ishin shumë inkurajuese për ta. Pra, nga njëra anë nevoja për kohë për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme dhe nga ana tjetër faktori i këtyre forcave ekstremiste.
Nuk e di që Edi Rama të ketë pasur tendencën të afrojë njerëzit që nuk ngjajnë me të brenda PS-së….
Partia Socialiste ka qenë dhe ka mbetur një bashkësi njerëzish me pikëpamje jo gjithmonë të njëjta dhe me natyra e qasje jo gjithmonë të njëjta dhe besoj që kjo gjë është e garantuar.
Në kryesinë e PS-së ne kemi të gjithë ngjyrimet dhe gjithë prezencën e rivaliteteve të brendshme.
Keni frikë nga pakënaqësitë brenda?
S’kam asnjë lloj frike.
Keni frikë në kuptimin që këto pakënaqësi mund të transformohen në rryma politike që mund t’ju pengojnë?
Nëse qeveria nuk do të përmbushë pritshmëritë dhe detyrat e saj, sigurisht që pakënaqësitë fare natyrshëm mund të kthehen në një problem dhe një problem legjitim, por nëse qeveria do të përmbushë detyrat e saj dhe të jetë në lartësinë e pritshmërive s’ka asnjë problem ndaj saj.
Kush është anëtari më simpatik i kabinetit, më eficient dua të them?
E vërteta është që qysh në krye të herës, gjatë formimit të skuadrës dhe gjatë punës unë kam qenë gjithmonë i bindur që qeveria të funksionojë ashtu siç duhet, duhet të funksionojë si skuadër. Deri më sot kjo ndodh, sepse ne punojmë në këtë formë. Ne kemi ndryshuar komplet sistemin e funksionimit të brendshëm të qeverisë. Përveç mbledhjes së qeverisë ne kemi sistematikisht gjatë javës takime, të cilat janë me grupe të ndryshme dhe janë të ndërtuara pikërisht për sensin e skuadrës. Ndaj unë nuk do doja të veçoja njërin dhe të lija të tjerët pa veçuar, por nëse ju doni patjetër një emër, unë do të thoja se për shkak të kontekstit me të cilin qeveria ka filluar punën. Padyshim ministri i Brendshëm është njeriu që është më në vijën e parë. Por duke thënë këtë nuk do të doja t’i bëja padrejtësi ministrit të Jashtëm, ministrit të Drejtësisë, nuk do doja t’i bëja padrejtësi ministres së Integrimit, apo të gjithë të tjerëve. Kështu që nuk dua të veçoj njërin nga të tjerët.
(Shfaqet fotoja e Enver Hoxhës.) Keni një koment?
Kësaj doja t’i vija një diciturë. Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët. Më pëlqen shumë ajo shprehja e Biblës, ku Krishti i kërkon nja djali që të bashkohet me të dhe djali i thotë ‘më prit sa të varros babanë dhe Krishti i përgjigjet’: Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët.
Në 29 nëntor fotoja e Enver Hoxhës u shfaq në sfond në Varrezat e Dëshmorët. Një nga fotot e futët në ‘Facebook’. Ju shpëtoi apo..?
Nuk jam unë që i vë fotot në ‘Facebook’-un tim. Është një skuadër të rinjsh që punon me ‘Facebook’-un.
Po debati që u bë pas kësaj ju kaloi pa ndonjë vëmendje?
Idiotësi krejtësisht.
Më jepni një përcaktim për Enver Hoxhën?
Mizor.
Në një vend ku lufta ndaj korrupsionit është parësore, çfarë roli ka kryeministri?
