LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Shtyhet verifikimi tokave bujqësore deri në vitin 2015

Shtyhet verifikimi tokave bujqësore deri në vitin 2015

Qeveria ka vendosur të shtyjë deri në vitin 2015 procesin e verifikimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Përmes një projektligji të miratuar dje, Këshilli i Ministrave ka për qëllim shtyrjen për një periudhë 2 vjeçare të afatit ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë, i cili, nga data 31 dhjetor 2013, që është aktualisht, propozohet të përfundojë më 31 dhjetor 2015.

Njëherësh, qeveria parashikon ndryshime edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2008, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Diçka e tillë bëhet me qëllim riorganizimin e Sekretariatit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, duke e përfshirë atë si njësi në përbërje të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.

Pas vitesh pune për verifikimin e titujve të pronësisë në zonat rurale, ende nuk ka mbaruar regjistrimi përfundimtar i tokës bujqësore. Një prej arsyeve kryesore ka të bëjë me faktin se kryesisht në zonat malore e kodrinore, pas vitit 1990, tokat janë ndarë me mirëkuptim, sipas kufijve të vjetër, ndërkohë që pronarëve nuk u lind e drejta e marrjes së titujve të pronësisë sipas Ligjit 7501. Komisionet vendore të verifikimit të titujve të pronësisë janë ngritur prej vitesh e funksionojnë pranë prefektëve të secilit qark, por pa një rezultat përfundimtar. Për regjistrimin përfundimtar të tokës bujqësore, u mendua pajisja e këtyre pronarëve, që përfaqësojnë dhjetëra-mijëra familje, me vërtetimet përkatëse, që do t’u mundësonin regjistrimin e pronës në kadastër.

Loading...