LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Venecia hapi rrugën për shkarkimin dhe hetimin e Ilir Metës, u faktua se doli mbi Kushtetutën, po troket ora kundër të korruptuarve

Venecia hapi rrugën për shkarkimin dhe hetimin e Ilir Metës, u faktua se doli mbi Kushtetutën, po troket ora kundër të korruptuarve

Raporti paraprak i Komisionit të Venecias ka sjellë reagime të shumta në politikën shqiptare. Mediat pranë presidentit nisën sulmet ndaj Komisionit të Venecias dhe u fokusuan tek pjesët ku i jepej të drejtë presidentit, duke e devijuar konkluzionin përfundimtar të Komisionit. Në raport është e shkruar qartë se presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke vendosur një datë të re zgjedhjesh.

Avokati Spartak Ngjela dhe zv/ ministri i Mbrojtjes Petro Koçi janë shprehur ditën e djeshme se Venecia faktoi që presidenti Ilir Meta ka dalë mbi Kushtetutën. Sipas Ngjelës, Komisioni i Venecias e tha hapur se presidenti Meta e ka shkelur Kushtetutën, pasi nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese apo ligjore të shtyjë datën e zgjedhjeve. “Nuk kishte si të ishte ndryshe. “Nuk ka kompetencë kushtetuese Presidenti, dhe në asnjë ligj, që të ndryshojë datën e zgjedhjeve”, thotë Komisioni. Këtë thashë edhe unë kur shpjegova pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ. Është pika e parë e ligjit në të dy kodet: edhe në Kodin Civil, edhe në Kodin e Procedurës Administrativë kjo që shpreh Komisioni i Venecias”, ka shkruar Ngjela. Më tej ai deklaroi se Meta tani përveç shkarkimit, rrezikon dhe të hetohet. Sipas tij, po troket ora kundër të korruptuarve. “Komisioni i Venecias dërgoi dje vendimin paraprak me gjykimin e shkeljes së kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Shqiptarët panë në këtë rast se historia e tyre po hyn në rrjedhën e ligjit dhe të ndëshkimit të figurave politike. Është shkarkimi i Presidentit të Republikës. Rasti i parë në historinë e Shqipërisë.

Por mund të vijë edhe dënimi penal i këtij Presidenti nga Gjykata Kushtetuese. Duhet të theksohet se, për shqiptarët, në 100 vjet, ky është rasti i parë historik i penalizimit të një presidenti në detyrë, i cili pati cilësim dhe analizë juridike nga një institucion juridik prestigjoz ndërkombëtar. Pikërisht për këtë fakt, na duhet të pranojmë se, në këto çaste historike, vetë historia e shtetit shqiptar hyri në pragun e një epoke të re: në kohën e ndëshkimit të keqbërësve të shtetit shqiptar dhe të vetë shqiptarëve”, tha Ngjela. Sipas avokatit, ky prag do të quhet: kalimi, nga ndëshkimi i Gjykatës së re Kushtetuese kundër Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në hetimin dhe në akuzat që do të fillojnë të ngrihen kundër korrupsionit të lartë politik dhe të krimit të organizuar në Shqipëri. Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi në një reagim për gazetën “SOT”, theksoi se ajo që ka bërë presidenti Meta është shkelje e qartë e Kushtetutës, pasi i kalon kompetencat e tij. Sipas Koçit Meta ka vepruar jo sipas Kushtetutës, por sipas interesave politike.“Raporti paraprak i Komisionit të Venecias tregoi që Presidenti nuk ka respektuar Kushtetutën. Pra ka vepruar në përputhje me kalkulime politike jo kushtetuese. Presidenti nuk ka të drejte të anuloje zgjedhje”, u shpreh Koçi në një reagim për gazetën. Ndërkohë ai vendosi theksin tek legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit, ku sipas tij, të gjithë ata që thanë se zgjedhjet ishin jolegjitime dhe moniste duhet të mbajnë përgjegjësi, duke iu referuar kështu opozitës. Andaj Koçi theksoi se Meta duhet të kërkojë falje dhe të japë dorëheqjen për veprimin antikushtetues që ka bërë. “Nga ana tjetër 30 qershori konsiderohet legjitim. Ndërsa i ashtuquajturi monizëm në zgjedhjet vendore rezultoi përgjegjësi e opozitës. Prandaj Presidenti Ilir Meta duhet të kërkojë falje publike dhe të ofrojë dorëheqjen”, tha Koçi./Arbjona ÇIBUKU

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Plas në PD, Basha rrëzon koalicionin me LSI dhe braktis protestat! Urdhër degëve të informojnë qytetarët se PD s’është më ajo e Berishës

Close