LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Sondazhi i BSH: 29% e familjeve shqiptare janë me borxhe

Sondazhi i BSH: 29% e familjeve shqiptare janë me borxhe

Një sondazh i kryer nga Banka e Shqipërisë nxjerr në pah se 29% e familjeve shqiptare kanë një ose më shumë borxhe për të shlyer. Vrojtimi është kryer në një total prej 1210 familjesh në fund të vitit 2013, i cili nxjerr në pah se pjesa dërrmuese e tyre i përkasin shtresave me të ardhura të ulëta. “Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht nga lloji, burimi apo vlera, ka rezultuar 333 familje ose 29% e të anketuarve. Kjo përbën rritje vetëm me 12 familje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rënie me rreth 5 pikë përqindjeje (ose 68 familje), krahasuar me mesataren e deritanishme. Rreth 61% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”, nxjerr në pah vrojtimi i publikuar dje në raportin për stabilitetin financiar të vitit 2013 të BSH. 
Huatë 
Sondazhi nxjerr në pah se në rreth 45% të rasteve të huamarrjes, familjet u janë drejtuar burimeve formale (si banka dhe institucione financiare jobankare) dhe në 55% të rasteve u janë drejtuar burimeve jo-formale (persona fizikë dhe huamarrje nga dyqanet). Dy qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve vazhdojnë të jenë “blerja/riparimi i një prone” në 34% të rasteve, dhe “konsumi” në 37% të rasteve. Të dy këta zëra kanë shënuar rritje respektivisht me 2 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Balanca neto e përgjigjeve mbi aftësinë paguese të familjeve ka rezultuar -18%, çka tregon për një përkeqësim të aftësisë paguese të familjeve me ritme të njëjta si gjashtë muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 55% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 23% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Në lidhje me pritjet mbi aftësinë paguese në gjashtë muajt e ardhshëm, balanca neto shënon vlerën -1%, çka do të thotë një prirje në përkeqësim, por me ritme të ngadalësuara. Edhe më e nderë paraqitet situata e bizneseve kur vjen fjala te borxhet. Ndër 728 sipërmarrje të anketuara në të gjithë vendin kanë 58.9% (ose 47.4% e zgjedhjes total, gjithsej 345 ndërmarrje) kanë pohuar që kanë aktualisht një hua për të paguar. Huamarrja është përdorur kryesisht për përballimin e shpenzimeve afatshkurtra (kapital qarkullues) dhe më pak për qëllime investimi. Për rreth 91% të bizneseve, pagesa e huasë zë deri në 50% të të ardhurave të tyre. Për ato ndërmarrje që kanë konstatuar ndryshim të madhësisë së pagesës së huasë, ky ndryshim ka reflektuar kryesisht rritje të vlerës së pagesës, e cila është përballuar duke ulur shpenzimet e tjera, duke përdorur rezerva të ndryshme ose duke rritur çmimin e produkteve për shitje. Për gjashtëmujorin e ardhshëm, ndërmarrjet në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit presin rritje të vlerës së pagesës së huasë, ndërsa ato në sektorin e shërbimeve presin rënie të saj.

Loading...
More in Aktualitet, Ekonomi
Në zgjedhjet e 8 qershorit do të garojnë 31 subjekte politike
Close