LAJMI I FUNDIT
Home . Blog . Republika e re pagëzohet me “vrasjen” e kryeministrit

Republika e re pagëzohet me “vrasjen” e kryeministrit

Nga Met Dervishi

Që do të ketë zgjedhje me apo pa opozitën është temë e ditës, dhe është një temë e rëndësishme me të cilën ushqehet e mund të ushqehet vazhdimisht me adrenalinë politike vëmendja e publikut.

Që Ilir Meta do të jetë apo nuk do të jetë me Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme është gjithashtu një temë e rëndësishme, pa të cilën  do të zvogëlohej doza e adrenalinës politike për publikun.

Që Nishani e dekretoi ministrin me lejen e Berishës apo me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, është gjithashtu një temë e rëndësishme për ushqimin e masave me adrenalinën e politikës, sa ç’është e rëndësishme për të kuptuar mekanizmat që prodhon demokracia jonë hibride për t’i mbajtur masat nën zgjedhën e politikës.

Por, jo më larg se sot, lideri i opozitës, z. Basha, e pagëzoi “republikën e tij të re” me “vrasjen” e kryeministrit. Kjo mund të kalojë pa u vënë re në morinë e portaleve dhe analizave që kërkojnë vazhdimisht adrenalinë të re për publikun, por kjo është më e rëndësishme se temat e ditës që prodhon politika për të na mbajtur në zgjedhën e saj.

Sot, z. Basha sot e ka pagëzuar republikën e tij të re me “vrasjen “ e një kryeministri, ekzekutimin publik të tij.

Sot, ai ka shpërndarë në eter  vizionin  e një Duçeje dhe të një kryeministri që mund të përfundojë kokëposhtë, i varur si ai.

Po sot ai ka shpërndarë në eter vizionin e një kryeministri, kufomën e të cilit mund ta gjenim në lumin e Lanës në një 18 shkurt të dytë.

Madje, dhe përgënjeshtrimi i Aurel Plasarit se nuk i është referuar Ramës, shkon po në të njëjtin drejtim, te Lumi i Lanës, aq sa shkon te Lumi i Lanës dhe lëkura e shpëtuar e një kryeministri.

Dy tri ditë më parë botova me “Tema online” shkrimin “Bunkeri”. Siç dhe në shkrimet e mia të mëparshme kam sinjalizuar rrezikun e metaforave vrastare në ligjërimin publik. Dhe në ato shkrime kam argumentuar që z. Basha është një klonim i z. Berisha, pikërisht për faktin se  ai s’po e kapërcen paraardhësin e tij, përkundrazi: retorika e tij është një ekzekutim publik  i kundërshtarit.

Ka plot miq të mi në Partinë Demokratike që e kanë quajtur këtë një ekzagjerim, të bindur, ndoshta vërtet, se z. Basha është një profil i ri politik europian, që është e drejta e tyre. Siç është dhe e drejta ime të them që z. Basha, me retorikën e tij, po e shnëdrron çadrën “ e” lirisë” së tij në një bunker, dmth, në një vatër zjarri për ekzekutimin e kryeministrit.

Kjo që ka ndodhur sot, me Duçen tyë varur kokëposhtë dhe me lumin e Lanës, me kufomën e kryeministrit, e vërteton këtë. Sado e dhimbshme mund të jetë, duhet të pranojmë që z. Basha është një riciklim, klonim i z. Berisha në retorikë.

Dhe, sado e dhimbshme të jetë për ne, demokratët, duhet ta pranojmë që traditën e kacagjelave Nano-Berisha, që inskenonin ekzekutimin publik të njëri-tjetrit gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve e ka kapërcyer Edi Rama.

Në fushatën e tij të parë, metafora më karakteristike e tij për paraardhësit ishte ”kryepleqtë e politikës së vjetër”, ku, përveç katundit të politikës sonë, nuk ka asgjë vrastare.

Më vonë, në fushatën e vitit 2013, metafora më karakteristike e fushatës së tij për kundërshtarin, z. Berisha, qe : “gjyshi apo katragjyshi me antiplumb”, në të cilën, gjithashtu, nuk ka asgjë vrastare përveç  ftesës për të kapërcyer mesjetën e kacagjelëve tonë të politikës.

Por tani kemi një kacagjel të ri që, mes një mase rrethore të rinjsh, shpërndan në eter vizionin e një Duçeje të varur kokëposhtë.

Dhë ky vision shpërndahet nga lideri i opozitës, duhet të jetë dhe është problem i rendit kushtetues. Politika e ditës është në të drejtën e saj për të prodhuar vazhdimisht adrenalinë për masat, por kur kërcënohet rendi kushtetues, kjo s’është më politikë në një republikë demokratike, por e kundërta e saj: ftesë për përmbysje të rendit kushtetues me “revolucion demokratik”.

Kuptohet që, përderisa nuk reagojnë,  ende nuk i kemi krijuar ato mekanizma që garantojnë qëndrueshmërinë e rendit tonë kushtetues, sa ç’kuptohet që është e domosdoshme t’i krijojmë.

Është fat që kryeministri ynë, ai që është i detyruar ta shohë kufomën e tij në Lumin e Lanës, nuk i merr seriozisht vizione të tilla, që t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë, siç kanë bërë kacagjelët e politikës sonë në të kaluarën.

Por kjo nuk nënkupton që institucionet kushtetuese, garante të demokracisë, duhet të heshtin. As portalet, as analistët, as madje dhe vetë anëtarët e Partisë Demokratike, askush nuk duhet të heshtë.

Jemi përballë këtij fakti të një europianizmi rrënqethës :

Lulzim Basha don ta pagëzojë “republikën e tij të re” me vizionin e një Duçeje të varur kokëposhtë dhe me një kufomë kryeministri në LuMin e Lanës.

Mos humbisni:
Një sqarim për fshatarët e Saliut dhe “puçin shtetëror” që donin të bënin me Nishanin

Close