LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Sport . Revoltohet boksieri Salihu, gris dekoratën e presidentes Jahjaga

Revoltohet boksieri Salihu, gris dekoratën e presidentes Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, i ka revokuar dekoratën boksierit Aziz Salihu. Në shenjë revolte ai ka grisur dekoratën e dhuruar nga Presidentja dhe ajo ja ka tërhequr, duke e konsideruar Salihun të padenjë për mbajtjen e saj. Sportisti prej kohësh jeton në kushte shumë të vështira ekonomike.

“Nuk më duhet dekorata kur nuk kam bukë për fëmijët. Dekoratë të njëjtë kam marrë edhe nga Tito, por në atë kohë i kam marrë pesë rroga”, ka thënë Salihu. Ai ka rrëfyer se shteti i Kosovës e ka harruar dhe s’ka bërë asgjë për ta ndihmuar, duke mos i dhënë asnjë lloj mbështetje. “Kurrë nuk kam marrë asgjë nga shteti i Kosovës. Përkundrazi shteti ka marrë nga unë. Jetoj në një banesë me qira. Tash e dy muaj nuk e kam paguar qiranë, dhe pronari i banesës mund të më lërë në rrugë. Kam kërkuar takim me presidenten, me kryeministrin dhe ministrin e Sportit, por asnjëri nga ata nuk më ka pranuar në zyrë”, tregon sportisti. Ish-fituesi i medaljes së bronztë në Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 1984′ shton gjithashtu se Serbia i ka ofruar një pension 1200 euro, të cilat ai i ka refuzuar duke dashur që këtë ofertë ta marrë nga Kosova. Duke kërcënuar se do të bëjë një veprim që askush s’e ka bërë më parë, ish-boksieri ka grisur dekoratën “Medalja Presidenciale e Meritave”.

Pas deklaratave dhe ankesave të boksierit kosovar Aziz Salihu, i cili grisi dekoratën në shenjë revolte, Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga ia ka tërhequr atë. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka vendosur që të revokojë dekoratën “Medalja Presidenciale e Meritave” dhënë sportistit Aziz Salihu, bazuar në nenin 14, paragrafi 1 dhe 4 i Ligjit për Dhënien e Dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës në të cilin thuhet: “Të dekoruarit mund t’i revokohet dekorata nëse vepron në kundërshtim me rendin publik, moralin dhe kryen vepra të tjera që e bëjnë të padenjë për bartjen e dekoratës”. (Neni 14, paragrafi 1 i ligjit për dhënien e dekoratave). Me dekoratë vlerësohet veprimtaria, aktiviteti dhe puna e dalluar e një qytetari, organizate dhe institucioni për meritat në fusha të caktuara dhe Presidentja Jahjaga me këtë motivacion e ka dekoruar Aziz Salihun.

Akti i grisjes së dekoratës e bën të padenjë bartësin e saj për mbajtjen e së njëjtës. Dekorata nuk ka ndonjë shpërblim financiar, apo ndonjë favor tjetër material dhe nuk mund të konsiderohet si mjet për të kërkuar përfitime materiale apo favore të tjera”, thuhet në një deklaratë të Presidencës.

Loading...
More in Sport
Ribery: Futbolli më shpëtoi jetën

Close