LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Telefonuesi që i dha fund grushtit të shtetit në 14 shtator

Telefonuesi që i dha fund grushtit të shtetit në 14 shtator

PJESA III E INTERVISTËS ME IZET HAXHINË

Me këtë pjesë të tretë të rrëfimit të Izet Haxhisë, kuptohet fare qartë se vrasja e Azem Hajdarit ka qenë thjesht një pretekst për atë që do të ndodhte dy ditë më vonë.

Grushti i shtetit i 14 shtatorit 1998 ka qenë i mirëpërgatitur.

(Vijon nga numri i kaluar)

– Izet, kemi hyrë tashmë në ditën e tretë të atyre ngjarjeve dramatike, ose sikurse njihet ndryshe 14 shtatori si dita e grushtit të shtetit, që në fakt dështoi. Si mund të ma përshkruani atë ditë?

– Kur ti, Xhevdet, thua “të kalojmë tek 14 shtatori” mua më duhet të të korrigjoj. Sepse ai është sulmi më i egër dhe fashist që u është bërë institucioneve qendrore të shtetit shqiptar gjatë këtyre 25 vjetëve të fundit. Nuk ishin spontane, por të përgatitura me kujdes e strategji nga ana e Berishës dhe të zbatuara nga krahu i armatosur i PD-së, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë; dhe e ndihmuar nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, nën emrin e FARK-ut.

– Atëherë, nga ceremonia për varrimin e Hajdarit: Si u zhvilluan ngjarjet deri tek marrja e institucioneve shtetërore?

– Në mitingun mortor të Hajdarit kemi shkuar të armatosur, dhe thirrjet tona kanë qenë për hakmarrje. Ka qenë një grup rreth 150 veta, bërthama e grupit të zjarrit që më vonë do të pushtonte institucionet shtetërore. Furnizimi me armë për pjesën tjetër është bërë nga depoja që ndodhej tek Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe që ishte planifikuar të shpërthehej gjatë pushtimit të institucioneve. Pas mitingut që do të mbahej te Pallati i Kulturës, kortezhi siç ishte planifikuar është nisur në drejtim të Kryeministrisë, sikur Azemin do ta varrosnim në bahçen e Kryeministrisë e jo në varrezat e Sharrës. Arkivoli me trupin e tij ka mbërritur para derës së kryeministrisë dhe mbahej në krahë nga militantë të njohur të PD-së të veshur me kostume si për dasmë. Një nga këta ishte edhe krushku i Berishës, Luan Malltezi.

– Ç’hyn këtu Malltezi? Pse e përmendni këtë?

– E përmenda Malltezin se më vonë kur të plaste pushka dhe bombat, do bëhesha dëshmitar i një skene komiko-tragjike me Malltezin me kostum. Por të vijmë tek momenti i shpërthimit të armëve. Deri në atë moment nuk kishte pasur asnjë krismë apo incident. Shteti nuk dukej gjëkundi dhe Kryeministri Nano, siç mësuam më vonë, i veshur si fshatar nga Peza, po kalonte malet në mes Shqipërisë dhe Maqedonisë hipur mbi një mushkë…

– Si shpërtheu konflikti?

– Për të ndezur luftën në këtë moment është hedhur nga ana e një polici të kohës tonë, një bombë dore në hollin e Kryeministrisë. Ishte koha kur arkivoli i Azemit po përdorej për të thyer derën e Kryeministrisë dhe, mbas plasjes së bombës fillon lufta me muret e zyrat e Kryeministrisë, që nuk kishte kush t’i mbronte, pasi ishin braktisur nga gjithkush për të rënë në dorë të plaçkitësve të PD-së. Këta nuk lanë gjë pa vjedhur aty, deri tek kompjuterat. Nuk ka pasur as edhe një shkrehje arme në drejtim të turmës nga ato pak forca speciale që ndodheshin brenda e që u larguan menjëherë për të shpëtuar lëkurën. Me ata ministra që kishin marrë guximin të qëndronin brenda në Kryeministri, ishte edhe ministri i atëhershëm i Kulturës e Sporteve, Edi Rama. Më vonë më thanë që kishte kishte mbërritur te Rogneri vetëm me çorape, këto të grisura nga ecja zbathur dhe me nxitim me sa duket. I kishin dalë këpucët nga këmba prej panikut dhe nxitimit gjatë ikjes nga kryeministria…”

