Home . Aktualitet . Sociale . Veliaj: Mbajmë premtimin për një Tiranë dikur të lënë pasdore, sot më dinjitoze!

Veliaj: Mbajmë premtimin për një Tiranë dikur të lënë pasdore, sot më dinjitoze!

Nga një zonë, e cila deri para pak muajsh cilësohej nga më problematiket në Tiranë, sot lagja përgjatë Rr. “Selaudin Bekteshi” në Njësinë Nr.4 është transformuar plotësisht duke ofruar kushte më të mira urbane për banorët. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin total të rrugës, ndërsa kryetari i bashkisë, Erion Veliaj tha se kjo është një tjetër dëshmi se punohet çdo ditë, pavarësisht faktit se jemi në verë.

“Ishim këtu para pak ditësh me një premtim për qytetarët se puna në Tiranë do të vazhdojë. Kjo është një nga mbi 100 rrugë në fakt, ku jemi duke punuar këtë vit. Ka qenë një rrugë e cila konsiderohej periferia më e papërfillshme e Tiranës, një zonë e lënë pasdore, që kryesisht banohej nga të ardhur ose komuniteti rom dhe egjiptian”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai theksoi se veç infrastrukturës rrugore është ndërhyrë edhe në krijimin e të gjitha mundësive për të qenë një zonë e denjë urbane, në mënyrë që banorët e këtyre zonave të ndihen qytetarë të barabartë.

Ai shtoi se punimet rrugore janë shoqëruar me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në gjelbërim dhe në infrastrukturën e nëndheshme, në mënyrë që investimi t’i rezistojë kohës. “Kemi mbjellë 230 pemë, kemi sjellë një rrjet të ri kanalizimesh dhe ujësjellësi, në një farë mënyre ka ardhur urbanizimi fill pasi ka mbaruar legalizimi dhe do të vazhdojmë të mbajmë çdo premtim në këtë lagje, për t’u siguruar që në fund të këtij mandati të lëmë një Tiranë shumë herë më dinjitoze se sa ajo që gjetëm”, shtoi Veliaj.

Ai tha se veç investimeve në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, gjelbërim, kësaj zone do t’i shtohet shumë shpejt edhe një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën arsimore. Ai siguroi se shkolla e re “Ardian Klosi” do të ketë një cilësi të lartë mësimdhënie, ndaj i bëri thirrje prindërve që fëmijët e tyre duke filluar që nga ky vit t’i regjistrojnë në këtë shkollë. “Lajmi i mirë është se do të hapim shkollën e re “Ardian Klosi”. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të dyndemi në shkolla jashtë kësaj lagjeje, po punojmë me Drejtorinë Arsimore për të sjellë këtu disa nga mësuesit më të mirë, për të sjellë këtu disa nga kurset e gjuhëve të huaja më të mira, për të pasur terrenet sportive më të mira dhe besoj se është mëse e nevojshme që të gjithë prindërit ta kenë parasysh që regjistrimet për këtë vit t’i kenë në lagjen e tyre, te shkolla e re “Ardian Klosi”, tha Veliaj.

Po kështu, ai u ndal edhe te situata e ujit të pijshëm, duke theksuar se falë aksionit të Task-Forcës por edhe të bashkëpunimit që kanë treguar qytetarët situata është drejt normalizimit.

Por, ai theksoi që edhe këto ditë të nxehta të përballohen me sukses dhe që çdo qytetari t’i sigurohet uji i pijshëm, është e nevojshme vijimi i aksionit në terren, por edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve se nuk mund të shpërdorojnë ujin e pijshëm.  Nga ana e saj, deputetja e PS, Blerina Gjylameti ka falenderuar Bashkinë e Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar Njësisë 4, duke i dhënë zonave, deri dje të harruara, një pamje të re dhe një vlerë shumë herë më të madhe.

Rruga “Selaudin Bekteshi” kufizohet në njërin skaj të saj me Rr. “5 Maji” dhe në skajin tjetër me Rr. “Abedin Cici” dhe përgjatë saj dominojnë ndërtimet e pas viteve 1990. Investimi përfshiu ndërtimin e rrugës me dy korsi, ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçimin, si dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës, e cila ishte kthyer në një shqetësim konstant për drejtuesit e automjeteve. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ndërhyri edhe me ndërtimin e mureve rrethues të rinj dekorativë, si dhe në mbjelljen e pemëve, të cilat i japin një pamje tërësisht të re gjithë zonës.

Mos Humbisni:
Lidhjet e paligjshme të ujit, Task-Forca ndërpret 2325 lidhje të tjera

Close