LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Kronik . Shpërthejnë 2 puse nafte në Marinzë: Evakuohen banorët, ekziston mundësia për shpërthim

Shpërthejnë 2 puse nafte në Marinzë: Evakuohen banorët, ekziston mundësia për shpërthim

Dy puse nafte kanë shpërthyer sot, në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë, në Fier, shumë pranë zonave të banuara, ndërsa pas tyre janë krijuar dhjetra vatra që çlirojnë gaz. Pas shpërthimit në ajër janë shpërndarë re të mëdha tymi dhe erë gazi, ndërsa nga nëntoka ka shpërthyer nafta e uji. Nafta e uji kanë përmbytur rrugët.
Shpërthimet kanë shkaktuar panik dhe pasiguri tek banorët, pasi rrezikohen banesat e fshatit, të cilat ndodhen pranë shumë pranë vendeve të shpërthimit. Fatmirësisht nuk ka pasur njerëz të lënduar nga shpërthimi, ndërkohë që po punohet për evakuimin e banorëve.

Për arsye sigurie janë evakuuar banorët, banesat e të cilëve ndodhen pranë pusit. Banorët e alarmuar rrëfyen edhe momentet e shpërthimit, ndërsa nuk e fshehin frikën. “Ndihemi të rrezikuar”,- thonë ata.

Si pasojë e shpërthimit është bllokuar rruga Fier-Marinzë, ndërsa është mbyllur edhe shkolla, e cila ndodhet shumë pranë vendit të ngjarjes.

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri është nisur drejt Marinzës, pas dy shpërthimeve në dy puse nafte.

Prefekti i Fierit, zoti Xhevit Bushi e cilësoi problematike situatën e krijuar nga shpërthim ii fontanës së një pusi nafte, që sipas tij i përkiste kompanisë “Bankers Petrolium”.

Si pasojë e shpërthimit janë krijuar dhe 40 apo 50 fontana të vogla të cilat çlirojnë gaz, ndërsa prej tyre rrjedh edhe ujë. Bushi apeloi që të gjithë banorët të lënë banesat e tyre, pasi situata është problematike dhe mund të shpërthejë edhe zjarri. Ai shtoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri ndërsa emergjencat civile kanë marrë masat për të akomoduar banorët që lënë banesat.

“Ka shpërthyer fontana e një pusi, nuk dihet në çfarë thellësie, më e keqja është se ka marrë damarë të tokës e ujërave të zeza. Eshtë situatë problematike dhe emergjente për rrezikshmërinë që ka. Iu bëj thirrje banorëve të largohen, të mos kemi viktima, mund të shpërthejë edhe në zjarr. Kemi marrë masa për sistemimin e tyre, bëmë mbledhjen e emergjencave. Të gjitha strukturat janë në gatishmëri”, tha Bushi.

Kompania Bankers Petroleum, të cilës i përkasin puset, bëri të ditur se, “aktivizoi planin e ndërhyrjes për emergjencat në përgjigje të një rrjedhjeje të pakontrolluar gazi natyror në një pus kur po kryheshin operacione shpimi”.

Gjithashtu kompania bëri të ditur se nuk raportohen të lënduar, ndërsa gazi që ka rrjedhur është gaz i ëmbël dhe i padëmshëm.

“Stafi operacional dhe i sigurisë i kompanisë në bashkëpunim me qeverinë lokale, kompaninë pulbike “Albpetrol” dhe policinë e shtetit ka marrë të gjitha masat paraprake duke përfshirë edhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e prekur”, njoftoi “Bankers Petroleum”.

Operacionet po vazhdojnë për ta ndalur pusin, për të kthyer banorët në shtëpitë e tyre dhe më pas për të filluar operacionet për pastrimin e zonës së prekur

Loading...
More in Kronik, Kryesore
Parandalohet vrasja për gjakmarrje: Dorasi u pagua 15 mijë € për krimin

Close