– Pak më parë më folët për Luan Malltezin…

– Ja, ta tregoj sepse tani i erdhi radha. Në këtë katrahurë ku qëllohej nga kush kishte në dorë një armë, shof një njeri të shtrirë me kostum në një pellg që m’u duk si gjak, por që doli që ishte ujë i përzier edhe me gjëra të tjera. Ju them atyre që kisha pranë: Shifeni se më duket si i plagosur! Sepse në intervale kohe ai lëvizte ndonjë gjymtyrë. Kur afrohemi, ç’të shof! Na ishte krushku i Berishës që pas plasjes së armëve braktisi arkivolin e heroit dhe shtrihet në një pellg uji, duke e shumuar këtë me lëngjet e veta që i dolën pa dashje dhe duke bërë numra si i vdekur. E ngritëm në këmbë. U lehtësuam se ai ishte shëndoshë e mirë, paçka se i dukej vetja si i plagosur nga lagia e dyfishtë.

– Ç’do të bëhej pas marrjes së Kryeministrisë?

– Në të njëjtën kohë nga qendra dhe Saliu vinin urdhra që të mos sulmohej Ministria e Brendshme, por të merrej Presidenca. Unë mundohesha të mbaja turmën para Kryeministrisë, sepse si “i mprehtë” që isha në politikë, mendoja se pas rrëzimit të qeverisë, kush do jepte miratim për qeverinë e re po të mos ishte presidenti? Ndaj nuk lejova që turma të përparonte në drejtim të Presidencës. Është pikërisht ky momenti kur tanket dhe autoblindat e gardës kishin rënë në dorën tonë të dhuruara nga ata që i drejtonin, pa asnjë rezistencë. Kurse Kryeministria ndërkaq ishte pushtuar dhe filluan festimet…

– Ishte sulmuar TVSH-ja ndërkaq?

– Po. Kur isha para Kryeministrisë më vjen një regjisor i Televizionit dhe një kameraman që i njifja dhe me lot në sy më luten që të shkoja tek televizioni, një rrugicë më lart, e ta shpëtoja, sepse po e plaçkisnin turmat. Kam marrë me vete disa njerëz afër meje, një autoblindë dhe jam drejtuar tek radio-televizioni.

– Çfarë bëtë atje?

– Dua të theksoj se vajtja ime në TVSH nuk ka patur për qëllim pushtimin e këtij institucioni. Pasi kam bërë me njerëzit e mi nxjerrjen përjashta të plaçkitësve nga televizioni duke përdorur edhe armët, kam marrë nën mbrojtje atë dhe hyrje-daljet tek radioja e televizioni. Turma rreth dymijë vetash donte të hynte, pasi kishin përhapur llafe se në televizor ndodheshin qindra kamera e donin t’i grabisnin. Pas shumë përpjekjeve, duke hapur edhe zjarr në ajër për të larguar turmën, ia arrita qëllimit, por kur shof që pas një ore na vjen edhe krushku (Luan Malltezi) që kishte ndërruar kostumin dhe ishte larë i shoqëruar nga Antoneta Malja e Ekrem Spahia. Thanë që na ka çuar doktori për të marrë në dorëzim televizionin dhe pas pak do vijë edhe vetë të mbajë një fjalim para popullit. Në këtë kohë Ekrem Spahia kishte rrëshqitur në brendësi të televizionit e kishte dalë para kamerave, pa pritur as Berishën, për të dhënë sihariqin që qeveria e shteti kishin rënë dhe ne ishim kthyer në pushtet.

– Si u prit ky njoftim nga turmat?

