Home . Aktualitet . VIDEO/ Gruaja aksidenton dhe godet me shkelma motoçiklistin në Tiranë: Prokurori Kapo mbyll hetimet dhe ironizon viktimën

VIDEO/ Gruaja aksidenton dhe godet me shkelma motoçiklistin në Tiranë: Prokurori Kapo mbyll hetimet dhe ironizon viktimën

Fiks fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës Policinë dhe Prokurorinë e Tiranës, të cilat kanë pushuar hetimin e një aksidenti të qëllimshëm. Aksidenti i frikshëm ka ndodhur në mes të muajit qershor. Pas një debati verbal mes një drejtuesi motori dhe një drejtueseje makine, kjo e fundit fillon të ndjekë motoçiklistin.

Ndjekja vazhdon për rreth 200 metra dhe më pas, makina e qytetares aksidenton me qëllim motorin. Drejtuesi “fluturon” disa metra. Por, nuk mbaron me kaq! Agresorja zbret nga makina dhe i drejtohet qytetarit, i cili vazhdonte të ishte i shtrirë nga plagët e marra nga aksidenti. Ajo e qëllon me shkelma dhe e ofendon.

E gjithë kjo skenë, e denjë për filmat aksion, është filmuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë. “Fiks Fare” filloi të investigoj pikërisht këtë aksident, ku qytetari Artur Tafilica tha se të gjitha këto prova shkuan në prokurori dhe prokurori Etien Kapo vendosi që të pushojë çështjen.

“Gruaja më aksidentoi qëllimisht!”

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua z.Artur Tafilica, i cili tha se në datën 15 qershor 2019, në zonën e Ali Demit në Tiranë, u konfliktua me një zonjë, e cila drejtonte një automjet.

“Ishte një konflikt verbal mes dy mjeteve në lëvizje, mes meje dhe një zonjë që drejtonte automjetin. Unë isha me motor. Zonja del nga një parkim nëntokësor nga Fusha Ali Demi pa sinjalistikë, i them hap një sinjalistikë se nga shkon mjeti.

Zonja e irrituar më shan, unë kaloj para mjetit të saj dhe i them mos sha dhe ofendo, ndërkohë që zonja shumë e irrituar më ndjek nga mbrapa dhe në një pikë ku s’kishte më rrugë vjen dhe më godet nga mbrapa qëllimisht” thotë Arturi.

Më tej shton se zonja e ka ndjekur për gati 150-200 metra, nga Fusha Ali Demi në drejtim të Uzinës së Autotraktorëve.

“Më goditi qëllimisht, të cilën e fakton edhe një video të cilën unë e kam denoncuar pranë Komisariatit nr.1 dhe Prokurorisë së Tiranës. Në video është filmuar pjesa e fundit, kisha ulur shpejtësinë, pasi s’kisha rrugë tjetër për të lëvizur, po futesha në një rrugicë që të çon në drejtim të shtëpisë time. Ishte një pikë karburanti. Në video duket qartë që mjeti i zonjës me godet nga mbrapa, zonja del nga makina, më qëllon me shkelma, më fyen, më ofendon. Ndërkohë unë s’kam bërë asnjë reagim, kam pritur forcat e policisë, të cilat erdhën shpejt. Ka ardhur ambulanca dhe më kanë dërguar në Spitalin e Traumës. Gjendja ima ka qenë shumë kritike në ato momente” thotë Arturi.

Më tej shton se, përveç dëmtimeve fizike, më pas pasojat kanë qenë të forta.

“Kam pasur dhimbje të shtyllës kurrizore, dhimbje të kokës. Trauma ka qenë goxha e fortë pas aksidentit. Kam shkuar në Komisariatin e Policisë Nr.1, më thanë se nuk është OPGj. Kam pritur 2 orë dhe më pas më kanë lajmëruar nga ora 1 e natës polici i rojës që duhet të shkoja të bëja deklarim për ngjarjen” pohon ai.

Prokurori, qytetarit: Bëhu prokuror i vetes tënde!

Video që na vuri në dispozicion qytetari ka shkuar edhe në Prokurorinë e Tiranës. Qytetari shkoi në prokurori dhe ballafaqohet me prokurorin Etien Kapo. Ky i fundit se “është vepër që ndiqet nga i dëmtuari”.

