LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Sheshi “Skënderbej”, Rama: Ambicia jonë për Tiranën fitoi, mirënjohje Veliajt; Kryebashkiaku: Të bashkohemi si kurrë më parë për Tiranën dhe Shqipërinë që duam (Foto)

Sheshi “Skënderbej”, Rama: Ambicia jonë për Tiranën fitoi, mirënjohje Veliajt; Kryebashkiaku: Të bashkohemi si kurrë më parë për Tiranën dhe Shqipërinë që duam (Foto)

Sheshi “Skënderbej”, Rama: Ambicia jonë për Tiranën fitoi, mirënjohje Veliajt; Kryebashkiaku: Të bashkohemi si kurrë më parë për Tiranën dhe Shqipërinë që duam

Plot 100 vite nga krijimi, sheshi “Skënderbej”, vendi simbol i shqiptarëve ka marrë një pamje krejtësisht të re. Përmes një ceremonie të veçantë, Bashkia e Tiranës hapi sot pasdite sheshin “Skënderbej”, i cili do të jetë tërësisht në dispozicion vetëm të këmbësorëve. Për të ndjekur këtë moment, mijëra njerëz të ardhur nga të gjitha trojet mbushën sheshin “Skënderbej”. Kjo është hera e dytë që sheshi mbledh mijëra njerëz, që pas ardhjes së James Baker në vitin 1991.

Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Rama zbuloi dhe disa nga emocionet e tij për transformimin e këtij sheshi, simbol të shqiptarëve, ndërsa tha se ky ndryshim nuk do të ishte i mundur pa kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Hera e parë që nuk shkruaj dot një fjalim. Më dridhen gjunjët, besojeni ose jo, është nga fjalimet e rralla që do të jetë i shkurtër. Kam kaluar në shesh para disa ditësh dhe nuk i mbaja dot lotët, sepse e kam besuar shumë fort në zemër dhe në mendjen me të gjithë e qenies sime, që Shqipërisë i duhej ky shesh dhe ka pasur momente, që jam dorëzuar duke menduar se nuk do të bëhet kurrë. Dhe kur ecnim atë natë me Lindën më dukej e pabesueshme, që megjithë se zgjati 10 vite sheshi i Skënderbeut rilindi dhe ambicia jonë për Tiranën fitoi. Pa diskutim, që nuk do të ishim këtu nëse nuk do të kishim Lali Erin, i jam mirënjohës që e mori projektin dhe e çoi deri në fund”, tha Rama teksa shtoi se ndihet një nga më të lumturit. “Sa shumë gjëra më vijnë sot pas 10 vitesh duke e ëndërruar këtë ditë dhe këtë shesh, tani që sheshi është këtu, para syve të mi, besomëni, jam gati të bëj një garë në këtë moment dhe ta fitoj, jam njeriu më I lumtur mes shqiptarëve”, theksoi Rama.

Kurse Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi sheshin “Skënderbej” si një nga më të bukurit në botë, duke u kthyer në një hapësirë fantastike dhe një nga destinacionet kryesore të gjithë shqiptarëve dhe të turistëve të shumtë. “E kam ndjekur punën për këtë shesh në çdo ditë e çdo orë të 10 muajve të fundit. Çdo pllakë, çdo gur, çdo pemë, çdo shkurre, shatërvanët, ndriçimin… Sot, që e shoh sheshin jo vetëm të përfunduar, por me kaq shumë qytetarë, me kaq shumë miq e të ftuar. Kur shoh kaq shumë entuziazëm, kaq shumë fytyra të gëzuara dhe qytetarë që kanë ardhur këtu nga çdo anë e Tiranës e më tej, nuk kam më asnjë dyshim. Kjo është një hapësirë fantastike. Ky është një nga sheshet më të bukura në botë, ashtu siç i takon një hapësire që iu përket të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj falënderoi për mbështetjen Kryeministrin Edi Rama, i cili ishte i pari që besoi në këtë projekt dhe e ndoqi atë me pasion deri në përfundim të punimeve. “Dua të falenderoj një mik të mirë, njeriun që transformoi Tiranën dhe që pati i pari vizionin për transformimin e Sheshit Skënderbej, që besoi tek ky projekt dhe e ndoqi atë me një pasion e energji që u kthye në burim frymëzimi për të gjithë ne. Tirana, shqiptarët nuk do të kishin sot një shesh kaq të bukur pa mbështetjen, pa idetë, dhe pa vizionin e Edi Ramës. Tirana është me fat që ka sot Edi Ramën. Shqipëria është me fat që ka sot një kryeministër që po bën për çdo qytet në Shqipëri atë që bëri për Tiranën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha një përgjigje edhe për të gjithë ata skeptikë në lidhje me shehsin Skënderbej.

