LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Soreca: 2 kushtet të Gjermanisë për të hapur negociatat…dhe 7 ‘detyra’ gjatë rrugëtimit për në BE

Soreca: 2 kushtet të Gjermanisë për të hapur negociatat…dhe 7 ‘detyra’ gjatë rrugëtimit për në BE

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca në deklaratë për mediat tha se Bundestagu gjerman nuk ka vendosur asnjë kusht të ri për Shqipërinë në “PO” që i dha Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ai sqaroi se nga rezoluta e Bundestagut gjerman, janë vetëm dy kushte që duhen plotësuar deri në marrjen e vendimit për hapjen ose jo të negociatave, të ditura edhe më parë: Reforma Zgjedhore, dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë.

Kryediplomati i BE-së sqaroi edhe të vërtetën e 7 kushteve që u quajtën të reja për Shqipërinë. Në fakt ato janë 7 detyra që duhen përmbushur gjatë fazës së negociatave sipas kapitujve të ndryshëm që do të duhet të diskutohen. por që nuk ndikojnë në vendimin për çeljen ose jo të tyre. Vetëm pas kompletimit të të gjithë kapitujve Shqipëria mund të shpresojë në anëtarësim në familjen evropiane. Çelja zyrtare e negociatave, pas vendimit të afërt të 15 tetorit të liderëve të BE-së, pritet të ndodhë në konferencën ndërqeveritare të BE-së, ku do të marrë pjesë edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që presin çeljen e negociatave. Kryediplomati i BE-se sqaroi se kjo konferencë mund të mblidhet 3 deri në 6 muaj pas vendimit të tetorit, dhe se deri atëhërë të gjitha forcat politike në vend duhet të jenë bërë bashkë dhe të ndjejnë përgjegjësinë e njëjtë në plotësimin e dy kushteve deri në muajin shkurt që ndoshta mund të mblidhet Konferenca ndërqeveritare.

“Më lejoni të them fillimisht se jam shumë i kënaqur për këtë rezolutë kaq të rëndësishme që ka ndërmarrë Bundestagu. Bundestagu gjerman thjesht njohu ecurinë e mjaftueshme që kishte bërë Shqipëria, duke identifikuar po ashtu disa fusha që ishin identifikuar më parë në Shqipëri, kështu që nuk do flas për kushte të reja. Gjermania është një vend i rëndësishëm në be për rolin që luan jo vetme brenda be por edhe në arenën ndërkombëtare në politikën e jashtme. Kemi gjithë shtetet e tjera anëtare të BE që po vijojnë diskutimet e tyre në lidhje me vendimin që do të merret në tetor. Është një hap që na çon në rrugën e duhur por le të respektojmë edhe diskutimet që po vijojnë shtetet e tjera.

Është e rëndësishme në rezolutën, Bundestagu i ka dhënë mandatin qeverisë t’i thotë “PO” Shqipërisë për çeljen e negociatave, nëse edhe shtetet e tjera do të ndajnë këtë qëndrim në Këshill, këshilli do të marrë këtë vendim të rëndësishëm.

Nëse merret është një vendim i këshillit të BE-së por do të pasohet nga një konferencë ndërqeveritare ku BE dhe Shqipëria do të ulen së bashku për çeljen zyrtare të negociatave. Është kërkuar nga Bundestagu, që në periudhën mes vendimit të këshillit të BE-së dhe konferencës që mund të zgjasë 3-6 muaj, të bëhen 2 gjëra.

Çelja zyrtare e negociatave do të ndodhë në këtë konferencë ndërqeveritare. Ndërkohë kemi dhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut, natyrisht janë elementë që janë quajtur kushte të përgjithshme, që janë elementë që duhen përmbushur pikërisht përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave.

Unë mendoj që për ta çuar Shqipërinë më tej përpara, duhet përkushtimi dhe angazhimi të gjitha palëve, i qeverisë, parlamentit, presidentit, shoqërisë civile, medias, sepse kur të merret vendimi në tetor nga këshilli i BE-së të gjitha palët duhet të bëhen bashkë në mënyrë që duke punuar së bashku Shqipëria të ecë përpara.

Unë dëshiroj që të gjitha palët të ulen së bashku. Unë mirëpres vendimin e udhëheqësit të opozitës për tu bërë pjesë e tryezës së OSBE për reformën zgjedhore. Ky është një hap i mirë, një hap i parë. Është e rëndësishmë që të gjitha palët të kuptojnë që do duhet patjetër të bashkëpunojnë. Sepse edhe kur të merret vendimi për çeljen e negociatave, të gjitha palët duhet të kuptojnë që përgjegjësia është përbashkët, prandaj duhet të ulen të zgjidhin problemet për shqiptarët. Reforma zgjedhore është një prej tyre, por e them edhe një herë se kjo çështje ka të bëjë me të qenit të bashkuar”, tha Soreca.

Për të filluar formalisht negociatat, Shqipëria duhet të plotesojë dy kushtet: Aprovimin e Reformës zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe plotesimin e kuorumit për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

Loading...
Mos e Humbisni
Lul, faqja juaj e zezë nuk mund të bëhet e florinjtë me ngjyrën e m-së që hani çdo ditë!

Close