LAJMI I FUNDIT
Home . Opinione . Rruga e humbur e Lulzim Bashës

Rruga e humbur e Lulzim Bashës

Janë gati 5 vite të Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, kohë e mjaftueshme për të kuptuar vizionin e tij por edhe formimin si politikan. Për të mos nxjerrë një përfundim që në fillim, po sjellim disa fakte dhe ngjarje të ndodhura politike, që tregojnë rrugën e humbur nga Lulzim Basha apo qorrsokakun ku ka futur Partinë Demokratike.

Basha është një politikan që nuk i vlerëson institucionet e partisë, nuk i respekton funksionet e tyre statutore dhe për më tepër, ato i nxjerr jashtë funksionit, duke bërë kështu edhe dëmtimin e piramidës së strukturave. Këshilli Kombëtar i PD-së, një nga strukturat më të rëndësishme të kësaj partie, është zgjedhur para 4 viteve, u mblodh vetëm një herë dhe nuk është thirrur më asnjë mbledhje e dytë, edhe pse kanë kaluar dy fushata zgjedhore, si ato lokale dhe ato parlamentare.

Ky Këshill nxori një Kryesi, të cilën Basha e deformoi, gjoja në emër të hapjes, duke futur brenda saj dhjetëra përfaqësues departamentesh dhe numri i anëtarëve të Kryesisë ishte 3 herë më i lartë se ai Berishës. Kjo nuk dha asnjë rezultat konkret, përkundrazi, çoi në nivele të larta drejtuese, mediokër dhe të paaftë. Sot që shkruajmë, Lulzim Basha ka gati 6 muaj, që nuk drejton një mbledhje të Kryesisë së PD-së, pasi as atë nuk e thërret.

Në shumë nga degët kryesore siç është rasti i Durrësit, Basha ka shkarkuar kryetar dhe i drejton me kryetarë të komanduar. Në Gjirokastër, në Devoll, në Kukës, në Tiranë, degët nuk mbledhin dot as 50% të anëtarëve të Kryesisë. Ka një braktisje të madhe dhe përplasje, si pasojë e konflikteve të nxitura nga qendra në bazë.

Organizatat partnere, janë një tjetër institucion i hedhur në kosh të plehrave nga Lulzim Basha. Nxiti vetë përçarje dhe përplasje në FRPD. Ndërkohë organizata tjetër LDG, drejtohet prej shumë e shumë vitesh nga zonja Albana Vokshi, dhe kjo organizatë nuk ka zhvilluar zgjedhjet e saj.

Sekretariati por edhe departamentet, janë prej shumë e shumë kohësh, totalisht jashtë funksioni. Nuk kryejnë asnjë funksion shumë prej tyre. Basha është në dijeni, e shikon, por nuk ndërhyn.

Më tej vjen historia e këtyre 5 viteve në aksionin politik të Lulzim Bashës. Më shumë se një bosht i përcaktuar, projekt dhe filozofi e qartë, aksioni politik i Lulzim Bashës, që nga zgjedhja e tij kryetar dhe deri më sot, ka rezultuar dështim. Ai nuk ka pasur një program, nuk ka pasur një platformë politike, kryesisht ka ndjekur nga pas lëvizjet e Ramës, ka lëvizur i çoroditur, ashtu si vetë qeveria e bëmave dhe gjëmave, “Rama-Meta” apo “Rama 2”.

Lulzim Basha nuk ka pasur një projekt politik, për ta ngritur PD-në në një nivel tjetër. Nuk ka pasur një strategji të qartë, por ka lëvizur si i çoroditur dhe në fund pasojat i ka marrë Partia Demokratike.

Lulzim Basha nuk po përfaqëson më ish-të përndjekurit politik, nuk ka shpallur kurrë programin e opozitës për ish-pronarët, dy nga shtyllat kryesore të PD-së, janë braktisur.

Nuk është shfaqur kurrë një projekt për rininë, dhe një platformë për punësimin. Pati një program, i cili në zgjedhjet e fundit katandisi dy fletë fletoreje dhe asgjë më shumë se kaq.
Për më tepër, PD, ka në grup parlamentar edhe përfaqësues të LGBT, që ndoshta nuk është çudi të votojnë pro martesave gay.

