LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Retro/ “Dhurata e Vitit të Ri” e Bashës për kunatin: 80 milionë, tender pa garë për blerje te Megatek

Retro/ “Dhurata e Vitit të Ri” e Bashës për kunatin: 80 milionë, tender pa garë për blerje te Megatek

Kunato-kracia ose historia e lidhjeve të biznesit ku shfaqet vazhdimisht Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës. Nga llomkat e vogla 70 mijë dollarëshe të dhëna me “procedurë me negocim” te mega-biznesi i plehrave të Tiranës që kap xhiron e 1.3 milionë eurove në muaj.

 

Microsoft Word - buletini nr.52 per publikim

Bashkia e Tiranës i ka dhuruar një tjetër tender një kompanie ku është prezent Erion Isufi, kunati i kryetarit të bashkisë Lulzim Basha. Bëhet fjalë për dhënien e së drejtës kompanisë “Megatek” për furnizimin me paisje mirëmbajtje për Ndërmarjen Nr.2 të Bashkisë së Tiranës, e cila konsiston në mirëmbajtjen e semaforëve të kryeqytetit. Ky prokurim është kryer në mesin e muajit Dhjetor të vitit të kaluar dhe Bashkia ka vendosur që për kryerjen e këtij prokurimi mos të shpallë një tender, por të zgjedhë një procedurë e cila zakonisht përdoret për blerje ose shërbime në kushte emergjence. Kjo është procedura pa shpallje paraprake, ose e njohur ndryshe si procedurë me negocim. Shuma totale që do i akordohet kompanisë për të bërë blerjet është afro 73 mijë dollarë.

Po çfarë është një procedurë me negocim?

Në fakt është një kalim fondesh nga shteti tek një subjekt privat pa patur kurrfarë gare, është institucioni i Bashkisë ai që përzgjedh kompanitë që do të marrin pjesë në negocime dhe më pas do të bëjë përzgjedhjen kompanisë së cilës do i akordohet fondi. Në rastin konkret përveç kompanisë Megatek, Bashkia ka ftuar në “negociata” edhe një tjetër kompani, por pak ditë më vonë Bashkia ka shpallur se prokurimi do të kryhej me kompaninë ku është prezent vetë kunati i kryetarit të Bashkisë. Ndonëse Shqipëria ka prej disa vitesh edhe një ligj që synon parandalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët shtetërorë, duket se Bashkia e Tiranës “e ka ndarë mendjen”, duke shënuar kështu një tjetër precedent në “kunatizimin” e këtij institucioni.

Biznesi
Kompania “Megatek” është në pronësi të biznesmenit të njohur Dionis Teqja, tashmë në kërkim si një nga shkaktarët e vërtet të vdekjes së Arditi të vogël. Por në Këshillin Mbikqyrës së kësaj kompanie është Erion Isufi, kunati i kryebashkiakut Lulzim Basha (foto shoqëruese zotërinjtë Teqja e Isufi). Përveç Isufit antare e Këshillit Mbikqyrës së kësaj kompanie është dhe avokatja Erinda Ballanca e cila është tejet e njohur pasi ka përfaqësuar në disa seanca gjyqësore kryeministrin e vendit, zyrtarë të lartë të qeverisë si dhe disa biznese të lidhura ngushtë me qeverinë. Lidhjet Isufi-Teqja vijojnë në një mënyrë edhe me konkrete në të tjera kompani. E tillë është përshembull “Reno Albania”, ku Isufi dhe Teqja rezultojnë bashkëaksionarë dhe kanë secili nga 50 përqind të aksioneve të kësaj kompanie.

Partneriteti mes të dyve është i konfiguruar edhe në të tjera kompani biznesi në Shqipëri, ndërsa emri i Isufit është lakuar fillimisht në medie në muajin Tetor 2008, kohë kur media po investigonte biznesmenin boshnjak Damir Fazllic dhe lidhjet e tij të fuqishme me qeverinë shqiptare dhe me vetë kryeministrin Berisha. Sikundër u zbulua, përveç transaksioneve të dyshimta nga Qipro me familjarë të kryeministrit, Fazllic rezultoi partner në biznes në dy kompani të tjera me Isufin.

