LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . SHBA “shuplakë” mediave pranë opozitës për rrjetin 5G, Huawei deklaron se nuk ka asnjë angazhim në Shqipëri

SHBA “shuplakë” mediave pranë opozitës për rrjetin 5G, Huawei deklaron se nuk ka asnjë angazhim në Shqipëri

“Lufta” për kontrollin e rrjetit 5G, që pritet të sjellë një revolucion të ri botëror, ka kapur tanimë edhe Shqipërinë. Gjermania është një nga vendet e Evropës që ka lejuar rrjetin 5G. Ndërkohë që, në Shqipëri ambasada amerikane dha alarmin për sigurinë kombëtare dhe rrezikun e gjigantit kinez Huawei. Ndërkohë pas reagimit dhe paralajmërimit që bëri ambasada e SHBA-ve, në media plasi një debat, që mesa duket ka detyruar ambasadën që të sqarojë edhe njëherë qëndrimin e saj, duke mos lënë vend për keqkuptime.

Ishin mediat pranë opozitës dhe disa përfaqësues nga opozita, të cilët i keqinterpretuan fjalët e ambasadës amerikane. Mediat pranë opozitës përfituan nga rasti për të hedhur akuza ndaj qeverisë shqiptare, duke thënë se kjo e fundit po del kundër Amerikës dhe po lidhet me Kinën. Ndërkohë që, vetë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla bëri thirrje që të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm me rrjetin 5 G, pasi sipas tij, bëhet fjalë për sigurinë kibernetike dhe atë kombëtare. Duke lënë mënjanë betejën midis kompanive të telekomunikacionit në vend, Ambasada e SHBA-së sqaron se qasja e saj lidhet me konkurrencën që vjen nga Kina dhe kjo u theksua edhe nga e ngarkuara me punë, Leyla Moses-Ones. “Faktet kanë rëndësi. “Gazetaria” shkel e shko dhe çorientuese, që synon të shtrembërojë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rrjetin 5G, nuk e ndryshon të vërtetën. Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G. E Ngarkuara me Punë Leyla Moses-Ones e tha këtë javën e kaluar në Konferencën “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar dje ambasada amerikane.

Ndërkohë ambasada ka theksuar se vendi ynë është duke vepruar në mënyrën e duhur, pasi po tregohen vigjilent dhe nuk po nxitohet. “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, shkruhet në faqen e ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Edhe Yuri Kim, ambasadorja e re amerikane në Tiranë, gjatë seancës dëgjimore në Senat, theksoi se për Shqipërinë nuk paraqitet rreziku vetëm nga Rusia, por edhe nga Kina, e cila po përpiqet të shtrijë ndikimin në vend nëpërmjet investimeve strategjike. Sakaq, rrjetin 5 G e komentoi edhe e ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses Ones pak ditë më parë. “Përsa i përket vendndodhjes gjeostrategjike, ju e dini se revolucioni 5G po vjen: ndërlidhja e rrjeteve 4G të Shqipërisë së shpejti do të përmirësohet; ndërlidhja e vendit të saj gjeostrategjik në hartë është e rëndësishme sepse ka vende si Kina që do të dëshironin të kapnin mënyrën e jetesës dixhitale të Ballkanit Perëndimor për të thithur informacione prej tyre dhe asfiksuar rrjetet e aleatëve të SHBA-së. Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje”, deklaroi Moses Ones.

Reagimi i Huawei

Pas debateve që kanë lindur mbi rrjetin 5G në Shqipëri, ka reaguar edhe gjiganti kinez Huawei.

Në deklaratën e shpërndarë së fundmi, Huawei ka theksuar se nuk ka bërë asnjë pilotim apo testim 5G në Shqipëri deri tani, dhe gjithashtu nuk ka ndonjë kontratë ose angazhim për të zhvilluar 5G në Shqipëri. Po gjithsesi kompania kineze ka nënvizuar ofron një siguri të lartë në internet dhe kjo është arsyeja pse midis 60 kontratave 5G, 31 prej tyre janë nga Evropa. “Huawei është shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e sigurisë në internet, dhe ne ndajmë shqetësimet për këtë siguri në Shqipërisë. Pasi klientët e Huawei blejnë pajisjet, ata kontrollojnë të gjitha aspektet e hyrjes në rrjet, përfshirë sigurinë e sistemeve të tij dhe të dhënat e përdoruesit”, ka deklaruar kompania kineze. /Arbjona ÇIBUKU

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Ulërima dhe panik: Rrëzohet tavani i godinës së Teatrit, disa qytetarë të lënduar (Video)

Close