– Gjatë kësaj kohe që ne morëm në kontroll televizionin, në pjesët e tjera të Tiranës vazhdonin festimet dhe plaçkitjet. Në të njëjtën kohë nga “kryengritësit” në përforcim të një autoblinde që kisha në fillim, më erdhën edhe dy tanke të Gardës, duke pritur Berishën që të vinte në Televizion e të mbante fjalimin historik të përmbysjes së pushtetit të majtë dhe kthimin në fron të tij. Na erdhën dhe kazanët me pilaf e me çorbë që ishin përgatitur për drekën e Hajdarit.

– Po me varrimin e Hajdarit ç’u bë?

– Në këtë kohë pyeta se çfarë u bë me arkivolin e heroit, sepse në momentin e shpërthimit të armëve ngeli i braktisur para Kryeministrisë. Sipas të dhënave që mora, po varrosej me ceremoni “madhështore” me pjesëmarrjen e disa vetave dhe punonjësve të komunales. Pasi hëngrëm pilafin dhe çorbën, Berisha nuk po dukej gjëkundi. Plus morëm vesh se ministri i Brendshëm Perikli Teta, pasi ishte larë e ndërruar, kishte filluar të vendoste rendin në Tiranë. Siç e mësova më vonë, gjatë kësaj kohe Berisha kishte komunikuar vazhdimisht në telefon me Perikliun.

– Si vazhdonte situata në TV në ato momente?

– Jam ngjitur në katin e dytë të televizionit dhe jam futur në zyrën e drejtorit të atëhershëm të televizionit, emri nuk më kujtohet tani. I kam thënë që ju duhet të vazhdoni transmetimet normale të televizionit. Pas disa kohësh pashë që një grup i madh punonjësish të televizionit po kërkonin të largoheshin nga godina. Në mes tyre ishte edhe Martin Leka që, i frikësuar se mos i bëja gjë, më thoshte nga larg që ke të fala nga një miku im nga Lezha që punonte në Gardë. Nuk ka nevojë të më çosh të falat e askujt, i thashë, sepse nuk ju prek njeri.

– Po Berisha a erdhi në Televizion?

– Pasi u larguan një pjesë e punonjëseve, marr në telefon në zyrën e Berishës, por në telefon më del e kudogjendura Linda Ihsani. I thashë më jep Berishën, por me sa kuptova nga zëri që i fliste nga prapa që pyeste se kush është dhe pasi i tha emrin tim, u kuptua që Berisha nuk donte të komunikonte me mua. I thashë: Do vijë apo nuk do vijë të flasë, se do largohem nga televizioni. Më tha: Prit se do të njoftojmë. E mbylla, por fillova të nuhas se kishte filluar një shitje e re e Berishës për mua dhe shokët e mi. Sepse në atë kohë në bulevard filluan të dëgjohen sirenat e policisë dhe na erdhi lajmi që dy tanke ishin rrëmbyer me forcë nga policia në duart e trimave të PD që çirreshin në bulevard sipër tankeve. Pashë që edhe disa persona nga Tropoja filluan të fironin e të mos ktheheshin më tek televizioni.

– Ç’bëre?

– Me rreth 150 veta që kisha në dispozicion vendosa të mbrohesha dhe të mos e lëshoja televizionin. Në pikat e larta vendosa armë të rënda të cilat i morëm nga depoja e armëve brenda televizionit dhe u bëra gati për luftë. Me dy tanke dhe një autoblindë, më mjaftonin që të bëja një luftë mbrojtëse, sepse nuk kisha ndërmend të dorëzohesha. Në këtë kohë vjen një shoku im dhe më thotë që të kërkojnë në telefon. Kush, i thashë. Përkthyesi thotë që është ambasadori i OSBE-së në Tiranë Dan Everts. Mirë, folni me të çfarë kërkon…

– Çfarë biseduat me ambasadorin Everts?

