LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Ekonomi . Skamja në Bulqizë/ Fëmijëve të familjeve të varfëra do u ndalohet të mbledhin krom, ndëshkim të ashpër firmave që blejnë krom të mbledhur prej tyre

Skamja në Bulqizë/ Fëmijëve të familjeve të varfëra do u ndalohet të mbledhin krom, ndëshkim të ashpër firmave që blejnë krom të mbledhur prej tyre

Lajmet për shfrytëzimin e fëmijëve të Bulqizës kanë vënë në lëvizje institucionet në qarkun e Dibrës, sidomos ato të rrethit Bulqizë. Drejtues të Bashkisë, Policisë, shkollave dhe bizneseve të kromit që operojnë në këtë zonë diskutuan në prefekturën e Dibrës për të ndaluar mbledhjen e mineralit nga fëmijët.

Kronikat e transmetuara në mediat shqiptare dhe të huaja kanë alarmuar zyrtarët rajonalë dhe lokalë për të ndaluar shfrytëzimin e fëmijëve të qytetit të minatorëve. Sipas prefektit të qarkut Dibër, Nexhmedin Shehu, institucionet duhet të shohin mundësinë e futjes së këtyre familjeve në skema punësimi dhe ndoshta duhen siguruar donacione për të lehtësuar vështirësitë ekonomike të familjeve, fëmijët e të cilave ngjiten në stoqet e kromit, mbi qytetin e Bulqizës.

Nga ana tjetër, përgjegjësja e Zyrës Arsimore Bulqizë, Bedrie Manjani, është shprehur se është kundër mendimit të dhënë nga drejtoresha e shkollës “Xhevdet Doda”, e cila pohoi se nxënësit jashtë orarit të mësimit mund të mbledhin krom në afërsi të banesave të tyre, pasi kështu ata edukohen me ndjenjën për punën. Manjani shtoi se do të mbante qëndrim ndaj vartëses që u shpreh kështu publikisht.

“Do të marr masë disiplinore ndaj drejtoreshës së shkollës pasi nuk lejohet që fëmijët të mbledhin krom. Ne do t’i evidentojmë këta nxënës nëpërmjet mësuesve kujdestarë dhe do t’ua bëjmë të ditur strukturave shtetërore. Shkolla do të listojë të gjithë nxënësit që nuk shkojnë në shkollë dhe do t’ia bëjë të ditur Policisë lokale dhe familjes”, nënvizoi Manjani.

Për shefin e Komisariatit të Bulqizës, Arben Keshi, zgjidhja duhet kërkuar në një mënyrë tjetër. Ai tha se institucionet shtetërore duhen të angazhohen seriozisht dhe të bllokojnë e ndëshkojnë firmat private që grumbullojnë krom nga fëmijët. “Duhet të bëjmë kujdes maksimal dhe të ndalim veprimtarinë e subjekteve private që grumbullojnë krom nga fëmijët e Bulqizës.

Madje, ato janë aktualisht të palicencuara. Kromi është në shumë raste një mall që tregtohet e transportohet pa dokumentacion. Subjektet e licencuara marrin edhe kromin e firmave të palicencuara dhe e dërgojnë atë në Durrës.

Bashkia duhet të ndërhyjë në rrethimin e zonës së stoqeve, shkollat duhet të evidentojnë nxënësit që mungojnë dhe prindërit duhet të ndërgjegjësohen për të ndalur shfrytëzimin e fëmijëve”, theksoi shefi i Komisariatit, Arben Keshi./gazetadita

Loading...
More in Ekonomi
Aktualitet “National Geographic”: Shqipëria mes 21 vendeve për t’u vizituar në 2018

Close