LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Shkarkimi i Metës, SHBA del në krah të Rudina Hajdarit

Shkarkimi i Metës, SHBA del në krah të Rudina Hajdarit

Ndizet lufta për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Mazhoranca e ka bërë të qartë se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, por edhe presidenti Meta nuk po rri pa lëvizur gurët. Pak kohë më parë Parlamenti i Shqipërisë votoi me 101 vota pro ngritjes së komisioni hetimor që po heton shkeljet kushtetuese të presidentit. Ky komision ka nisur punë, ndërsa iu drejtua Komisionit të Venecias, duke kërkuar përgjigje për plot 8 pyetje.

Ndërkohë, Venecia foli, teksa në raportin e saj përfundimtar ka shkruar e bardha në të zezë se Meta tejkaloi kompetencat më anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Këto konkluzione të Komisionit të Venecias për mazhorancën mjaftojnë, e cila është e bindur se Meta duhet shkarkuar. Por nisur nga zhvillimet e ditëve të fundit, gazeta ka mësuar se Presidenti Meta është hedhur në aksion, pasi i trembet një shkarkimi të mundshëm nga mazhoranca. Sipas ligjit, shkarkimi i presidentit nga detyra kërkon 94 vota, ndërkohë që votimi është i fshehtë.

Luftë e fortë në prapaskenë

Duke qenë se mazhoranca qeverisëse nuk i ka e vetme aq vota, mësohet se Meta ka nisur lobimet pranë deputetëve të mazhorancës, por edhe atyre të opozitës së re parlamentare, duke tentuar pazare dhe përçarje. Rasti më i fundit ishte plani për të përçarë grupin parlamentar të Rudina Hajdarit, me qëllim që të mos siguroheshin votat e nevojshme të shkarkimit. Por dje presidenti ka marrë goditje frontale sa i takon lëvizjeve të tij për të nxjerrë jashtë loje Hajdarin. Ka qenë kjo e fundit, e cila ditën e djeshme ka publikuar në rrjetet sociale një letër që ka marrë nga senatori amerikan Roger F. Wicker.

Sipas saj që thuhet në letër, senatori i kërkon zonjës Hajdari që të qëndrojë e fortë, pasi ka mbështetjen e SHBA-ve. “Ishte nder dhe kënaqësi të takohesha me ju në takimin e OSBE-së në Marakesh. Mësova shumë dhe besoj se delegacioni ynë arriti mirëkuptimin për interesat tona të përbashkëta. Shpresoj të më thërrisni nëse do të keni nevojë për ndihmën time. Gjithë të mirat! Roger Wicker (Bëhu e fortë)”, shkruhet ndër të tjera në letrën e senatorit Wicker, drejtuar deputetes Hajdari.

Pra, duket qartë se letra nuk është vetëm një mbështetje për zonjën Rudina Hajdari, por është edhe një goditje e hapur që SHBA-të po i japin presidentit Meta. Ky i fundit tentoi të krijonte konflikt mes deputetëve, por letra e mësipërme shton zërat që qarkullojnë në kanalet politike se shkarkimi i Metës është lojë e ndërkombëtarëve dhe gjithçka do të shkojë deri në fund.

Meta var shpresat tek Berisha

Mirëpo, pavarësisht goditjes që po i jep mazhoranca, disa deputetët të opozitës parlamentare dhe ndërkombëtarët, presidenti Ilir Meta duket se nuk është tërhequr nga tentativat për të bërë për vete sa më shumë deputetë, në mënyrë që kur raporti i komisionit hetimor të shkojë për votim në Kuvendin e Shqipërisë, socialistët ta kenë të pamundur arritjen e 94 votave. Në kushtet, kur tentativat e tij po dështojnë, Meta i ka varur shpresat tek ish-kryeministri Sali Berisha.

Sinjali më i freskët ka ndodhur kësaj jave, teksa zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli është parë, duke pirë kafe me deputetin e opozitës, Ralf Gjoni në një nga lokalet e Tiranës. Pra, kjo tregon se Meta i ka kthyer sytë nga Berisha dhe se po bëhet një luftë e fortë në prapaskenë, në mënyrë që të mos sigurohen 94 vota në Kuvend për shkarkimin e tij. Sipas burimeve, një pjesë e deputetëve që tentuan largimin e Hajdarit janë të Berishës dhe urdhri ka ardhur pikërisht prej tij. Por duket se të dyja palët dështuan dhe SHBA u dërgoi një mesazh të qartë dje se e mbështet opozitën e re dhe po ashtu forcohen zërat se shkarkimi i Metës ka marrë fund.

Loading...
More in Aktualitet
“Më thërmove zemrën në 1000 pjesë o Tonçe”, mesazhi i Blerina Gjylametit për vëllain e saj që humbi j.etën në aksident

Close