Më pas i thotë që të bëhet prokuror i vetes dhe të shkojë në gjykatë.

“Oficeri më tha se videot do dërgohen në Prokurorinë e Tiranës si material shtesë. Prokuroria s’më ka thirrur fare, nuk kam dijeni nëse janë thirrur edhe të tjerët që kanë qenë dëshmitarë të shumtë. S’kam asnjë lloj informacioni se çfarë është bërë me këtë zonjën” pohon ai.

Fiks Fare dokumentoi edhe një takim mes prokurorit Etien Kapo dhe qytetarit Artur Tafilica. Ky i fundit i kërkon prokurorit përse e ka mbyllur çështjen, ndërsa prokurori i përgjigjet se “të sqarova, kush është pasoja e ardhur, është vepër penale e cila ndiqet kryesisht nga i dëmtuari”.

Sipas Kapos, prokuroria merret me një kategori veprash penale që ndiqen me ankim që janë në kompetencë të prokurorisë.

“Veprat e tjera penale që s’janë kompetencë e prokurorisë dhe pse parashikohen nga Kodi Penal, trajtohen nga gjykata mbi bazën e ankimit të dëmtuarit. I bie që ti të jesh prokurori, të ikësh në gjykatë” i thotë prokurori. Qytetari këmbëngul se përse nuk janë bërë hetime, ndërkohë që prokurori i përgjigjet se “po të sqaroj procedurën ligjore. Se çfarë duhet të bësh ti, nuk është pjesa ime”.

Asnjë hetim nga prokuroria për aksidentin e frikshëm.

Në datën 27 qershor 2019, qytetari bëri denoncim për aksident të qëllimshëm. Sipas tij, në dëshminë pas ngjarjes nuk ishte i qartë si kishte ndodhur aksidenti. Por, pasi pa filmimet, u bind se “gjithçka ka ndodhur me dashje”.

Por, 1 javë më vonë, pa thirrur asnjë person, prokurori Etien Kapo vendosi që të mos fillojë procedimin penal. Në vendimin për mosregjistrimin e procedimit penal, prokurori e cilëson ngjarjen vetëm si aksident automobilistik. Ndërkohë, në asnjë rresht nuk përmenden provat e tjera si dëshmitë apo videoja që siguroi qytetari. Prokurori thotë se qytetari ka dëmtime që konsiderohen plagosje e lehtë.

Më tej sqaron se “pavarësisht këtij aksidenti, pasoja klasifikohet dëmtime të tjera me dashje” dhe u provua “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Megjithatë, në fund vendos të mos e fillojë procedimin penal, pasi fakti “nuk përbën as elementë të ndonjë vepre tjetër penale”. Prokurori faktoi se ka vepër penale vetëm me një hetim sipërfaqësor. Dhe, nëse do të hetonte pak më tepër, do të dilnin disa akuza…

I dëmtuari, Artur Tafilica, thotë se çështja është mbajtur vetëm disa ditë në duar nga prokurori Etien Kapo dhe më pas është pushuar. Qytetari i kërkoi disa herë shpjegime, ndërsa prokurori i përgjigjet mjaft ftohtë se “meqenëse ke përshtypjen, vazhdo përshtypjen”. “Në dijeninë time, çështja nga prokurori Etien Kapo është mbyllur në datën 5 korrik. Unë njoftimin e kam marrë nëpërmjet OPGJ-së.

Dhe kam përshtypjen se duhej të isha informuar nga Prokuroria e Tiranës, për pushimin e çështjes. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur” thotë qytetari, ndërsa prokurori i është përgjigjur se “çfarë hapash të mëtejshme që do të marri personi është pjesë që s’më takon mua”.

I dëmtuari kërkon që dosja të rishqyrtohet përsëri nga Prokuroria e Tiranës dhe të dërgohet për hetim në Gjykatën e Tiranës. “Ngjarja ka qenë e qëllimshme, dikush që abuzon me palën tjetër në rrugë, janë organet kopetente që duhet të gjykojnë dhe jo ne të bëjmë vetëgjyqësi” përfundon qytetari.

Loading...
More in Aktualitet, Kryesore
Dalin detajet t.ronditëse! Dritë mbi zhdukjen e Bleona Matës: Ja fakti i fortë që pritet të zbardhë ngjarjen!

Close