LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Sociale . Veliaj prezanton “Open Data”: Tirana qyteti i parë në Shqipëri që ofron transparencë (Foto)

Veliaj prezanton “Open Data”: Tirana qyteti i parë në Shqipëri që ofron transparencë (Foto)

Tirana bëhet qyteti i parë në Shqipëri me një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës, në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve, por edhe menaxhimit më të mirë të kohës dhe parave të taksapaguesve. Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e UNDP-së, ka hedhur online portalin “opendata.tirana.al”, i cili  rrit transparencën dhe u ofron qytetarëve të dhëna të ndryshme për punët, investimet dhe çdo shërbim që kryhet në qytet. Programi u paraqit sot nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e vlerësoi atë si një tjetër hap drejt përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve me një kosto më të ulët dhe rritjes së transparencës për aktivitetin që kryen Bashkia e Tiranës.

Veliaj theksoi se informacioni nuk duhet të konsiderohet më si një e drejtë institucionit që e krijon atë, por si një mjet për të qenë i aksesueshëm dhe i dobishëm për qytetarët. “Më vjen mirë që gjithashtu jemi të parët edhe në çështjet e transparencës. Informacioni nuk është një monopol i yti, për të qendruar në sënduk, për të bërë raporte apo memo, të cilat ndoshta nuk i lexon askush; përkundrazi, informacioni është mjet i dobishëm për qytetarët”, tha Veliaj.

Duke vlerësuar nevojën për këtë portal informacioni, kryebashkiaku shtoi se portali e ndihmon bashkinë për të përcaktuar se cila është gjeja më e rëndësishme, të cilës duhet t’i jepet prioritet në punët e qytetit. “Në opendata.tirana.al ka shumë të dhëna për të cilat mund të thoni: E kujt i duhet ky informacion? Për çfarë u duhet njerëzve sa pllaka shtrohen në Tiranë? Patjetër që u duhet: së pari, sepse unë besoj që një familje, si kjo e Tiranës, në thelb funksionon si një familje e vogël, ku i duhet të bëjë një llogari sa i hyjnë në shtëpi dhe sa i dalin në formë shpenzimesh. Pastaj, do të duhet të bëjë edhe një renditje të prioriteteve. Unë besoj se është mënyra më e sinqertë për të marrë vendime, duke i hapur me të gjithë publikun, le të themi, ‘letrat e shtëpisë’ dhe duke treguar sa para marrim, kush paguan taksa dhe sa shpenzime kemi”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai theksoi se ky program do të jetë edhe një portë e hapur bashkëpunimi me qytetarët dhe grupet e tjera të interesit, ku falë informacionit që jepet mund të krijohen mundësi dhe ide të ndryshme zhvillimi. “Asnjë shoqëri nuk është rrëzuar nga tepria e informacionit; shoqëritë, qytet janë rrënuar nga pakica e informacionit dhe nga padija”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë deklaroi se rritja e transparencës do të ndikojë drejtpërdrejt dhe në uljen e kostove. “Jo vetëm nuk do të na shtojë kostot, por transparenca do të na ulë kostot sepse do të na bëjë së pari, më të ndjeshëm ndaj një publiku që e ka gjithë këtë akses në informacion dhe së dyti, edhe planifikuesit tanë do t’i bëjë shumë herë më alert të mënyrës se si shpenzojmë paratë tona”, theksoi ai.

Ai theksoi se falë përdorimit të teknologjisë edhe në marrjen e informacionit, por edhe të realizimit të detyrave, sot Bashkia e Tiranës edhe pse me më pak staf, bën më shumë punë. Veliaj garantoi se Open Data do të ketë publike të gjitha të dhënat, të cilat do të shërbejnë edhe për analiza të ndryshme, për përmirësimin e gjërave që nuk kanë shkuar mirë.

Komento
Mos Humbisni:
Demokrati “Kaçi i Zi” bën thirrje për trazira dhe destabilitet

Close