“Unë këto ditë kam dëgjuar akuzat, histerinë, fantazitë e shfrenuara edhe para pak minutash. Edhe pse e kanë kapur këtë komb peng prej 27 vitesh, nuk munguan që të hidhnin helm edhe për këtë projekt. Por kam dëgjuar më fort, jo këtë minorancën e zhurmshme por atë shumicën e heshtur që shfaqet sot. Kam dëgjuar mirësinë, inkurajimin, bekimin e të gjithë njerëzve të mirë të këtij qyteti që fatmirësisht janë shumica dërrmuese e qytetit tonë. Unë e kam dëgjuar zhurmën, edhe për këndin e lodrave, edhe për Pazarin e Ri dhe për Unazën e Vogël, edhe për Parkun Olimpik, por di t’ju them që Shqipëria që fiton është Shqipëria e punës, jo Shqipëria e zhurmës. Ndaj sot kam një thirrje publike për të gjithë, të majtë dhe të djathtë, të zhurmës dhe të punës, ka ardhur koha që përtej cic miceve, të jetë Tirana, përtej zhurmës të jetë Shqipëria e përtej sherreve të jetë kombi ynë I madh, kombi shqiptar”, tha ai.

Veliaj tha se ka më shumë gjëra që i bashkojnë shqiptarët se sa i ndajnë. “Unë jam i bindur më shumë se kurrë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë. Ndaj le të bashkohemi si kurrë përpara për Tiranën që duam dhe për Shqipërinë që duam. Le të jetë ky një fillim i ri që tregon se çfarë është e mundur kur ne shqiptarët bëhemi bashkë. Përtej bindjeve dhe partive, janë shqiptarë, është flamuri kuq e zi dhe është Shqipëria jonë e dashur”, tha ai.

Veliaj deklaroi se Sheshi Skënderbej është një simbol uniteti njësoj siç është një simbol uniteti edhe figura e heroit tonë kombëtar, por ai është njëkohësisht edhe mishërim i vizionit që udhëheq sot shqiptarët kudo që jetojnë. “Sot sfida jonë natyrisht nuk është më sfida me të cilën u përballën etërit e kombit 139 vjet më parë. Sfida nuk është më lufta dhe mbijetesa, por puna dhe zhvillimi. Janë këto parimet mbi të cilat mbështetet sot uniteti i shqiptarëve, kudo që jetojnë e punojnë. Puna për të ndërtuar shtet në Shqipëri e Kosovë, puna për t’u dhënë një jetë më të mirë qytetarëve tanë, bashkëpunimi për të ndarë me njëri tjetrin sukseset e arritjet, por edhe për t’i dhënë njëri tjetrit një dorë për të shkuar përpara drejt atij që është objektivi ynë më i madh: ndërtimi i shoqërive moderne që në një të ardhme jo të largët do të hyjnë sëbashku në familjen e madhe të kombeve europiane”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se një shëtitje përmes hapësirës së Sheshit Skënderbej është në fakt si një udhëtim simbolik përmes hapësirës së banuar me shqiptarë ku çdo hap i hedhur të çon nga treva në trevë, sepse Sheshi Skënderbej është konceptuar si një metaforë e bashkimit.