Rruga e humbur e Lulzim Bashës, ka të bëjë edhe me faktin se ai e ka lëvizur Partinë Demokratike, nga një forcë konservatore, dhe me një bosht të djathtë qartazi, drejt një partie liberale, që në fakt bën grindavecin, kur duhet të shtrijë dorën dhe shtrin dorën atëherë kur duhet të qëndrojë për të treguar potencën e vërtetë politike që ajo përfaqëson.

Lulzim Basha, i ka shembur kollonat kryesore Partisë Demokratike, jo vetëm nga ana organizative dhe strukturore, por edhe asaj që duhet të përfaqësonte kjo forcë, e cila 27 vite më parë shembi një sistem dhe ka bërë jo pak beteja në jetën politike të Shqipërisë. Pësoi një humbje katastrofike në zgjedhje dhe nuk bëri as edhe një analizë. Së fundi po duket qartazi se forcën e qendrës së djathtë, Lulzim Basha po e kthen në një parti të mirëfilltë të qendrës, por më afër të majtës.

Luli prej disa ditësh po merret thelbësisht me çështjen e ndihmës ekonomike. Një forcë e djathtë, nuk merret me ndihmën ekonomike, por shpalos filozofinë e saj për punësimin dhe mbështetjen e biznesit. Por si të gjithë punët e tjera që tashmë i ka bërë lëmsh, edhe kjo filozofi e fundit e përdorur nga Basha, reflekton paaftësinë, mediokritetin dhe mungesën e një stafi profesionist në krah të kryetarit të PD.

Partia Demokratike në bazë, duket e shpartalluar. Strukturat drejtuese në qendër, jashtë funksionit. Lulzim Basha pretendon hapjen e PD-së, nga ana tjetër ajo është më e mbyllur dhe më e dobët se kurrë. Megjithëse përballë ka qeverinë e bëmave dhe gjëmave të Edi Ramës, dhe me gjithë skandalet e ndodhura, Basha do të ishte shpresa e shqiptarëve, por ai nuk është. Ai ndodhet në kuota më të ulëta se vetë Edi Rama. Kreun e zgjedhur të PD, dy herë me vota të vjedhura dhe manipulime, nuk e besojnë më as ata që zgjodhi për 4 vite t’i mbante si ushtar nga pas, e jo më ta besojnë shqiptarët.

Kur përballë ke një qeveri, droge, krimi e mjerimi dhe shqiptarët nuk të ndjekin nga pas, fajin nuk e kanë shqiptarët. Ata kërkojnë një opozitë reale, përfaqësuese, e cila bën beteja kundër qeverisë, nuk tradhton kauza, nuk është “qurravece” dhe amatore, ashtu siç e ka bërë Lulzim Basha.

Lulzim Basha ka humbur rrugën, dhe duket e vështirë që ai ta gjejë atë. Ndërsa shqiptarët kanë nevojë për një opozitë të vërtetë, të cilën nuk e përfaqëson Lulzim Basha, i cili fatkeqësisht në vend të Partisë Demokratike, po konfiguron partinë e tij pseudo liberale, totalisht personale. Ajo që drejton Lulzim Basha, nuk është më PD-ja e vërtetë. Megjithëse mund të kenë ngelur disa qindra militantë, të cilët janë të dashuruar me logon e PD-së, të cilën Basha e zhduku disa muaj më parë duke shpikur “Republikën e Re”, apo që janë të lidhur me Berishën dhe qëndrojnë aty për inerci.

Rruga e humbur e Lulzim Bashës, po e çon edhe PD-në drejt një rruge pa krye. Ai e ka lënë këtë forcë politike pa shtyllë kurrizore, thuajse po e çmonton çdo ditë e më shumë, vetëm për interesin e tij. Tani çdokush që mund të dalë për të përfaqësuar opozitën e kërkuar nga shqiptarët, është një vlerë jo vetëm e shtuar, por do të tregojë atë që të gjithë po e kuptojnë, interesin klientelist dhe paaftësinë epike të Lulzim Bashës, që vazhdon të ecë me shpejtësi në rrugën e tij të humbur. /CNA.al

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Ne, lehësit dhe Kryelehësi!

Close