Home . Aktualitet . Tym e flakë në shtator! Ilir Meta tentativa për të rikthyer përplasjet, paralajmëron gj.akderdhje dhe kërcënon Bashën

Tym e flakë në shtator! Ilir Meta tentativa për të rikthyer përplasjet, paralajmëron gj.akderdhje dhe kërcënon Bashën

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka konfirmuar se është gati të bëjë gjithçka për të shpëtuar LSI-në nga zhdukja. Gazeta ka deklaruar ditë më parë se Ilir Meta po i bën presion Bashës që të rinisin protestat e dhunshme në shtator. Një gjë të tillë e ka konfirmuar në fundjavë vetë kreu i shtetit, i cili ka folur për gjakderdhje për shkak të krizës në Shqipëri. Para 30 qershorit Meta fliste për rikthim të ‘97-ës, ndërsa të dielën mbrëma ai ka folur për gjakderdhje.

Meta ka dhënë një intervistë te mediat kosovare, ku ka dërguar një mesazh të qartë se vjeshta do rikthejë kaosin në vend. Por këtë herë Meta është shprehur hapur se mund të ketë dhe gjakderdhje, duke faktuar atë që flitet në korridoret e politikës, se presidenti po punon që të rikthehet dhuna në vjeshtë. “Ajo që dua të them, me bindje të plotë, është se kjo krizë artificiale në të cilën ndodhet Shqipëria dhe që nuk e meriton populli shqiptar, padyshim që për mendimin tim ka një lidhje edhe me zhvillimet në Kosovë, me dialogun Kosovë-Serbi. Për mua ka qenë dhe mbetet shqetësuese: përse kërkohet patjetër ky konflikt në Shqipëri?! Nuk mund ta teproj ndoshta edhe po të them: përse kërkohet edhe një gjakderdhje në Shqipëri?! Pra kjo krizë është aq artificiale në vlerësimin tim dhe duket që ka një interes që Shqipëria të duket keq. Në momentin kur Shqipëria duket keq, kjo nuk e ndihmon as Kosovën, as shqiptarët në përgjithësi kemi të bëjmë me lojëra të individëve të caktuar, të cilët janë kyçur në skenare që nuk i shërbejnë as stabilitetit të Shqipërisë, dhe as afirmimit të saj si një faktor stabilizues, evropianizues në rajonin tonë”, ka deklaruar presidenti Ilir Meta. Deklarata e tij është dhe një mesazh për Bashën, ku i kërkohet që të ndezë vendin tym e flakë në vjeshtë.

Në intervistën për mediat kosovare, Meta ka sulmuar hapur dhe liderin e PD, Lulzim Basha. Sado që Meta ka në plan për të rikthyer tensionet, nëse PD nuk i bashkohet, çdo skenar do të dështojë. Deri më tani Basha e ka refuzuar 13 tetorin, ndërkohë që plani i Metës është që dekreti i zgjedhjeve të përdoret si pretekst për të rikthyer tensionet. Edhe në këtë intervistë Meta e ka kërcënuar Bashën. “Të punojmë urgjentisht që t’i japim vendit një zgjidhje këto ditë. Të mos presim shtatorin pasi përndryshe do të kemi një dështim të sigurt më 18 tetor dhe një penalizim për vendin tonë, që do të jetë përgjegjësi në radhë të parë e kryeministrit Rama, por së dyti, e kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Basha dhe e gjithë atyre, të cilët nuk do të tregojnë vullnetin e duhur për një zgjidhje demokratike e gjithëpërfshirëse.Pa zgjedhje të lira e të drejta, nuk mund të ketë kurrsesi çelje të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nuk mund të ndryshohen kriteret e Kopenhagës për kapriçot apo për interesat e caktuara të asnjë udhëheqësi shqiptar apo kudo tjetër në këtë rajon. Kjo besoj se do të jetë shumë e qartë në ditët që vijnë”, ka thënë ndër të tjera Meta.Presidenti nuk është kursyer me akuza edhe ndaj qeverisë duke sulmuar Kuvendin që sipas tij bën ligje për të sulmuar persona të veçantë. Sipas presidentit Meta, Parlamenti përdoret nga qeveria thjesht për të mbuluar paligjshmërinë e akteve të qeverisë. Ai shpjegon se ligjet bëhen për persona të veçantë në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me detyrimet që Shqipëria ka nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE-në, në kundërshtim me konkurrencën, në kundërshtim me parimet e mosdiskriminimit. “Ky është shqetësimi, alarmi kryesor që duhet t’i bëjë të gjithë, – duke filluar nga kryeministri i pari, dhe padyshim nga zoti Basha dhe përfaqësuesit e opozitës, të dytët, – për të reflektuar dhe për t’i thirrur mendjes, para se në Shqipëri të mos mbeten më njerëz për t’i votuar ata”, ka deklaruar Meta. /Arbjona ÇIBUKU

Loading...
Mos e Humbisni
Të mbrojmë teatrin e minjve që “sfiduan” Kadri Roshin!

Close