Home . Aktualitet . Takimi i mesnatës/ Tre orët politike pa Berishën dhe Metën në mes

Takimi i mesnatës/ Tre orët politike pa Berishën dhe Metën në mes

Tre orët pa Berishën dhe Metën “nëpër këmbë”, duket se kanë qenë përcaktuese për Ramën dhe Bashën për të arritur një marrëveshje, e cila synon t’i japë fund ngërçit politik të provokuar nga PD dhe partitë e saj aleate për 3 muaj me rradhë me anë të çadrës të vendosur në Bulevard.

Ka qenë takimi “kokë më kokë” mes Bashës dhe Ramës ai i cili ka mundur të zgjidhë një krizë, e cila ndonëse e provokuar nga PD, në jo pak raste herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë indirekte ushqehej edhe nga faktorë të tjerë që gëlonin përreth çadrës, në përpjekje për të shkepur përfitimet e tyre politike që jo domosdoshmërisht kishin lidhje me kërkesat e PD-së.

Pa mëdyshje mund të vlerësohet se përgjatë këtyre 3 orëve takim, Berisha dhe Meta për herë të parë në këto dy dekada e gjysëm nuk kanë pasur mundësi reale që të jenë prezent për të ndikuar në procesin e arritjes së marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës. Janë tre orët e para në historinë tonë politike, pa këtë dyshe në mes.

Nëse shikojmë me vëmendje situatat e krizave politike në Shqipëri këto vitet e fundit, si Berisha ashtu edhe Meta kanë qenë herë protagonistët kryesorë që i kanë hapur apo mbyllur këto kriza në momentet që ata kanë dëshiruar. Herë në mënyrë të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë indirekte, herë nga çadra apo pas saj, ata kanë tërhequr fijet e krizës duke mos lejuar protagonistë të tjerë që t’i hapin apo mbyllin.

Thënë thjeshtë, janë deklamuar se ata mund të bëjnë luftën dhe po ata mund të bëjnë edhe paqen. Ndonëse kanë qenë mundësit reale që zgjidhja e ngërçit të bëhej shumë kohë më parë, pa mbërritur në qëndrimet e ashpra të SHBA dhe BE, kanë qenë pikërisht këta faktorë të cilët për arsye të tyre politike nuk mundësonin zgjidhje duke ushqyer me oksigjen çadrën.

Duke parë ecurinë e ngritjes së çadrës që nga 18 shkurti është bërë e qartë se vendimi për këtë lëvizje ishte i rakorduar si me faktorë brenda opozitës por edhe brenda mazhorancës. Vetëm 2 javë përpara se të hapej çadra Basha kishte nxjerrë një formular nëpërmjet të cilit i kërkonte anëtarësisë që të bëntë propozime për kandidatët për deputet. Nuk kishte asnjë pretendim për të hyrë në zgjedhje dhe aq më pak të kërkonte pushtetin në tavolinë nëpërmjet një qeverie teknike. Kur gjithshka dukej se po shkonte drejt përgatitjeve për zgjedhje, befas gjithçka u përmbys.

U mor vendimi për ngritjen e çadrës, u artikulua kërkesa për qeveri teknike, largim të Ramës, si dhe ju kërkua Ilir Metës të dilte nga qeveria që në minutën e parë që u ngul çadra. Pas ngritjes së çadrës nga Basha në prapaskenë loja luhej nga të tjerë. Çelësat për mbylljen e çadrës nuk ishin më në dorë të Bashës. Kishte një sinkron mes PD dhe LSI kundër qëndrimeve të faktorit ndërkombëtar, ku më i spikaturi ishte ai ndaj ministrit të jashtëm gjerman që dënonte bojkotin dhe kërkonte që PD të hynte në zgjedhje.

Qëndrimi i tij u komentua nga PD dhe LSI si i njëanshëm, që nuk kontriobuonte në zgjidhjen e krizës, ndonëse ai shpaloste qëndrimin e qeverisë gjermane. Ishte pikërisht ky qëndrim ai që kthjelloi dhe nxori në pah se cilët ishin protagonistët e çadrës dhe ata që e mbanin gjallë atë, duke mos mundësuar arritjen e një marrëveshje deri sa të merrnin përfitimet e tyre politike nga kjo krizë e provokuar ‘ditën për diell’.

3 orët e Bashës me Ramën nuk janë thjeshtë orët e arritjes së marrëveshjes. Ato shënojnë edhe epilogun e mungesës së protagonistëve realë të këtij ngërçi, të cilët për herë të parë kuptuan se nuk mund të bëjnë më edhe “diellin dhe shiun”. Nëse ky precedent do të mbahet mes Ramës dhe Bashës, vetkuptohet se kemi hyrë në një kapitull të ri politik… pa Metën e Berishën që duhet të japin bekimin për gjithçka.

Mos humbisni:
Marrëveshja/ Rama-Basha takohen sërish

Close