– Ka qenë ora rreth 4 e gjysmë pasdite. Sirenat e policisë po shtoheshin në bulevard e rrugët e Tiranës. Më vjen prapë ky shoku e më thotë se kërkon të flasë personalisht me ty. Nga më njef mua, i thashë, por shkova dhe hapa telefonin. Me anë të përkthyesit më prezantohet dhe më thotë që duhet të lëshoni menjëherë televizionin e të dorëzoheni pa kushte, sepse përndryshe shteti e organet e tij do t’ju godasin pa mëshirë. Më tha edhe këtë; që partitë politike kanë rënë në marrëveshje mes tyre për mbylljen e konfliktit. I thashë: Unë nuk përfaqësoj asnjë parti politike, kam ardhur në televizion për të mbrojtur këtë pasuri kombëtare nga grabitësit e keqbërësit, prandaj jo forcat qeveritare, por edhe ato të NATO-s me në krye ty si ambasador, po të sulmojnë nuk trembem e nuk tërhiqem, por do luftoj deri në fund. Ia kam mbyllur në surrat telefonin. Ka kërkuar edhe disa herë të tjera, por nuk i kam dal në tel.

– Pra kishte filluar tërheqja. Po nga PD-ja ç’bëhej?

– Në këtë kohë as nga PD filluan të mos dilnin në telefon. U kuptua tradhtia që na kishte bërë Berisha. Jo se ishim duke bërë ndonjë vepër të mirë, përkundrazi. Por kur i futesh një rruge, edhe e gabuar qoftë, nuk duhet të shesësh ata që ke pranë, pasojat dhe të këqijat që vijnë nga prapa, duhet t’i ndash me ata që i ke futur në këtë akt kriminal ndaj shtetit. Por si Pons Pilat që është Berisha, mundohet t’ua hedhë fajin të tjerëve dhe, kur i shtrëngohet laku, tërhiqet si frikacak që është. Vërtet në atë budallallëkun e çmendurinë time kisha vendosur të rezistoja e të luftoja. Nga PD vinin lajme që këtë konflikt e dëshironte edhe Berisha, sepse kur njëri i kishte thënë deputetëve të PD-së që ishin mbledhur tek zyra e Berishës, që të ndihmojmë me përforcime Izetin me shokët e tij tek televizioni se do t’i sulmojë shteti, Jozefina dhe disa të tjerë kishin thënë që le t’i vrasin se e kanë bërë çdo gjë me kokën e tyre.

– Dhe si e latë ju Televizionin?

– Rreth orës gjashtë e gjysmë vjen Genc Pollo me disa persona të tjerë nga PD. Më thotë që po më dëgjove mua, lëshoje televizionin e mos lufto, sepse Berisha ka bërë marrëveshje me ndërkombëtarët dhe qeverinë dhe është tërhequr duke ju lënë juve të vetëm.

– Po ti si reagove?

– Na ka shitur, e pranon edhe ti, i thashë Gencit. Po, më tha. Në atë kohë merr prapë në telefon Dan Everts. Mirë, i thashë Gencit, meqë qenka kështu, fol ti në telelefon me Evertsin dhe thuaji që do tërhiqemi, por gjatë rrugës së tërheqjes që është në drejtim të PD-së nuk dua të shof asnjë forcë policie apo ushtarake se përndryshe do hap zjarr. Everts donte që këto t’i dëgjonte nga unë dhe, pasi ia thashë, ai i zbutur pranoi kushtet e mia.

-Thuhet se Berisha ka marrë edhe një telefon nga SHBA për t’u tërhequr. Si e kishte emrin shqiptaro-amerikani që ka telefonuar?

– Unë nuk kam qenë i pranishëm në atë bisedë telefonike, pasi isha në televizion, por me sa dëgjova më vonë në PD, telefonata me Berishën dhe që i tha të tërhiqet është bërë nga shqiptaro-malazezo-amerikani Frank Shkreli. Berisha ka filluar tërheqjen dhe përgatitjen e alibisë për të shpëtuar veten e dalë i palagur nga kjo histori e grushtit të shtetit, duke lënë të zbuluar e fajtorë mua dhe shokët e mi që zbatuam porositë e tij.

Intervistoi Xhevdet Shehu

Nesër, pjesa e fundit:

-Përballja me Berishën në selinë e PD-së

-Kërcënimi ndaj Berishës dhe deputetëve

-48 orët e ngujimit në seli dhe largimi nga Tirana

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close