U deshën 10 muaj punë për t’i dhënë jetë projektit të Sheshit “Skënderbej”. Inaugurimi I tij ditën e sotme përkon dhe me 139 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt në 10 qershor 1878. Emri Sheshi Skënderbej u përdor për herë të parë në vitin e largët 1913, për hapësirën që shtrihet sot përpara Xhamisë së Et’hem Beut. Puna filloi në fakt fiks 100 vjet më parë, në vitin 1917 kur u ngrit edhe ndërtesa e parë e parlamentit shqiptar. Elementët kryesor të këtij sheshi janë gjelbërimi, gurët natyral, uji që do të përdoret për shatërvanët dhe vaditjen për pjesët e gjelbëruara dhe ndriçimi i godinave rreth e qark sheshit dhe të vet sheshit. Sheshi është shtruar gurë natyralë në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 cm dhe që janë marrë nga të gjitha trojet e Shqipërisë, duke nisur nga Tropoja dhe Kukësi, Bilishti, Librazhdi, gëlqerorët e Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Berati, Vlorës, Krujës, Bulqizës, Prizrenit, Ersekës, Skraparit etj. Janë 28 000 metra katrorë sipërfaqe e shtruar me gurë nga çdo trevë e banuar me shqiptarë.

Një element shumë i rëndësishëm i këtij sheshi është edhe gjelbërimi. Ky projekt ka sjellë në qendrën e Tiranës, varietete drurësh dhe bimësh nga e gjithë Shqipëria. Janë 32 000 metra katrorë oaze e pyll urban me bimësi nga çdo krahinë ku jetojnë shqiptarë, të gjitha në funksion të qytetarëve, të aktiviteteve artistike, kulturore, panaireve, koncerteve apo thjesht shëtitjeve e xhirove në orët e pasdites, në freskinë e pemëve. Në shesh janë ndërtuar dhe 11 lulishte. Në total janë mbjellë 2,220 pemë, 4,500 shkurre dhe 70,000 lule. Një risi tjetër për vendin tonë e këtij sheshi është këndvështrimi ekologjik i tij duke shfrytëzuar ujin e shiut në sistemin e vaditjeve dhe shatërvanëve. Për të bërë të mundur këtë poshtë sheshit janë ndërtuar rreth 2100 m3 rezervuare për ujin. Ajo që vjen si risi në krahasim me projektin që zbatoi bashkia e mëparshme është se tashmë sheshi nuk është konceptuar më si një rotondo për makinat por si një qendër e vërtetë e qytetit dhe jo vetëm. E gjithë zona rreth Muzeut Kombëtar ka disa minisheshe dhe parqe të vegjël që krijojë mjaftueshëm hapësirë për intimitet dhe për aktivitete publike më të vogla, por sigurisht dhe pjesa qendrore për të siguruar ato hapësira më të mëdha që do të shërbejnë qoftë për tubime politike apo artistike, apo festa kombëtare. Nga një raport 85% hapësirë e ngurtë me 15 % hapësirë e gjelbër projekti i ri e kalon sheshin në një raport 50% me 50%. Pra është rritur me 35% hapësira e gjelbër në shesh. Tjetër risi është padyshim fakti që sheshi nuk është më i lejueshëm për makinat por përfshi edhe zonat përreth do kthehen në pedonale. Një element tjetër i shtuar sheshit është edhe parkimi i parë publik nëntokësor. Ai ka një kapacitet prej 358 makinash dhe përveç parkimit do të ofrojë edhe mundësi për karikimi për makinat që funksionojnë me energji, kjo si një mënyrë për të stimuluar makinat ekologjike.

Komento
Loading...
Mos e Humbisni
Katallani dhe Daullexhiu trim!

Close