LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ruçi dhe Meta përplasen për Kushtetuesen, Kuvendi pritet të zgjedhë më 14 nëntor anëtarët e rinj, presidenti del kundër, ja sherri për afatet

Ruçi dhe Meta përplasen për Kushtetuesen, Kuvendi pritet të zgjedhë më 14 nëntor anëtarët e rinj, presidenti del kundër, ja sherri për afatet

Gjykata Kushtetuese kthehet në mollë sherri mes Presidencës dhe Kuvendit. Reforma në drejtësi ka përplasur disa herë këto dy institucione, por duket se këtë herë ka mosmarrëveshje për vendet vakante në Kushtetuese. KED u ka dërguar listën e kandidatëve institucioneve në fjalë prej disa ditësh dhe duhet që secili të zgjedhë nga dy emra. Meta tashmë e ka zgjedhur anëtarin e parë dhe ai është Besnik Muçi.

Ky i fundit u zgjodh anëtar për vendin vakant të datës 07.02.2018. Ndërkohë presidenti duhet që të zgjedhë mes Arta Vorpsit, Fiona Papajorgjit, Elsa Toskës dhe Marsida Xhaferllarit për vendin vakant të datës 04.03. 2019. Ndërkohë Kuvendi duhet të plotësojë vakancat e datave 12.02.2018 dhe 04.03.2019. Por pikërisht radha e vakancave mësohet se po përplas këto dy institucione. Të martën pritet të mblidhte Konferenca e Kryetarëve në Parlament, e cila do të miratojë kalendarin për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Burime nga PS bënë me dije se po përflitet data 16 nëntor si data më e mundshme, ku do të zgjidhen kandidatë për të dyja vendet vakante. Por kjo metodikë nuk është mbështetur nga Presidenca, e cila pretendon se shkelet Kushtetuta. Kjo e fundit shprehet se, “anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Interpretimi i këtij paragrafi duket se përplas palët.

Meta ka afat deri më 8 nëntor të zgjedhë emrin e dytë, por ai pretendon se duhet që fillimisht të zgjedhë Kuvendi anëtarin e tij të parë dhe presidenti më pas. Por socialistët kanë një interpretim ndryshe. Sipas tyre, përcaktimi Kushtetues përcakton radhën e vendeve vakante që duhen plotësuar dhe jo radhën e veprimit të institucioneve. Secili institucion ka 30 ditë afat dhe e zgjedh kur të dojë, sipas tyre. Pra më 16 nëntor Kuvendi plotëson vakancën e dytë dhe të katërt. Por Presidenca mësohet se e kundërshton një gjë të tillë, duke pretenduar se duhet ndjekur radha institucionale. Pra po këmbëngulet që një anëtar të zgjidhet para 8 nëntorit nga Kuvendi, në mënyrë që më pas të ketë afat Presidenca të zgjedhë anëtarin e saj. Mbetet të shihet si do veprojë Kuvendi, por gazeta ka mësuar se nëse vendoset që më 16 nëntor të plotësohen të dyja vakancat, Meta do e ktheje mbrapsht vakancën dhe do kërkojë që KED t’i ridërgojë kandidatët, pra duke sjellë zvarritje. Megjithatë gjithçka është interpretim kushtetues dhe do jenë juristët e të dyja institucioneve që do e zgjidhin.

Përcaktimet në ligj

Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar. /Kliti Topalli

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Avokati Romeo Kara: Ja si Meta pritet të shohë dyert e burgut! Kur të hapen letrat do dalin çudira në pasurinë e çiftit presidencial… Berisha sfida kryesore e drejtësisë

Close