LAJMI I FUNDIT
Home . Aktualitet . Vetëhelmohet nëna e tre fëmijëve, bashkëshorti e dhunonte prej vitesh

Vetëhelmohet nëna e tre fëmijëve, bashkëshorti e dhunonte prej vitesh

Dhunohej sistematikisht prej bashkëshortit, i jep fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë nëna e tre fëmijëve. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, të cilat njoftuan se mbrëmjen e së hënës është vënë në pranga për “shkaktim vetëvrasje” 53-vjeçari Faslli Senka, banor i fshatit Luar të Komunës Kuman në Rrethin e Fierit, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 44-vjeçare D. Senka, e cila më pas ka konsumuar fostoksinë dhe nuk ka mundur të mbijetojë, edhe pse ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Vetëvrasja e nënës

Nga burime të besueshme mësohet se ka qenë pasditja e së hënës kur vëllai i 44-vjeçares D. Senka ka marrë një telefonatë prej së motrës, e cila i ka thënë se kishte konsumuar fostoksinë, pasi nuk mund të jetonte më nga dhuna e ushtruar prej të shoqit. Menjëherë pas kësaj telefonate, vëllai dhe të afërm të tjerë të viktimës kanë shkuar në shtëpinë e saj dhe e kanë transportuar drejt urgjencës së spitalit të Fierit. Por, e vetëhelmuara nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes së mjekëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 18:30 të së hënës. Sipas burimeve të gazetës, gjatë deklarimeve të dhëna në polici, vëllai i viktimës ka pohuar se e motra i kishte treguar arsyen e aktit fatal dhe i kishte lënë amanet djalin për ta kujdesur.

Denoncimi në polici

Nga burime të besueshme të bluve mësohet se viktima e kishte denoncuar Faslliun në polici paraditen e së hënës. Burimet pohojnë se aty ka mbërritur një oficer policie, i cili pasi ka marrë kontakt edhe me të prangosurin, edhe me viktimën, ka konstatuar se situata ishte e qetë. “Në momentin kur në shtëpinë e Faslli Senkës ka mbërritur punonjësi i policisë, kanë mbërritur edhe të afërmit e tij, të cilët i kanë tërhequr vëmendjen të arrestuarit”, – pohojnë burimet policore, duke justifikuar mosndërhyrjen e tyre në kohë për të parandaluar humbjen e një jete.

Loading...