LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Referendum… nuk e ka në dorë Meta! Topi rendit problemet: Politika ka qëllime të tjera, Meta nuk mund ta shpërndajë Parlamentin

Referendum… nuk e ka në dorë Meta! Topi rendit problemet: Politika ka qëllime të tjera, Meta nuk mund ta shpërndajë Parlamentin

Ish-Presidenti Bamir Topi komentoi në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, zhvillimet e fundit politike, ku palët po përplasen ashpër për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Për ish-Presidentin Topi është absolutisht e papranueshme që në vitin 2019 Shqipëria të diskutojë për Gjykatën Kushtetuese dhe se një gjë e tillë nuk ndodh në asnjë vend të botës.

I pyetur për paralajmërimin e Presidentit Ilir Meta për referendum në mbrojtje të Kushtetutës, Topi deklaroi se nuk është e vështirë të mblidhen 50 mijë firma të qytetarëve, por problemi është nuk ka vullnet politik për një gjë të tillë.

“KQZ dominohet politikisht. Ka një politikë jashtëzakonisht të dobët, ka një politikë amatoreske, dhe që në vetvete sheh qëllime të tjera, që nuk janë për t’i dhënë shoqërisë, qetësi për të forcuar institucionet, por për t’i dobësuar ato”, tha Topi.

Pjesë nga intervista:
Unë shikoj sot dalje, ndoshta inflacioniste, të Presidentit, shoh një komunikim totalisht të munguar të kryeministrit, ai tërhiqet në ngjarjet përvëluese. Unë e shoh Ramën me dy përgjegjësi të mëdha për të kaluarën, e para është shkatërrimi i bazave të Kushtetutës, që e kthyen Shqipërinë në një republikë në dorë të kryeministrit. Përgjegjësia e dytë është politike, sepse kujt më shumë se kryetarit të mazhorancës i jepet e drejta për të implementuar një reformë dhe më e rëndësishmja është ajo në drejtësi. Falë implementimit të saj të gabuar sot institucionet nuk funksionojnë. Kemi dhe një përgjegjësi në tentativë, nuk shoh asnjë lloj prononcimi për të ndryshuar situatën, sepse situata ndryshon me Kodin Zgjedhor.

Fakti që ai nuk flet dhe kryetari i opozitës nuk merret fare me këtë problem, është çështje e një taktike, por askënd nuk bind braktisja e kryeqytetit. Kryeqyteti është në konotacionin politik të diskutimeve të mëdha, lihet kryeqytetit, shkohet në qytete të vogla dhe diskutohen gjëra të tjera. Këto janë ato pika që e bëjnë presidentin Meta të jetë i dukshëm. Ai bën opozitën për parimet kushtetuese të asaj që mbulon.

A ka të drejtë Meta që kërkon referendum?
Besoj që referendumi në parim është një nga elementët më pozitiv të demokracisë. Meta kishte të drejtë kur iu referohej referendumeve që ka bërë Zvicra, për çështje fare të vogla. Problemi është se vërtet referendumi është element shumë i rëndësishëm, por a ka kulturë dhe vullnet politikë, që do ta marrë në konsideratë. U morën 50 mijë firma, se nuk është e vështirë, por në ç’filtra do kalojë, a do ketë vullnet politik. KQZ dominohet politikisht. Ka një politikë jashtëzakonisht të dobët, ka një politikë amatoreske, dhe që në vetvete sheh qëllime të tjera, që nuk janë për t’i dhënë shoqërisë, qetësi për të forcuar institucionet, por për t’i dobësuar ato.

Nëse do gjendeshit në pozicionin e Metës, si do vepronit?
Unë kam gjithë larminë e përgjigjeve, por i rezervoj vetes një lloj stepje për t’u përgjigjur, sepse respektoj cilindo president që është në detyrë.

Cilën pyetje do shtronit në referendum?
Sistemin politik. Është i deformuar për qëllime jashtëzakonisht okulte. Këto qëllime janë rritur, në një moment që Shqipëria po ecte shumë mirë. Presidenti sot nuk ka asnjë mjet presioni ndaj Parlamentit. Në Kushtetutën e parë Presidenti kishte të drejtë ta shpërndante Parlamentin, sot nuk ka instrument presioni. Prandaj, mazhorancat politike, qoftë e kaluara që lulëzoi në 2005-2013, qoftë kjo, ndjehen të fuqishëm shumë. Imagjinoni ku kemi arritur, të diskutojmë atë që s’e diskuton asnjë vend në botë, ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese. Është kthim pas, i ngjan Kalasë së Rozafës, që ditën ndërtohet, natën rrëzohet. Të diskutosh në vitin 2019, është totalisht e papranueshme. /BalkanWeb

Loading...
More in Aktualitet, Politike
I’u “sul” SHBA-së dhe sulmoi ashpër ndërkombëtarët! Zef Brozi nxjerr zbuluar Ilir Metën: Zbulon prapaskenat e rënda

Close