Për mua nuk ka asnjë shans që të ketë drejtësi në një vend që qeveriste me padrejtësi. Në luftën ndaj korrupsionit qeveria duhet të jetë vetë forca e shembullit. E nëse do të jetë shembulli i forcës, atëherë jam i bindur që krijon një kontekst krejtësisht tjetër në shoqëri, edhe në raportet me institucionet, edhe në raportet e institucioneve me njerëzit, ku gjërat fillojnë e lëvizin. Çfarë do kërkosh në derën e gjykate, nëse qeveria e vendit ku ti ankohesh të jep çdo ditë shembullin që nuk do t’ia dijë fare për ligjin. Nuk do t’ja dijë fare për ato të cilat u kërkon qytetarëve. Madje nuk e di a e keni parë, unë vetë nuk isha në dijeni, madje më është dashur të bëj edhe dy-tre telefonata për të qetësuar disa nga të axhituarit që: doli një listë me gjobat e vëna dhe të paguara nga ministra, nga deputetë, nga nuk diskutohet kalamaj me mbiemër të njohur për mosrespektim të rregullave të qarkullimit dhe besoj se kjo është forca e shembullit.
Kjo frymë do mbajë?
Nuk ka pse të mos mbajë
(Shfaqet fotoja e një burri që mezi lexon edhe me syze)
Kjo mua më kujton vështirësinë që kam filluar të has në lexim dhe refuzimin të përdor gjyslykët kur lexoj.
Akoma nuk keni filluar të përdorni gjyslykët?
Jo akoma, por ka filluar të bëhet e vështirë për të lexuar në darkë sidomos.
Ju keni dhënë përshtypjen që jeni pak i terrorizuar nga pleqëria, nga fundi i jetës, nga vdekja apo e keni thënë për të bërë përshtypje?
Jo nuk jam i terrorizuar. Më pëlqen shumë një shprehje e Idro Montanelit që thoshte “Nuk më shqetëson vdekja, por më shqetëson të vdekurit” dhe këtu unë kam gjetur strehën e shpjegimit të kësaj gjëje. Problemi im me vdekjen nuk është një problem që lidhet me frikën se përsa kohë vdekjen e dimë, por nuk e shohim, nuk e kemi frikë dhe nuk e dimë se sa do t’i trembemi kur ta shohim, por pjesa që ka të bëjë me mënyrën e të përdorurit të kësaj mundësie magjike që është jeta me mënyrën e të vdekurit.
Ju keni një farë moshe. Ku do jetë Edi Rama në vitin 2024? Çfarë do jetë duke bërë?
Kjo është një pyetje që do të duhej një kurajo profetike për t’ju përgjigjur. Unë një gjë vazhdoj të këmbëngul, që politika nuk është zanat dhe vetërefuzoj që ta konsideroj veten një zanatçi i politikës. Unë politikën nuk e shoh si profesion. E shoh si një angazhim me mish e me shpirt, por jo përgjithmonë. Unë me timen them që kjo është jeta ime e dytë. Kam pasur një jetë më parë që ishte ajo e artistit dhe e njeriut që nuk kishte hyrë kurrë në një zyrë shteti dhe unë me timen e kam paraparë veten në një jetë të tretë që s’ka të bëjë fare me këtë. Pra, nuk e shoh veten që në këtë moshë të marr fjalën në Parlament dhe që të mos lë të tjerët të punojnë dhe që të vazhdoj të mendoj prapë se si do kthehem në krye të qeverisë.
Sa janë gjasat që ju të jeni në politikë pas 10 vjetësh dhe akoma në poste dominante?
Nëse flasim për pozicione dominante, unë nuk mendoj se do kem një pozicion tjetër pas këtij. Asnjë lloj pozicioni.
Pra nga momenti që nuk do jeni më kryeministër…
Nga momenti që nuk do jem më kryeministër nuk do kem më asnjë pozicion tjetër dominant. Mbasi ta mbaroj një herë kryeministrin, ta kërkoj të bëhem prapë kur të jem sa ky (i referohet burrit të moshuar në foto), jo, nuk do ta kërkoj.
Po ju mund ta mbaroni edhe për dy muaj, për arsye nga më të ndryshme…?
Këtë e përjashtoj. Kjo nuk ndodh, por ajo që po them është që pasi të mbaroj këtë eksperiencë, do kërkoj eksperienca të tjera. Sigurisht do merrem me politikë, por nuk do jem më personi që do të dua të jem në krye të vendit dhe që do luftoj të ulem në krye të vendit.