Druri mbi romët (dhe xhiroja e mbeturinave 1.3 milion euro në muaj!)

Biznesi i mbledhjes së metaleve dhe riciklimit në kryeqytet përllogaritet në vlerën e 1.3 milionë eurove çdo muaj.

Tre muaj më parë e njëjta linjë ortakërie biznesi mes Teqjas dhe Isufit u  lakua në lidhje me një biznes shumë fitimprurës në Tiranë. Bëhej fjalë për biznesin e riciklimit të mbeturinave. Institucioni i Bashkisë ndërmori në muajt e verës së kaluar një aksion të gjerë nëpërmjet policisë bashkiake për ndalimin e të gjithë antarëve të komunitetit rom që mblidhnin skrap dhe mbetje metalike në pikat e mbledhjes së mbeturinave në Tiranë. Nga ana e Bashkisë u tha se ky aksion u krye për të frenuar fenomenin e ndotjes së kryeqytetit. Por ndërsa aksioni vazhdonte me zell të madh nga ana e policisë bashkiake, fillimisht u mësua se i gjithë aktiviteti që dikur zhvillohej nga komuniteti rom, ishte zëvendësuar me një pikë grumbullimi gjigande që po punonte në Vaqarr dhe që ishte licensuar nga ana e Bashkisë së Tiranës. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të medias për të bërë transparente kompaninë që po kryente procesin, Bashkia ruajti me fanatizëm emrin e kompanisë, derisa në medie u zbulua se bëhej fjalë për kompaninë “GRIN shpk”. Kjo kompani ishte pa përvojë dhe fillestare në biznesin e riciklimit dhe grumbullimit të mbetjeve, por fakti më interesant ishte se ajo ishte tërësisht në zotërim të një të riu të quajtur Oliver Shtylla.

Ky i fundit sikundër rezultoi, punonte prej vitesh si menaxher i kompanisë…. “Megatek”, madje vazhdonte çuditërisht të bënte punën e menaxherit në “Megatek” edhe pse kishte themeluar një kompani të vetën dhe kishte marrë një volum kolosal pune falë “bujarisë” së Bashkisë së Tiranës.  Biznesi i mbledhjes së metaleve dhe riciklimit në kryeqytet përllogaritet në vlerën e 1.3 milionë eurove çdo muaj.

Isufi, biznes me Fazllic që në vitin 2005

Erjon Isufi që Tetorit të vitit 2005, kohë kur sapo erdhi në pushtet Partia Demokratike themeloi tre kompani me shtetasin serbo-boshnjak Damir Fazllic madje ka qenë  administratori i të treja kompanive. Pas shpërthimit të skandalit “Fazllic” në vitin 2008 Erion Isufi u hetua nga ekipi i Task Forcës në prokurorinë e Tiranës për pastrim parash. Në shënjestër të prokurorëve ishte sidomos kompania “SRF Developments” e cila kishte kryer edhe një transaksion të shitjeve të kuotave të saj tek disa biznesmenë të huaj, transaksion ky që u pa me dyshim asokohe nga prokurorët si një manovër për pastrimin e parave. Gjatë nisjes së hetimeve prokuroria e Tiranës urdhëroi madje edhe sekuestron e disa pronave që ishin në emër të kompanive të Isufit, ndërsa ky i fundit reagoi asokohe menjëherë duke e quajtur të nxituar vendimin e prokurorisë që urdhëroi sekuestron e pronave të tij.  Akoma më tej Isufi e quajti të pamjaftueshme masën e heqjes së sekuestros dhe i kërkoi prokurorisë që ti kërkonte falje publike ose zyrtare për atë që Isufi e cilësoi shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.  Pavarësisht  pretendimeve të Isufit prokuroria vazhdoi hetimin në të njëjtat kushte për afro 5 muaj, por në tërësi hetimet për pastrim parash ndaj Damir Fazlliç dhe partnerëve të tij dështuan, sepse shumë nga veprimet financiare dhe transaksionet e dyshimta ishin kryer nga Qipro dhe nga Zvicra, ndërsa këto shtete shpërfillën interesimin e hetuesve shqiptarë për të dhënë informacion të detajuar në lidhje me këto transaksione.

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Ne, lehësit dhe Kryelehësi!

Close