A keni bërë ndonjë gabim në 21 janar, ju vetë?
Jo.
Ka një opinion, të cilin të them të drejtën edhe unë e mbështes, që në protestë ju dhe të gjithë liderët e PS-së duhet të ishit atje në krye dhe nëse do të ishit ju, nuk do të ndodhte ajo?
Vazhdon të përsëritet ky opinion, pa marrë kurrë parasysh se pse ne nuk ishim aty. Unë e kam shpjeguar disa herë. Ne jemi zmbrapsur gjatë kohës që po ecnim drejt Kryeministrisë, kur ndodheshim midis pak më përpara se vija midis vëllezërve Frashëri dhe Piramidës. Kishim kaluar urën, ishim një grup me Pandeli Majkon, me Lindita Nikollën dhe jemi zmbrapsur nga bombat me gaz lotsjellës. Pra, është ndërprerë aty vajtja jonë drejt Kryeministrisë, ndërkohë që një grup tjetër ishte më përpara nesh, para Kryeministrisë kur kanë dalë autoblindat me ujë e gaz lotsjellës. Në atë moment ne u tërhoqëm dhe kemi qëndruar tek ‘Parku Rinia’, të hyrja e parkut, mu në cep të urës. Dhe ndërkohë kjo është një gjë krejtësisht e gabuar edhe për një fakt tjetër, se vrasjet nuk ndodhën as në fillim, as në mes. Pra nuk ndodhën kur pati axhitim. Vrasjet ishin pushkatime të njerëzve që u ndëshkuan pa gjyq, ndërkohë që protesta po shpërndahej. Nuk kishte më protestë, kur ndodhën vrasjet. Ka pushkatuar pa gjyq njerëz të pafajshëm, pasi është bindur se ata nuk ishim më problem për atë në godinë dhe aty ka goditur për të çuar gjithandej mesazhin që: “unë ju vras”.
(shfaqet fotoja e Ilir Metës)
Më bëri përshtypje, sepse ka kohë që jam mësuar me pamjen e re të Ilirit, i cili ia nënshtroi veten një stërvitjeje të jashtëzakonshme, për të cilën unë e admiroj dhe unë përpiqem dhe bëj atë stërvitjen time, por nuk jam asnjëherë sistematik dhe këmbëngulës, megjithëse edhe Iliri e ka me hope, po kur e vendos bën rënie në peshë që janë spektakolare.
Ka gjëra të tjera për t’u admiruar Ilir Meta?
Ne jemi njohur shumë kohë më përpara dhe në rrethana të ndryshme. Pastaj jemi njohur në anën tonë, le të themi, të panjohur më parë në rrethana të tjera. Por një gjë që unë mund ta them me plot gojë, është që Iliri është një person që reflekton shumë dhe që sot është dikush tjetër nga ai që unë kam njohur më përpara në kuptimin e një maturie dhe një gatishmërie për të dëgjuar të tjerët. Kjo është një gjë që e bën shumë të lehtë edhe marrëdhënien tonë, bashkëpunimin dhe diskutimin dhe gjetjen e dakordësisë për probleme të ndryshme. Besoj që sot jemi në një marrëdhënie të shëndetshme, sepse e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe jemi tërësisht të ndryshëm si njerëz, por duke qenë të vetëdijshëm për ndryshimin që kemi me njëri-tjetrin funksionojmë në mënyrë shumë komplimentare, të paktën deri më sot, që të prekim këtë (karrigen) që të mos marrim më sysh.
E keni gjetur njëri-tjetrin politikisht, një herë e mirë?
Ka një shprehje që në politikë kurrë mos thuaj kurrë, por eksperienca sot është shumë më e madhe dhe eksperienca e marrëdhënies mes nesh është e mjaftueshme për të lexuar shumë mirë njëri-tjetrin.

Loading...
More in Aktualitet
Hakerat, sulm Kryeministrisë zbulojnë 179 e-maile për Ramën

Close